9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Netanyahu-Kushner: Të rifillojnë bisedimet mes Palestinës dhe Izraelit

Më të lexuarat

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë takimit shprehu mirënjohje të posaçme për presidentin e SHBA-së Donald Trump për mbështetjen ndaj Izraelit

 

KUDS (AA) – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe delegacioni amerikan i kryesuar nga Jared Kushner, dhëndërri i presidentit amerikan Donald Trump dhe këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, diskutuan rreth “Marrëveshjes së shekullit” të përgatitur nga SHBA-të për të rinisur negociatat e paqes midis Izraelit dhe Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Përmes një kumtese, qeveria bëri të ditur se përpos Netanyahut dhe Kushnerit, në takim të pranishëm ishin edhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, David Friedman dhe i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Jason Greenblatt.

Netanyahu gjatë takimit shprehu mirënjohje të posaçme për presidentin e SHBA-së Donald Trump për mbështetjen ndaj Izraelit.

Në takim përveç “Marrëveshjes së shekullit”, u diskutua gjithashtu edhe situata në Gaza.

Konsullata amerikane ka thënë se delegacioni amerikan nuk do të takohet me zyrtarë palestinezë.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas më herët pati deklaruar se SHBA-të kanë humbur rolin e tyre si ndërmjetës në negociata mes dy palëve pasi Trump në dhjetor 2017 solli vendimin për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit.

Kushner dhe Greenblatt kanë vizituar më parë Jordaninë, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Katarin për të diskutuar “Marrëveshjen e shekullit”.

Gazeta izraelite “Haaretz” këtë javë publikoi një shkrim ku thuhet se administrata e presidentit Trump do t’u kërkonte vendeve të Gjirit të investonin 1 miliard dollarë në Rripin e Gazës në mënyrë që të qetësonte situatën e sigurisë dhe të përgatiste terrenin para se të shpallte të ashtuquajturën “Marrëveshje të shekullit”.

Gazeta tha se ky propozim do të paraqitet gjatë bisedimeve të Kushner-it dhe Greenblatt-it me krerët e Katarit, Arabisë Saudite, Egjiptit, Jordanisë dhe Izraelit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit