15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Më mirë turqit se papa

Më të lexuarat

I.

Dje po lexoja një opinion nga z. Dardan Gashi me titull “Ikni prej Sulltanit!”, që në spikamë kishte tensionet e fundit mes Turqisë e Holandës.

Kam replikuar me z. Gashi edhe përpara, në Kuvend, përmes shkrimeve në media, në debate televizive, etj. Këtë herë nuk po i reagoj atij drejtpërdrejt, por atij dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai dhe që kanë këtë qasje negative dhe njëherësh destruktive ndaj një aleati shumë të rëndësishëm të shqiptarëve, pra, ndaj Turqisë.

Nga shkrimi i tij kuptohet se ai ka diapazon shumë të ngushtë të njohurive të përgjithshme, dhe politikat gjeostrategjike të vendit i sheh vetëm deri te hunda e vet. Vlerësimet e errëta, të pabaza dhe shumë të pështira, ndaj lidershipit të sotëm të Turqisë tregojnë gjendjen shumë të rëndë morale të një publicisti. Lidershipi i Turqisë, që z. Gashi e shan dhe kritikon në formën më banale, e ka ngritur vendin e vet për vetëm 14 vite në pushtet nga një vend në zhvillim në një vend të zhvilluar e industrial dhe e ka renditur në mesin e dhjetë ekonomive më të zhvilluara të botës. Ka paguar të gjitha borxhet e qeverive të kaluara ndaj FMN-së e BB-së. Kurse në aspektin gjeopolitik, sot nuk guxon të ndodhë asnjë ngjarje politike në Lindjen e Mesme pa prezencën aktive të Turqisë.

II.

Pikërisht! Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse sot kritikohet lidershipi turk nga qarqe të ndryshme botërore. E për t’u hyrë në hatër këtyre të fundit, edhe disa parazitë në trojet tona ngrejnë zërin kundër këtij lidershipi, i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me shumicë të kënaqshme të votave, si kurrë më parë.

Për zhvillimin e Turqisë kemi shkruar edhe më herët, madje edhe për arsyet pse kritikohet lidershipi i sotëm i Turqisë, në krye me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Sepse ai është trim, i pathyeshëm, i paepur, dhe që nuk lejon të nëpërkëmbet shteti i tij nga fuqitë e huaja. E kjo e fundit është vështirë të kuptohet nga sahanlëpirësit shqiptarë, të cilët janë në gjendje edhe nderin e krejt kombit ta shesin vetëm për të mbetur në pushtet; pushtet që realisht pak ndikohet nga vota e popullit e më shumë nga ndërkombëtarët, të cilët, në rastin tonë në Kosovë, qe 18 vite ende na tërheqin për hunde, duke na e kujtuar çdo ditë se na çliruan nga okupimi serb. Ndërsa harrojnë se ishin pikërisht evropianët që na lanë në zgjedhën sllave për një shekull të tërë. Tekefundit, kjo duhet të kuptohet vetëm si një kthim borxhi, dhe asgjë më shumë. Por edhe nuk përfundon me kaq, se copëtimi i trojeve shqiptare është zier pikërisht në kryeqendrat evropiane. Konsideroj se borxhi nuk do të jetë i larë derisa të realizohet bashkimi kombëtar shqiptar.

III.

Aleancat mes shteteve nuk janë dhe kurrë s’kanë me qenë të përhershme, qysh pandeh z. Gashi, por edhe disa politikanë tanë. Nëse vërtet këtë që e thonë edhe e besojnë, ata kanë probleme serioze me të kuptuarit e politikës.

Evropa, kontinenti ynë, gjatë historisë së vet numëron mbi 600 luftëra e konflikte mes popujve evropianë. Ideja e Schuman-it për një Evropë të unifikuar, të modelit amerikan, ka mbetur aty ku ka nisur, dhe ende nuk ka ndonjë shenjë se është afër të jetësohet. Sido që të jetë, këto vende që kanë një histori plot luftëra e gjakderdhje ndërmjet tyre, sot luftën mes vedit as që e paramendojnë. P.sh., Anglia e Franca prej vitit 1213 e deri më 1815 kanë pasur njëzet luftëra, por sot janë aleate dhe kanë raporte shumë të mira fqinjësore. Me fjalë të tjera, me atë që sot je në luftë nesër mund të jesh në paqe, dhe me atë që sot je në paqe nesër mund të jesh në luftë. Vitet që po jetojmë janë vetëm një paragraf i një libri qindrafaqësh të historisë, që do ta lexojnë gjeneratat e ardhshme. Por edhe këto paragrafë nëse nuk lexohen, nuk do të dish ta jetosh të sotmen.

IV.

Gashi është mirë t’i kthehet historisë dhe të lexojë se si holandezët protestantë në shekullin e XVI-të luftonin për pavarësimin e tyre nga spanjollët katolikë, e ndërkohë që askush nga evropianët nuk i ndihmonte, kërkuan ndihmën e osmanëve për t’u çliruar nga zgjedha spanjolle. Holandezët atëherë me krenari bartnin medalionin në formë të gjysmëhënës, me slloganin e shkruar në të: “Liver Turcx Dan Paus – Më mirë turqit se papa”.

Kurse për retorikën antiturke të liderëve politikë të Holandës javën e fundit, z. Gashi është dashur ta dijë se ka qenë gjatë fushatës zgjedhore, se dje, më 15 mars, në Holandë ishin zgjedhjet paralamentare, e kryeministri holandez, për ta siguruar edhe një mandat, shkaktoi disa skandale diplomatike me Turqinë, që vërtet edhe patën sukses, pasi partia e tij i fitoi përsëri zgjedhjet.

Ndërsa mbahet referendumi në Turqi për sistemin presidencial, që lutem dhe shpresoj se do të kalojë në favor të ndryshimeve kushtetuese, atëherë besoj se do të ndryshojë edhe qasja holandeze ndaj Turqisë, por edhe e gjithë Evropës. Në rast të kundërt, nëse kjo qasje nuk ndryshon, do të kemi ndryshime të thella gjeopolitike e strategjike në Evropë, Mesdhe, e sidomos në Ballkan. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit