14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Impeachment-i i Trump-it dhe hija e Nixon-it? (II)

Më të lexuarat

I.

Trump është presidenti i 45-të me radhë i SHBA-së, nga gjithsej 58 palë zgjedhje që janë mbajtur në çdo katër vite prej zgjedhjeve të para presidenciale më 1789 e deri te ato të fundit, më 2016. Nga 44 presidentët e kaluar, vetëm dy prej tyre i janë nënshtruar impeachment-it të iniciuar nga Kongresi. Pra, një dukuri shumë e rrallë për presidentët amerikanë. Kurse presidenti Trump prej ditëve të para të marrjes së detyrës është ballafaquar me kërkesën për impeachment! Atëherë, pse gjithë kjo zhurmë për impeachment-in e Trump-it? Shumë mediume, madje edhe gazetat më prestigjioze në SHBA, në Britani të Madhe, në vendet e tjera evropiane dhe botërore, i kanë kushtuar shumë vëmendje kësaj çështjeje. Gati secila prej tyre ka pasur artikuj të shumtë shpjegues se çka është impeachment-i, si funksionon, kush e inicion, për çfarë arsye iniciohet dhe kur mund të ndodhë kjo në rastin e Trump-it.

II.

Në pjesën e parë të opinionit tim rreth impeachment-it të presidentit Trump kam shpjeguar pse rasti i tij po ngjason me atë të presidentit Nixon, i cili dha dorëheqje pa iu nënshtruar impeachment-it. Nixon-it atëherë iu shtrëngua shumë rrethi, e sidomos kur Kongresi kontrollohej nga shumica demokrate. Kështu, për të mos iu nënshtruar një gjykimi që ishte i humbur që në fillim, ai dha dorëheqje.

Tani kutia e pandorës është edhe më pranë hapjes, sidomos pas deklaratës së drejtorit të FBI-së, Comey, i cili për herë të parë zyrtarisht tha se janë duke hetuar rastin se a kishte lidhje Trump-i dhe ekipi i tij me Moskën për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në vjeshtën e 2016-s. Se ku do të shpjerë kjo, nuk dihet, por që i ka ngjallur edhe më shumë kërkesat për largimin e Trump-it nga Shtëpia e Bardhë, është e padiskutueshme. Sipas sondazheve të ndryshme të publikuara nga media të shumta në SHBA, mbi 46% e qytetarëve amerikanë dëshirojnë që Trump t’i nënshtrohet impeachment-it. Disa të tjerë mendojnë se janë pikërisht mediat me të cilat është në luftë direkte presidenti Trump që po e nxisin një gjë të tillë më shumë se diçka e tillë të jetë reale.

Ndërkohë, Partia Demokratike po vazhdon me këto sulme drejtuar presidentit. Kjo madje pritet të vazhdojë e të intensifikohet edhe më shumë derisa të afrohen zgjedhjet e tjera kongresionale, me shpresën e rritjes së numrit të demokratëve në Kongres. E nëse kjo ndodh, atëherë presidenti Trump vërtet do ta ketë pisk.

III.

Përveç deklaratës së drejtorit të FBI-së, kritikët në adresë të Trump-it kanë shtuar edhe shqetësimet për shpenzimet marramendëse që po bën presidenti. Vetëm në muajin e parë në presidencë, Trump ka udhëtuar tri herë në residencën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, në shtetin e Floridës, ku vetëm për udhëtimin me avionin presidencial dhe eskortën e tij ka shpenzuar rreth 10 milionë dollarë. Ndërkohë që ish-presidenti Obama aq para për udhëtime i ka shpenzuar gjatë një viti të tërë; respektivisht, rreth 12 milionë dollarë për një vit. Kur këtyre shpenzimeve u shtojmë edhe ato të anëtarëve të familjes së presidentit, të cilët duhet vazhdimisht të jenë të mbrojtur nga sigurimi shtetëror, fatura e shpenzimeve presidenciale po kalon çdo standard. Kjo i ka nervozuar shumë kongresmenët demokratë, të cilët kanë iniciuar një projektligj për kufizime të këtyre shpenzimeve. Më e zëshmja ka qenë senatorja demokrate Dianne Feinstein, e cila duke iu drejtuar mediave tha se presidenti Trump shumë shpejt do të largohet. Ajo përmendi faktin e përcjelljes shtetërore të dy djemve të presidentit, të cilët udhëtuan në Dubai për të inauguruar një biznes familjar atje, si një ndër arsyet se duhet të kemi një ligj që i kufizon këto shpenzime për biznese private, të cilat i quajti edhe si konflikt interesi.

Gjithë këto ngjarje të debatueshme në presidencën e Trump-it po ndodhin për vetëm dy muaj. Çfarë pritet deri te 100 ditët e para në Shtëpinë e Bardhë, s’besoj se do të mbetemi pa befasi të tjera. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit