12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Nga Beppe SEVERGNINI*: Mos u shqetësoni për votën italiane

Më të lexuarat

Republika e Italisë është 70 vjeçe, si bulevardi Vegas dhe Donald J. Trump — dhe po aq e paparashikueshme.

Në vitin 1946, italianët, në një referendum pasionant, hodhën tutje monarkinë. Në vitin 2016, sërish me një pjesëmarrje rekord -69 për qind- fëmijët dhe nipërit e tyre shkarkuan kryeministrin 41-vjeçar, Matteo Renzi, dhe qeverinë e tij, të 63-tën në këto 70 vjet.

Pothuajse 60 për qind e votuesve refuzuan ndryshimet radikale që Renzi kishte propozuar t’i bëheshin Kushtetutës, që më së shumti synonin modernizimin e qeverisë italiane për t’i hapur rrugën reformave të thella ekonomike.

Kryeministri më i ri në historinë e Italisë foli pak pas mesnatës, me gruan e tij, Anjezën në krah. “Nuk e mendoja se më urrenin kaq shumë”, tha ai, i përlotur.

Renzi hyri në skenën europianë tre vjet më parë, me kurorën e një lloji të ri lideri italian. Por tashmë duket se qëndrimi i tij i zakonshëm toskanian është zhdukur: ai dukej, papritur, si një bojskaut i rritur që ka dhënë më të mirën dhe ka dështuar.

Gabimi i tij? Zotimi, kaq herët në fushatë, për të dhënë dorëheqjen nëse reformat refuzoheshin.  Menjëherë e gjitha u bë një referendum kundër tij. Kundërshtarët e tij – partia e protestës, Pesë Yjet, Liga e Veriut e linjës kundër emigrantëve, Silvio Berlusconi dhe miqtë e tij të vjetër të qendrës së djathtë, überpopulistët Vëllezërit e Italisë dhe spektri në të majtë të partisë së tij Demokratike – të gjithë e dashuruan dramaticitetin e situatës. Dhe kështu ndodhi edhe me publikun: një kundër pjesës tjetër. Por, politika nuk është një film me aksion. Në jetën reale, personazhi i vetëm zakonisht humb. Dhe ai humbi. Kohë të mëdha.

Këtu brenda në Itali dhe jashtë saj, kolumnistët po nxitojnë të japin paralajmërime të errëta për kolapsin që varet mbi euron, dhe ndoshta edhe largimin nga Bashkimi Europian. Pas Brexit, Rexit!, krokasin kundërshtarët e tij.

Nuk është e vërtetë. David Cameron nuk kishte pse të thërriste referendum. Por, Renzi nuk kishte zgjidhje tjetër: në Itali, reformat kushtetuese duhet të marrin miratimin final nga populli. Nuk ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Në ndonjë moment tjetër, do të kishte kaluar zëre pa u vënë re si rrëzimi i një qeverie italiane më shumë në një radhë të gjatë.

Për më tepër, në Britani, po të flasim në përgjithësi, votuesit më të vjetër vendosën të largohen nga Bashkimi Europian, ndërsa më të rinjtë votuan për të qëndruar. Në Itali, është e kundërta. Të rinjtë i kthyen shpinën Renzit. Nuk ishte si në Britani, një votim nostalgjik: italianët e rinj nuk dëshironin të ktheheshin në një të shkuar që nuk e kanë pasur kurrë.

Ata janë të zemëruar për papunësinë masive mes të rinjve. Ata urrejnë të lypin për punësime të përkohshme e të paguara keq – me një rrogë mujore mesatare prej 1200 apo 1300 eurosh – jo e mjaftueshme që t’i bëjë ata të planifikojnë të ardhmen. Nuk është rastësi që Milanoja me kaq ndikim është mes atyre pak qyteteve të mëdha që votuan “po” (të njëjtën gjë bëri Bolonja dhe Firence, vendlindja e Renzit). Gjithë të tjerat, nga Roma  tek Torinoja, nga Napoli tek Palermo, nga Gjenoca tek Bari votuan “jo”.

Nga gjithë deklaratat për ta nxitur Italinë të ecë shpejt, Renzi harroi çelësin e mësimit klintonian: “Eshtë ekonomia, budalla”. Nëse referendumi kishte një kuptim më të gjerë, ishte një votë për vendin e Renzit në politikën italiane dhe jo për vendin e Italisë në Europë.

A do ta rregullojë gjithë këtë qeveria e ardhshme? Nuk ka shumë gjasa. Papunësia e të rinjve dhe kushtet kronike të këqija në ekonominë e Italisë së Jugut – e cila votoi masivisht kundër Renzit, kanë nevojë për një lidership më të fuqishëm. Qeveria e ardhshme, me shumë gjasa një qeveri kujdestare deri në zgjedhjet e ardhshme, nuk mund ta realizojë këtë.

Dhe kush do ta drejtojë qeverinë? Presidenti President Sergio Mattarella do të caktojë dikë shpejt, por çfarë do të bëjë ai apo ajo në një kohë të shpejtë? Kalimin e buxhetit, pritjen e zyrtarëve europianë në mars për 60-vjetorin e traktatit të Rimës, që themeloi së pari Bashkimin Europian, mikpritjen e samitit të G7 në Taormina, Siçili gjatë qershorit. Kush do ta mbështesë një qeveri të tillë?

Ka mundësi vetëm partia qeverisëse, ajo Demokratike dhe me shumë gjasa Silvio Berlusconi. Të dyja partitë e dinë, se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ato do të fshiheshin nga populistët.

A është rrëzimi i përlotur i Renzit një tjetër goditje pas Trump-it, atëherë? Jo në të vërtetë. Fitorja e Trump ishte e papritur, mposhtja e Renzit ishte tërësisht e parashikueshme. Dhe Italia nuk po shfaq shenja të stresit post-traumatik si Amerika. Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë Beppe Grillo, populisti maverick (dhe admirues i Trumpit), as i ngjashëm  në kolor dhe as në gjallëri.

Pas 1000 ditëve të zhurmshme të Renzit – që propozoi shumë, arriti paj dhe nuk la gur pa kthyer – Italia dëshiron të jetë në qetësi për pak kohë.

Ky është problem, megjithatë. Në kohëra të ethshme, relaksimi nuk është opcion. Italia është vend i G7, sikundër edhe vend themelues dhe një nga tre kollonat e mbetura të Bashkimit Europian. Europa po dridhet dhe bota është duke vrapuar – edhe pse askush nuk e di me saktësi se për ku. Dhe nëse dëshiron të ndihmosh orientimin, dikush duhet të ulet në krye.

“Buona fortuna a noi tutti” — “Fat të mbarë të gjithë neve”, tha Renzi në fund të konferencës finale të shtypit. Por Italia do të ketë nevojë për shumë më tepër sesa fat, kësaj radhe.

*Beppe Severgnini është kolumnist i “Corriere della Sera”, autor i librit “La Bella Figura: udhëzues për mendjen italiane” dhe kontribuon me opinione në media.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit