Nga Amir B. AHMETI: Shteti i Kosovës në pikëpyetje nëse nuk reagon edhe kësaj here

0

I.

Shpesh po na ndodh të acarohemi me bashkësinë ndërkombëtare, veçmas me vendet evropiane. Jemi vendi i vetëm, krejtësisht i vetmi shtet, që nuk ka liberalizim të vizave me vendet e BE-së, dhe si të tillë mund të konsiderohemi se jemi edhe vendi më i izoluar i Evropës.

Po ne në Evropë jemi! Po! Gjeografikisht jemi në Evropë, por me pasaportën e shtetit tonë mund të udhëtojmë vetëm në tre vende, që po ashtu janë gjeografikisht në Evropë. Se për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, duhet të përgatitesh gjashtë muaj përpara për të realizuar një vizitë. Fillimisht pret ftesën, pastaj cakton terminin në ambasadë, e pas një muaji a dy të vjen radha për të aplikuar, kurse viza të bëhet pas një muaji tjetër, nëse ai zyrtari në ambasadë është në qejf.

– Vazhdimisht na vijnë presione nga Brukseli për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. Pas çdo raundi bisedimesh, Serbia ec një hap para drejt integrimit evropian, kurse ne na shtojnë edhe një kusht të ri.

– Serbia ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, e kur Kosova reagon, Brukseli na bën fajtor të dy palët, duke na ftuar për gjakftohtësi dhe për t’i zgjidhur problemet gjatë bisedimeve!

– Serbia i udhëzon serbët e Kosovës të ndërtojnë murin në veri të Mitrovicës, e Brukseli kërkon që çështja të zgjidhet me bisedime me Beogradin. Pra, Beogradi shkakton një problem, dhe ai problem i shtohet listës së gjatë të pikave për t’u diskutuar!

– Ish-kryeministri i Kosovës arrestohet në Evropë me urdhër arrestimi nga Beogradi prej kohës së Millosheviqit, dhe sot Brukseli i fton Prishtinën dhe Beogradin që këtë ta zgjidhin përmes bisedimeve?! Ky është kulmi. Pse na trajtojnë në këtë mënyrë?!

II.

Sot, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila u organizua enkas për rastin Haradinaj, nga shumica e deputetëve u akuzua Serbia për fletarrestimet, kurse u fol me shumë rezerva për burgosjen që vazhdimisht u bëhet luftëtarëve të lirisë së Kosovës nga vendet evropiane mike të Kosovës. Pse ky servilizëm kaq i tepruar ndaj vendeve që na i burgosin ushtarët e UÇK-së me fletarrestime të Millosheviqit?!

Ne e dimë se jemi shtet i papërfunduar, d.m.th., ende nuk e kemi siguruar ulësen në OKB, dhe pikërisht kjo po na frikëson që të flasim më haptas me evropianët e t’u themi mjaft më. Por argumentet janë në anën tonë. Aq më tepër, historia në mëson se politika kurrë nuk respekton të urtin e të përulurin. Tekefundit, pse duhet të jemi kaq të nënshtruar e servilë me Evropën, e cila na ka aq shumë borxh. Intervenimi i vendeve evropiane në kuadër të NATO-s më 1999-n për çlirimin tonë nga okupimi serb ishte vetëm një pjesë e kthimit të borxhit nga evropianët për ne.

Për t’u bërë pjesë e BE-së nuk kemi nevojë të jemi servilë; ne kemi modele të shumta të vendeve të bllokut socialist që janë bërë pjesë e BE-së, dhe na mjafton t’i ndjekim ato modele. Madje nuk kisha me shkuar shumë larg, por vetëm deri te Kroacia, e cila nuk hyri në BE kur e ftoi Brukseli, por organizoi referendum se a duan të jenë pjesë e BE-së apo jo. Kjo besoj nuk u bë se Zagrebi zyrtar ishte në mëdyshje për një gjë të tillë, por dëshironte të tregonte integritet dhe sovranitet para anëtarëve më të vjetër të BE-së.

Me këtë rast duhet të kujtojmë se Shqipëria dhe Kosova, dhe gjithë populli shqiptar në rajon, janë me prioritet, rëndësi dhe interesim më të madh për BE-në se çdo vend tjetër i Ballkanit. Një popullsi me rreth tetë milionë banorë, të shpërndarë në disa vende të Ballkanit, tregon një fuqi të madhe dhe shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe Evropës. Këtë e dinë shumë mirë evropianët, por ata nuk do të na përfillin derisa ne të mos e besojmë vetë këtë fakt.

Mendoj se tani është koha të reflektojmë, dhe hapi i parë do të ishte ajo që sot aq shumë u përmend nga deputetët në Kuvendin e Kosovës: ndërprerja e dialogut me Serbinë derisa ajo të implementojë marrëveshjet e arritura deri sot dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Ky qëndrim besoj fuqishëm do ta tërhiqte më shumë edhe vëmendjen e Brukselit ndaj vendit tonë aq shumë të nëpërkëmbur. /tesheshi.com/

Nuk ka komente