8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nëse shoqëria nuk i pengon kriminelet, edhe vetë do të përfshihet në ndëshkim !

Më të lexuarat

Në tregimet për pejgamberët e Allahut ka shumë mësime, për ata që dinë të marrin mësim. Allahu i Lartësuar thotë: “Në tregimet e tyre (pejgamberëve) ka këshilla për ata që kanë mendje. Kurani nuk është tregim i trilluar…” (Jusuf, 111)

Mësimi që mund të nxirret nga ngjarjet e pejgamberit Salih (a.s.) dhe popullit të tij Themud, tek i cili mbizotëronte vulgariteti dhe imoraliteti, dhe të cilët të gjitha gjërat i rregullonin me pasionet e tyre, është ky: Populli që dorëzohet pas asaj që janë dhënë të prishurit dhe të pamoralshmit, edhe ai do të përfundojë ashtu siç përfundojnë ata!

Një grup i caktuar njerëzish të prishur, kishin planifikuar mbytjen e devesë, kurse më pas edhe mbytjen e Salihut (a.s.), por ata e realizuan vetëm gjysmën e planit të tyre. Pjesa tjetër e popullit, pas këtij krimi, nuk lëvizi as përpara as prapa. Ajo ishte një shoqëri negative, politikat dhe interesat e së cilës drejtoheshin nga një grup i vogël njerëzish të prishur, ndërsa shumica, u jepte pëlqim duke heshtur!

Negativiteti nuk është justifikim i një shoqërie! Shoqëria dhe bashkësia duhet ta luajnë rolin kryesor në anulimin e të prishurve dhe zullumqarëve, duhet t’i ndalojnë që të mos flasin në emër të asaj shoqërie, ose në emër të asaj bashkësie, ose që të pyeten për interesat e tyre jetike. Kur shoqëria të heq dorë nga ky rol – mos ta fajësojë askënd përveç vetvetes, atëherë kur ta përfshijë ndëshkimi i përgjithshëm dhe vuajtja e përgjithshme, siç e përfshiu popullin e Themudit!

Po pra! Kishte vetëm 9 (nëntë) njerëz të prishur nga populli Themud, kurse ai që i kryente krimet ishte vetëm një person! Ndërkaq, njerëzit tjerë shtireshin kinse nuk po vërenin asgjë tek ata të prishurit, duke i lejuar ata që të luajnë e të kënaqen, por edhe që të ndikojnë dukshëm në rrjedhën e ngjarjeve dhe në të ardhmen e tyre!

Ata kriminelë nuk e shkaktuan dënimin vetëm për veten e tyre! Dënimi qe i përgjithshëm, dhe i preku si pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë ashtu edhe pjesëmarrësit indirekt, të cilët patën qëndrim negativ. Shpëtoi vetëm ai që hipi në anijen, të cilën e ndërtoi Salihu (a.s.)!

Prandaj, në dispozitën e sheriatit për urdhëresën e së mirës dhe ndalimin nga e keqja, ruhet siguria e një shoqërie. Nga Zejneb bint Xhahsh (r.a.), transmetohet se me një rast, Pejgamberi (savs), kishte hyrë shumë i frikësuar, duke u dridhur, duke cituar:

“La ilahe il-lallah! Mjerë arabët nga e keqja që do të vijë! Sot, kalimi i Jexhuxhve dhe Mexhuxhve u hap për kaq shumë, dhe bëri një rreth me gishtin e madh dhe gishtin tregues.”  Zejneb bint Xhahsh (r.a.) i tha: ‘O i Dërguari i Allahut, a do të shkatërrohemi, derisa midis nesh ka njerëz të mirë!? Ai tha: “Po, atëherë kur neveria do të merr hov!” (Muttefekun alejhi)

Ebu Davudi (r.h.), ka regjistruar rastin, kur Ebu Bekri (r.a.), pas falënderimit dhe lavdërimit për Allahun e Madhërishëm, ka thënë: “O njerëz, po ju e lexoni këtë ajet kuranor, por po e vendosni aty ku nuk e ka vendin: “O besimtarë! Ruajuni! Kur të gjendeni në rrugën e vërtetë, nuk do t’ju dëmtojë ai që është i humbur.” (el-Maide, 105) Ne e kemi dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs) duke thënë: “Kur njerëzit ta shohin një zullumqar dhe nuk e pengojnë në atë që bën, dhe nuk e kapin për dore, dënimi i Allahut mund t’i prekë të gjithë!”

Amër ibn Hushejm (r.a.), ka thënë: “Edhe unë e kam dëgjuar Pejgamberin (savs), duke thënë: “Tek një popull në të cilin kryhen mëkate, dhe ata kanë mundësi ta pengojnë atë por nuk e bëjnë – Allahu i Plotfuqishëm do t’i përfshijë të gjithë me ndëshkim!”  (Sahih, Sunen Ebi Davud, nr. 4338.)

Abdullah ibn. Mesudi (r.a.), thotë se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Mangësia dhe e meta e parë e cila u shfaq te Benu-Israilët ishte, se kur një njeri i mirë takohej me një tjetër i cili bënte diçka që nuk lejohet – ai do t’i thoshte: ‘Ki frikë Allahun, dhe largohu nga ajo që je duke bërë!’ pastaj, kur do ta takonte atë të nesërmen nuk i pengonte atij që të hajë, të pijë dhe të ulet me të. Kur ata filluan të sillen në këtë mënyrë, Allahu i Plotfuqishëm ua kundërshtoi zemrat e tyre me njëri-tjetrin.”

Dhe pastaj lexoi: “U mallkuan ata nga bijtë e Israelit që ishin mohues, me gjuhën e Davudit dhe të Isait – të birit të Merjemes, për shkak se ishin të padëgjueshëm dhe ngase kishin kaluar kufirin: – njëri-tjetrin nuk e pengonin nga veprat e këqija që punonin. E, sa të shëmtuara ishin veprat që punonin ata! – Ti i sheh shumicën nga ata që miqësohen me mohuesit. Me të vërtetë, e shëmtuar është ajo që i përgatisin ata vetes: që Allahu të pezmatohet në ta dhe t’i dënojë përherë. – Sikur t’i besonin ata Allahut, Pejgamberit dhe asaj që i është shpallur atij, nuk do t’i merrnin ata (mohuesit) për miq. Por, shumica prej tyre janë mëkatarë.”  (el-Maide, 78-81)

– Dhe pastaj ai tha: “Kurrsesi! Pasha Allahun, ju duhet ta urdhëroni të mirën e ta shmangni të keqen, dhe ta kapni për dore zullumqarin dhe shtypësin, duke e detyruar me forcë në të vërtetën, përndryshe Allahu do t’i kthejë zemrat tuaja kundër njëri-tjetrit dhe do t’ju mallkojë, siç i ka mallkuar ata!” (Sunen, Ebi Davud, nr. 4336)

Pra, vetë shoqëria ka rol të madh në rregullimin e bashkësisë së saj, dhe sa herë që ajo këtë rol nuk e merr në mënyrën e duhur – vetë shoqëria do të shkatërrohet për shkak të veprimeve të individëve nga radhët e saj!

Me atë rast, shoqëria do të konsiderohet bashkë pjesëmarrëse në krim, pse nuk e ka penguar kriminelin për ta bërë krimin. Shoqëria duhet t’i ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe t’i merr në dorë të gjitha mjetet e nevojshme, për ta larguar imoralitetin dhe neverinë nga oborri i saj, në të kundërtën do të shkatërrohet kur neveritë dhe imoraliteti të marrin hov!

/Shejh Nasir el-Omer/

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit