6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Nga Alexander BETTS*: Islami dhe kriza e vlerave liberale në Europë

Më të lexuarat

Europa është ende në përpjekje për të përballuar fluksin masiv të refugjatëve, me mbi 1 milion azilkërkues të mbërritur përmes Mesdheut. Gati të gjithë janë muslimanë. Ky fakt ka formësuar opinionin publik dhe atë politik por rrallë është diskutuar hapur dhe ndershmërisht. A mundet Europa me 28 shtetet e saj anëtare të ndajë përgjegjësinë për një numër më të vogël refugjatësh sesa numri i atyre që ndodhen aktualisht vetëm në Liban? Sigurisht që mundet. Në fakt, pjesa më e madhe e vendeve europiane kanë nevojë për krahë pune.

“Elefanti në dhomë” në këtë rast është islamofobia, e mbetur e fshehur. Fakti i thjeshtë është se shtetet anëtare të BE-së nuk duan vërtet të mirëpresim emigrantët muslimanë. Një gjë e tillë ka qenë e shprehur në rastin e vendeve me parti të forta të krahut të djathtë dhe në vendet e Europës Qendrore me qeveri kristiane nacionaliste. Por elitat politike liberale të Europës Perëndimore janë munduar të mos e pranojnë se pengesa e vetme më e madhe për politika koherente azili e emigracioni është ankthi publik rreth Islamit. Partitë e krahut të djathtë janë mbështetur mbi këto frikëra, duke marrë tonalitete ksenofobe. Megjithatë, në pjesën më të madhe, njerëzit e pjesës tjetër të spektrit politik kanë mbetur të heshtura mbi këtë çështje.

Në fund të fundit, problemi nuk mund të jetë ai që Europa beson se nuk është në gjendje të menaxhojë fluksin e emigrantëve. Historikisht, ajo ka qenë në gjendje të përballojë mirë flukset masive të refugjatëve. Përgjatë gjithë Luftës së Ftohtë, për shembull, me miliona njerëz u zhvendosën nga lindja e Europës drejt asaj perëndimore, duke i ikur komunizmit. Europa më pas sistemoi me qindra mijë refugjatë vietnamezë në vitet 1980 e 1990. Ajo mori madje edhe një numër të madh emigrantësh nga Bosnja dhe Kosova në vitet 1990, përfshirë shumë muslimanë – por kjo ishte përpara se Islami të bëhej politikisht toksik. Ka pasur skepticizëm akoma edhe më të madh ndaj refugjatëve që i largoheshin konflikteve në Afganistan e Irak dhe tani në Siri.

Së fundmi, sulmi terrorist në Paris dhe raportimet për agresione seksuale e grabitje në Këln kanë ndryshuar rregullat e lojës për azilin në Europë. Në Këln, në vigjiljen e Vitit të Ri, më shumë se 100 gra e vajza raportuan se ishin sulmuar nga banda burrash, ku autoritetet i identifikuan ata si persona afrikanoveriorë apo arabë.

Refugjatët sirianë u përfshinë menjëherë si të dyshuar. Kundërpërgjigja ishte e shpejtë dhe opinioni publik – madje edhe në Gjermaninë që kishte qenë relativisht miqësore – u distancua nga refugjatët. Pjesa më e madhe e vendeve nuk shkuan aq larg sa Sllovakia që tha se do të presë vetëm refugjatë të krishterë, por ka pasur një frikë të fshehur nga Islami që mund të impononte politikat europiane.

Nga ana statistikore nuk ka gjasa më të mëdha që refugjatët të përfshihen në terrorizëm e krim, sesa popullsia e përgjithshme. Duke folur në përgjithësi, politikanët e Europës nuk kanë arritur të artikulojnë një vizion sesi duhet të mendojnë për Islamin në Europë apo për të shkurajuar lidhjen mes refugjatëve e emigrantëve me termat terroristë e kriminelë.

Përgjigjet europiane kanë qenë konfuze dhe hipokrite. Shumë vende janë angazhuar në deportimin me dhjetëra mijë persona, edhe pse e dinë se një e tillë nga ana logjistike nuk është praktike. Politikanët kanë bërë bisht duke mos thënë asgjë specifike për Islamin dhe integrimin, nga frika e ndëshkimit elektoral apo gjykimit nga media. Dhe në gjithë Europën kanë dalë politika që thelbësisht bien në kontradiktë me vlerat liberale.

Nga ana statistikore, nuk ka më shumë gjasa që refugjatët të përfshihen në terrorizëm apo krime sesa popullsia tjetër. Mirëpo përceptimi ka rëndësi. “Eksperimenti” gjerman i hapjes ndaj emigrantëve është nën kërcënim, tashmë, nga një model familjar: ndodh një incident negativ me përfshirjen e refugjatëve, media bucket, e djathta ekstreme mobilizohet dhe e djathta e qendrës shkon edhe pak më shumë afër mbylljes së kufijve.

Pjesë e asaj që e bën këtë model kaq të vështirë për ta thyer është se politikat centriste kanë pësuar rënie në Europë. Politikanët e qendrës kanë parë sesi pjesa e tyre e votave ka rënë: në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, dinamika mes liderit të opozitës, Jeremy Corbyn dhe kryeministrit konservator, David Cameron i ngjan atmosferës së polarizuar të viteve 1980 kur Margaret Thatcher ishte kryeministre. Rënia e qendrës është formësuar pjesërisht nga vetë dështimi i saj për të gjetur përgjigje bindëse për çështje si globalizimi, emigracioni dhe integrimi. E majta luan kartën e retorikës për përfshirje pa kushte, dhe e djathta luan kartën e retorikës së sigurisë.

Polarizimi i debatit ka lënë një mungesë shprehjeje, përmes së cilës politikanët e mbetur të moderuar mund të artikulojnë sesi europianët duhet të mendojnë për Islamin, refugjatët dhe emigracionin. Pika e nisjes duhet të jetë një artikulim i kthellët dhe një pohim i vlerave liberale.

Thelbësisht, Europa është ndërtuar mbi besimin e përbashkët në lirinë individuale. Vlerat europianë për këtë shkak kanë përfshirë historikisht angazhimin për të drejtat e njeriut, lirinë e besimit, dhe të drejtën e azilit. Pjesa më e madhe e europianëve besojnë ende në këto vlera, por ato aplikohen dobët.

Së pari, europianët duhet të shmangin tendencën për t’u përfshirë në ndëshkime publike. Në Bornheim të Gjermanisë, refugjatët meshkuj janë ndaluar nga pishinat publike pas raportimeve për sulme seksuale. Kjo lloj politike duhet të jetë e papranueshme. Sigurisht, njerëzit që migrojnë në Europë duhet të përshtaten me ligjet dhe normat sociale të saj. Por njerëzit duhet të gjykohen – dhe të dënohen – si individë që janë.

Së dyti, Europa nuk duhet të largohet nga angazhimi i saj për lirinë e besimit. Në një komunitet liberal, njerëzit duhet të lejohen të besojnë atë që zgjedhin. Ende, kaq shumë politika europiane janë thjesht diskriminuese: në Cardiff, britanikët i kanë detyruar azilantët të mbajnë shirit të kuq në kyçin e dorës gjatë gjithë kohës- një politikë me paralele të frikshme historike.

Së treti, Europa duhet të bëjë një punë më të mirë në ruajtjen e lirisë së fjalës. Etiketimi i një ideje si “fetare” nuk e bën atë të shenjtë, përtej debatit dhe kritikave. Edhe pse fjalët e urrejtjes kalojnë përmes një pragu që kërkon rregulla, “fyerja” në vetvete nuk duhet të kriminalizohet.

Së fundmi, Europa duhet të mbrojë të drejtën e azilit. Politikanët europianë duhet të artikulojnë qartë pëse refugjatët janë një kategori e veçantë dhe e privilegjuar mes emigrantëve. Gjermania ka propozuar të deportojë ata që dënohen për krime. Kjo është e përshtatshme me vetëm një përjashtim: refugjatët nuk duhet të kthehen në vendet ku përballen me persekutimin.

Pyetja e fundit e vështirë që europianët duhet të ngrenë është: a është Islami bashkëjetues me vlerat liberale? Përgjithësisht po. Në formulimin e politikave, liderët europianë duhet të jenë aq të zgjuar sa të mos e shohin Islamin të papërputhshëm me liberalizmin, por të punojnë me liderët fetarë për t’u siguruar që të jetë.

Problemet me emigracionin dhe politikat e integrimit janë shqetësime të vlefshme sociale, por ato duhen adresuar përmes një debate racional. Kundrejt një mendimi incoherent dhe konfuz, Europa ka nevojë për politika të qendrës, që të tejkalojnë si ksenofobinë e së djathtës ekstreme ashtu edhe relativizmin moral të të majtës ekstreme. Fuqia e centrizmit qëndron në aftësinë për të treguar rrugë praktike për të drejtuar Europën mes politikave të frikës. Vetëm atëherë, do të jetë Europa në gjendje që hapur dhe ndershmërisht të kuptojë sesi duhet të përballet me refugjatët dhe emigracionin në një botë që ndryshon.

*Alexander Betts është profesor i migracionit të detyruar në universitetin Leopold Muller si dhe në atë të Oksfordit. Artikulli është botuar nga “Foreign Affairs”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit