12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nga Akin UNVER*: Pasojat e vrasjes së Andrey Karlov

Më të lexuarat

Turku vret një konsull rus […] pozicioni i kryngritësve maqedonas forcohet – Paqja apo Lufta duket se varet nga princi Ferdinand i Bullgarisë. Ky lajm i “New York Times” vjen nga viti 1903, nga qyteti maqedonas Bitola, ku konsulli i përgjithshëm rus u vra nga një pjesëtar shqiptar i ushtrisë osmane.

Përbërja heterogjene e Maqedonisë, me sllavë, grekë dhe shqiptarë kishte rënë viktimë e rritjes së nacionalizmit, mbështjellë midis mbështetjes së Rusisë dhe një Perandorisë Osmane në rënie.

Në fillim të viteve 1900, vrasja e ambasadorëve dhe konsujve në Ballkanin Osman u shndërrua në një burim thelbësor shqetësimi për administratën perandorake, ndërsa besnikëria e ushtrisë dhe forcave policore multi-etnike e multi-fetare ndryshonin së bashku me dinamikën e pushtetit në këtë rajon .

Tranzicioni i Ballkanit midis dy fuqive perandorake çoi në një rritje të kryengritjeve të njëpasnjëshme, të cilat kulmuan me luftërat ballkanike të viteve 1912-13.

Megjithatë, vrasja e 1903-it e konsullit të përgjithshëm rus rrezikoi një luftë të parakohshme në Ballkan, e cila do të shtyhej një dekadë,  pas shumë manovrimeve politike e diplomacisë së sultan Abdulhamidit II.

Andrey Karlov, ambasadori rus në Turqi u vra në 19 dhjetor, i pari ambasador që vritet në Turqi që nga themelimi i republikës, në vitin 1923.

I caktuar me detyrë në Ankara në vitin 2013, Karlov mori përsipër një detyrë të vështirë me një axhendë intensive, dhe e drejtoi ambasadën në një nga episodet më të vështira të marrëdhënieve turko-ruse në historinë e vonë, duke luajtur një rol kyç në përmirësimin e marrëdhënieve që prej rrëzimit nga forca ajrore turke të bombarduesit rus në nëntor 2015.

Ndërsa një kapitull tjetër i luftës civile siriane po zhvillohet me brutalitet në lindje të Halepit, kombinimi ndezës i interesave të fuqive të mëdha dhe vullneti i grupeve të armatosura lokale, jo-shtetërore për të vijuar luftimet, nuk i bën shumë të largëta kushtet e viteve 1903-1913.

Ndërsa analogjitë e Luftës së Parë Botërore dhe dukës Ferdinand të Austrisë, të shpërndara me shpejtësi në median sociale, pas vrasjes së ambasadorit Karlov, duken fillimisht interesante; por në fakt gjithkush harroi faktin se gara gjeopolitike turko-ruse shkon shumë më thellë sesa shekulli i 18-të.

Duke shkuar më tej, gjendja aktuale e punëve midis Rusisë dhe Turqisë ngjan më shumë me 1903-in sesa me 1914-ën, dhe Siria sot, duket më shumë si Maqedonia e një shekulli më parë- fuqi, interesa dhe reagime të ngjashme.

Vrasja e vitit 1903 solli koncensione të gjera të osmanëve për Rusinë, pjesërisht për shkak të sikletosjes diplomatike ndaj incidentit dhe më së shumti për shkak të grumbullimit të anijeve ruse në Detin e Zi.

Sulltani Abdulhamid II, madje, e ndoqi nga afër gjyqin e ushtarit shqiptar, duke u siguruar që ai të merrte dënimin me vdekje. Pavarësisht kësaj, turqit hynë në Luftën e Parë Botërore kur anijet osmano-gjermane bombarduan Sevastopolin, portin kryesor rus në detin e Zi.

Nuk ka nevojë për alarm

Alarmi për “një Luftë të Tretë Botërore”, është gjerësisht pa baza, të paktën sa i takon Turqisë, Rusisë apo Sirisë.

Edhe pse Siria është takimi pas shumë vjetësh i “gjimnazistëve’ të Luftës së Parë Botërore, dinamikat në zhvillim në Siri dhe në Irak, ose në Halep dhe në Mosul, janë më lokale (sektariano-historike) sesa ndërkombëtare.

Nëse ka diçka, vrasja e Karlovit do të ketë ndikim të njëjtë me atë të rrëzimit të avionit rus nëntorin e kaluar – duke e sjellë Moskën dhe Ankaranë më afër njëra-tjetrës (ose duke e bërë Ankaranë më të varur nga Moska për çështje të sigurisë).

Pas vrasjes së vitit 1903, rritja e tensioneve etnike brenda ushtrisë osmane dhe forcave lokale të sigurisë kishte alarmuar ambasadat e tjera në Konstandinopojë, të cilat druheshin për sulme të tjera të ngjashme dhe ato u kërkuan marinave respektive të ankoronin luftëanijet në Bosfor për të mbrojtur personelin.

Siç rrodhën ngjarjet, grindjet brenda ushtrisë osmane, kërcënimi i krerëve të misioneve të huaja si dhe pikëpamja europiane se perandoria nuk mund të menaxhonte më një shpërbërje të ngadaltë, rezultoi në një përfshirje direkte gjermane dhe rritje të ndikimit deri në vitin 1909, duke u bashkuar me radhët osmane mjaftueshëm sa të kryente Luftën e Parë Botërore.

Sot, sidoqoftë, nuk ka gjasa dhe është e vështirë për Rusinë të ushtrojë një ndikim të ngjashëm brenda ushtrisë turke.

Pavarësisht mbështetjes së Rusisë për qeverinë turke pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik dhe bashkëpunimit të të dyja palëve në Siri, janë shumë pak gjëra që Rusia dhe Turqia mund të bëjnë për njëra-tjetrën përtej Sirisë dhe projekteve energjetike, turizmit dhe partnershipit tregtar.

Turqia e ka përdorur prej kohësh përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Rusinë si një manovër për të negociuar dhe arritur marrëveshje më të mira me Bashkimin Europian dhe për të përforcuar pozicionin e saj në NATO. Fokusi real i Turqisë ka qenë gjithnjë në këto dy institucione, pavarësisht asaj që zyrtarët turq thonë në tubimet publike.

Edhe pse kjo vrasje është një goditje domethënëse për marrëdhëniet turko-ruse pas rrëzimit të avionit rus, nuk ka gjasa që të përkeqësojë marrëdhëniet. Pohimet apo analogjitë nga Lufta e Parë Botërore me arkidukën Franc Ferdinand janë gjithashtu, pa vend.

Nëse do të ndodhë diçka, vrasja do të rrisë partneritetin e shërbimeve sekrete dhe atë të sigurisë mes dy vendeve. Megjithatë, incidenti zbeh aftësinë e Ankarasë për të bërë presion diplomatik ndaj Rusisë si për Halepin dhe evakuiimin atje, apo më pas, edhe në rolin e Iranit në Sirinë e pas-luftës.

Dhe së fundmi, vrasja hap më shumë kanale presioni për Moskën që ta detyrojë Ankaranë t’u japë fund çdo autorizimi apo lidhjesh autorizuese në Siri, duke e nxjerrë efektivisht Ankaranë nga Halepi, sot dhe më pas.

*Akin Unver është asistent- profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në universitetin “Kadir Has” në Stamboll. Pikëmpamjet e shprehura në artikull janë botuar në “Al Jazeera”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit