16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nga Ali PAJAZITI: Barcelona dhe terrorizmi si “religjion”

Më të lexuarat

Bota pas rënies së Murit të Berlinit priste ditë më të bardha, një faqe të re të historisë, shumë më shpresëdhënëse, një etapë e re zhvillimi të njerëzimit pas mbylljes së “librit të zi të komunizmit”. Por Ballkani i shndërruar në një sferë hobbesiane, në një kasaphane, në një zonë të gjenocidit, qindra mijërat e vrarë në Ruanda, Kongo, 11 Shtatori 2001, Afganistani, Iraku, pranvera arabe, Siria, ISIS-i, Parisi, Ankaraja, Stambolli, Brukseli 2016, Barcelona 2017 paraqesin sërën e të zezave të këtyre 25 viteve të fundit që shkojnë si në film dhe që vërtetojnë teoritë fundiste dhe ato të përplasjeve.

Fundi i historisë thanë dhe shtuan njeriun e fundit, konflikti i civilizimeve, që sipas Steve Graham nënkupton doktrinën kundërshtimit të Perëndimit me botën islame, makrofobitë ndërnjerëzore me ngjyrime racore, religjioze.

Interpretimet e reja të një Islami purist e puritan, provokimet si Wilders, Breivik, Charlie Hebdo, djathtizmi i zgjedhjeve për parlamentin europian, Donald Trumpi me muret e tij fatale dhe terrorizmi që dalëngadalë po kaplon thuajse çdo anë të botës. Lirisht mund të thuhet se jemi në një status të një krize globale, të një krize planetare, të krizës ekzistenciale, të krizës së qenësimit dhe të mbijetesës si njeri. Në asnjë mënyrë nuk na bën të ndjehemi pak më të sigurt fakti që te ne nuk ndodhin gjëra si në Rakka, Taksim apo në aeroportin e Brukselit… Jemi në epokën e mondializimit dhe të gjitha pasojat e ndodhive anekënd botës i ndjejmë edhe ne, së paku në aspektin psikologjik e shpirtëror, është koha e videokracisë, kur pamjet-videot më trishtuese na dalin përpara me të hapur të telefonit ose të ekranit televiziv.

S’ka më siguri, as shtëpiake nga hajdutët, as globale nga terrori që nuk njeh race, fe, komb, përkatësi, që zhvat gjithçka para vetes. Të gjithë jemi bërë objekt të sekuritizimittë survejimit për t’u mbrojtur nga organet dhe institucionet e sigurisë, por ndërkohë jemi target potencial i qeskave, çantave, veturave shpërthyese, i vetëvrasësve që arrijnë që të kalojnë madje edhe në zonat që duhet të jenë më të mbrojtura siç duhej të ishte kryeqyteti i Europës dhe aeroporti i tij “Zaventem”.

Terrorizmi si simbol frikës, i kobit dhe dhunës irracionale tanimë po vërehet se nuk mund të ndalet as nga meknizmat më të sofistikuar të survejimit e as nga industria e sigurisë. Puna ka ecur shumë më përpara, në aspektin negativ. Tanimë kur thika ka arritur në asht, e gjithë bota, në veçanti inteligjencia dhe lidershipi botëror duhet të ulen dhe të mendojnë kthjellët se ku  janë bërë gabimet dhe pse vrulli i terrorit shkon gjithnjë e më tepër duke u masovizuar. Pse një i ri në pranverën e jetës së vet, me gjakftohtësi të çuditshme e të pashpjegueshme përgatitet për t’i dhënë fund jetës? Nga ky kjo urrejtje, kjo psikologji, ky absurd? Nuk mjaftojnë as qindra miliona policë për të ndalur një pandemi të gjendjes shpirtërore që rekruton individë gjithandej, që i vëllazëron në kauzë, që i bën kooperues për hir të një “kauze të lartë” që njerëz të caktuar se duhet mbrojtur madje edhe duke sakrifikuar veten, madje edhe duke vrarë njerëz të pafajshëm, civilë, gra pleq, duke lënë sakatë foshnja, “duke shkuar në parajsë duke ua bërë të tjerëve ferr jetën sa të jenë gjallë”. Jo vetëm atyre që ia pësojnë nga aktet dhe rastet e ndryshme të terrorizimit, por duke ua nxirë ditët edhe të gjithë njerëzve ngadoqofshin ata.

Sot, religjiozitetin disa mendjengushtë e barazojnë me urrejtjen, me fajësimin e tjetrit. Fajin e kërkojmë te tjetri gjithherë, jo te vetja. Sa më urrejtës aq më fetar. Sa bukur kishte shënuar dikush: “Nëse fetarizmi juaj ju bën më të ashpër, më të vrazhdë, më shpifës, më denigrues, dijeni se duhet të matni mirë nëse jeni duke adhuruar Zotin ose egon tuaj.”

Tani shtrohet pyetja se a mund të eliminohet ky kancer që po na gllabëron me sekuritizim, me propagandim për më tepër masa survejimi, për më tepër militantizëm, vigjilencë policore dhe panoptikizim (sa më shumë kamera, në çdo cep) në kuptimin e Benthamit? Me gjasë kemi hyrë në fazën e skenarëve defetistë lidhur me moralin dhe etikën që thonë: (a) Morali do të dobësohet vazhdimisht dhe në fund do të zhduket tërësisht.  Bashkëkohësia njeriun do ta shndërrojë në kafshë, në qenie agresive dhe egoiste. S’do të ketë brejtje të ndërgjegjes. (b) Zhvillimi i teknikës, funksionalizimi dhe racionalizimi i plotë i njeriut, “njeriu i programur” s’do të ndjejë nevojë për  moral, do t’u nënshtrohet vetëm normave teknike-instrumentale.

Të ndalemi pak të mendojmë: agresivitet sa të duash, njeriu i programuar në skenë, njeri i cili respekton urdhrin e prijësit shpirtëror i cili ia jep garancinë se arrin “lumturinë e përjetshme”. Pra jemi përballë me një fundizëm ultra-krizologjik, jetojmë në kohën e njerëzimit të vrarë, në kohën e standardeve të dyfishta. Në Myanmar digjen të gjallë me mijëra njerëz (para së gjithash njerëz, e më pas muslimanë) dhe ekspozohen kufomat e të ekzekutuarve si të ishin drunj që më pas digjen. Dhe e gjithë kjo bëhet nga budistët që per definitionem duhet të jenë paqësorë. Dhe askush nuk reagon. OKB? Guantanamo, një njollë e rëndë e ndërgjegjes amerikane që ka tërhequr pezmin e shumë besimtarëve muslimanë. Terrorizmi dalëngadalë po shndërrohet në një fe të re, në një fe globale që fiton ithtarë në katër anët. U lodhëm duke ndryshuar profilet, “Jam Paris”, “Jam Stamboll”, “Jam Ankara”, “Jam Bruksel!”, “Jam Barcelonë!”

Fundizmi krizilogjik dhe njerëzimi i vrarë ky ishte versioni i parë i këtij shkrimi. “Fundi i historisë?” (në The National Interest, 1989) – term ky i përdorur më parë nga Hegeli dhe Marksi, i përditësuar nga japonezo-amerikani Fukuyama. Ai, në librin me titull Fundi i historisë dhe njeriu i fundit (The End of History and the Last Man, 1992) pohonte se historia e ideve është përmbyllur me pranimin e demokracisë liberale si “pikën e fundit të evoluimit ideologjik të njerëzimit” dhe “formën e fundme të qeverisjes së njeriut”.

Komente serioze janë shfaqur për fundizmin (endism) e shpallur nga Fukujama si nga e djathta ashtu edhe nga e majta. Revista Time idenë dhe fenomenin fukujamian e cilësoi si “fillim të pakuptimësisë”. Më duket se Time i ka rënë mu në pikë gjendjes, jemi në fazën e pakuptimësisë, kur shiko përpjetë është shumë lart, shiko teposhtë shumë thellë. Një njeri i arrirë, pas asaj që ndodhi të martën (22 mars) në profilin e vet në facebook kishte postuar fjalët “Holokausti i ardhshëm është shumë afër. Këtë herë, viktimë nuk do të jenë hebrenjtë!”, duke shënjuar se viktimë do të jenë  njëzet e sa milionë muslimanët e Evropës. Kush e di? Ruanazot!

Terrori, një dukuri e lindur në vitet 66-72 pas erës sonë në Romë, i zbatuar nga asasinët e H. Sabbahut (1090), i forcuar me qeverinë e terrorit të Revolucionit Francez (1793-1794) kur u ekzekutuan mbi 17000 kundërrevolucionarë, sot është bërë një kopil që iu është hedhur në prehër muslimanëve, gjegjësit pjesëtarëve të islamit. Terrorizmi që njihet për nga format e veta djathtiste, majtiste, fashiste, ultranacionaliste, anarkiste, sot ndërlidhet me elementet islam(ist)e. Terrorizmi, që ka shkaqet e veta si uria, prapambeturia, eksploatimi, shtypja dhe poshtërimi, po shndërrohet në një pseudoreligjion që ia zë vendin religjionit autentik, fesë hyjnore. Një sfidë globale që na tërbon të gjithëve në anijen e quajtur botë-njerëzim.

Dje, 17 gusht, ndodhi Barcelona, më mbi dhjetë të vdekur. Kush e di kush e ka radhën, kush e di nga i kanë drejtuar “shpatat“ fidainjtë e kauzës së paketuar në kokat e tyre. Terrorizmi është i papritur, nuk e di se nga të godet, nuk njeh fe as kombësi, vend as kohë, prandaj të gjithë jemi në shënjestër të tij, edhe besimtari mUsliman më i devotshëm mund të shkojë kurban i tij, i njerëzve që “targetojnë pabesimtarët“. Zoti na kthjelloftë mendjen!

Shkencëtari i madh spanjoll, drejtor i UNESCO-s, Federico Mayor ka pohuar se “kompasi i vetëm që me siguri mund të na shpie nga ardhmëria është etika. Etikë kjo që do të jetësohet në mjedisin familjar, në organizatat ku në mënyrë permanente do të ushtrohej auditimi etik, e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare.” Duam një botë me të moralshme, më etike, më të ndërgjegjshme, më të ngritur edhe kulturalisht jo vetëm qytetërimisht! Të punojmë për të. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit