11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nëse dëshironi të bëheni të njohur në qiej, bëni këto pesë gjëra!

Më të lexuarat

Shumë gjëra në këtë botë sillen rreth reputacionit.

Ky është qëllimi i shumicës në kohë të sodit, veçanërisht ata që janë të preokupuar me dynjanë, shkëlqimin dhe sfidat e saj. Popullariteti i njeriut dhe reputacioni i kësaj dynjaje është njësi matëse e cilësisë së njeriut, apo siç kanë thënë disa dijetarë në të kaluarën: “Ka shumë që janë të njohur në botë dhe të panjohur në qiej, dhe ka shumë që janë të panjohur në këtë botë, por janë të njohur në qiej.”

Një nga krijesat më të shumta të Allahut, numrin e të cilëve e di vetëm Allahu i Madhëruar, janë melekët. Për njeriun që njeh disa mijë njerëz, apo që ka disa qindra mijë ndjekës në rrjetet sociale thuhet që është me reputacion. Por, a është ky reputacion i vërtetë? Çfarë mendoni për njeriun i cili njeh disa qindra mijë melekë? Apo disa milionë apo miliardë melekë?!

Paramendoni, njeriun për të cilin Allahu i Madhëruar flet para melekve dhe mburret me të. Çfarë reputacioni ka ky? Keni parasysh që Allahu i Madhëruar mburret me këta njerëz para banorëve të qiejve:

  1. Ata që qëndrojnë në xhami midis akshamit dhe jacisë. Abdullah Ibën Amri r.a. thotë: “Një natë e falëm namazin e akshamit me të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, pastaj disa u larguan nga xhamia, ndërsa të tjerët qëndruan. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Gëzohuni, Allahu e hapi një prej dyerve të qiejve dhe mburret me ju para melekve, duke ju thënë: ‘Shikoni robërit e Mi, ata e kanë kryer një farz, tani e presin farzin tjetër.” (Ibn Maxhe dhe Ahmed, hadithi është sahih).
  2. Ata që tubohen për ta përmendur Allahun e Madhëruar. Ebu Se’id el-Hudri r.a. transmeton se Muaviu r.a., një herë erdhi në xhami dhe i takoi një grup njerëzish, dhe i pyeti: ‘Çfarë ju tuboi këtu?’ Iu përgjigjëm: U tubuam ta përmendim Allahun e Madhëruar. Pashë Allahun, nuk jeni tubuar për diçka tjetër? Pasha Allahun, për asgjë tjetër. Muaviu tha, nuk ju pyeta se dyshova diçka. Një herë erdhi i Dërguari i Allahut ndërsa një grup ishte tubuar, ai i pyeti: Përse jeni tubuar? I thanë, jemi tubuar për ta përmendur Allahun dhe ta falënderojmë që na udhëzoi në Islam. I Dërguari i Allahut tha: Pashë Allahun, nuk jeni tubuar për asgjë tjetër? Ata iu përgjigjën: Betohemi në Allah, nuk jemi tubuar për asgjë tjetër. Ndërsa i Dërguari i Allahut tha: Unë nuk ju betova sepse dyshoj, por Xhibrili erdhi dhe më njoftoi se Allahu i Madhëruar mburret me ju para melekve. (Muslim)
  3. Njeriu që e lë shtratin e tij dhe ngrihet për namaz. Në një hadith që e shënon Imam Ahmedi, thuhet se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë se: Allahu i Madhëruar i admiron dy persona, njëri prej tyre është ai që ngrihet nga shtrati i tij dhe e kryen namaz nate. Atëherë Allahu i Madhëruar u thotë melekve të Tij: O melek, shikoni robin Tim dhe dëshirën e tij për atë që gjendet tek Unë.
  4. Muezini i cili gjendet vetëm në fusha e kodrina dhe e këndon ezanin. Ukbe ibën Amiri r.a.  transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Allahu i Madhëruar e admiron bariun i cili i ruan delet nëpër kodrina, dhe e thërret ezanin për falje të namazit. Allahu i Madhëruar thotë: Robi im, e thërret ezanin dhe e kryen namazin duke m’u frikësuar Mua, prandaj e kam falur dhe e kam futur në Xhennet. (En-Nesai, hadithi është sahih)
  5. Allahu është krenar për haxhinjtë që qëndrojnë në Arafat. Në hadith e transmetuar nga Aisha, r.a., që e shënon Imam Muslimi, thuhet se i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem tha: Nuk ka asnjë ditë tjetër në të cilën Allahu i Madhërishëm çliron më shumë njerëz nga zjarri sesa dita e Arafatit. Atë ditë, Allahu afrohet, dhe pastaj krenohet me robërit e Tij para melekve dhe thotë: ‘Çfarë duan robërit e Mi?’

Në një hadith tjetër që e shënon Ebu Ja’la, qëndron: Në ditën e Arafatit, Allahu i Madhërishëm zbret në qiejt e tokës dhe thotë, krenohet para banorëve të qiejve me banorët e tokës dhe thotë: ‘Shikoni robërit e Mi, të rraskapitur dhe të pluhurosur kanë ardhur ta kryejnë haxhin, ata kanë ardhur nga pjesë të ndryshme duke e shpresuar mëshirën Time ndërsa as që e kanë parë dënimin Tim. Asnjë ditë nuk do të lirohen nga zjarri më shumë njerëz sesa në ditën e Arefatit.

Këta janë disa nga kategoritë e njerëzve të cilët janë të njohur në qiej, në mesin e të cilëve gjenden pleq e plaka; të varfër dhe të pasur; disa në syrin e njerëzve pa reputacion, mirëpo tek Allahu me reputacion shumë të madh.

Reputacioni i njeriut që ngritët të kryen dy rekate namaz nate, duke e lënë shtratin e butë dhe gjumin e këndshëm; reputacioni i njeriut i cili e kalon kohën në mes akshamit dhe jacisë në xhemat; reputacioni i njerëzve që tubohen për ta përmendur Allahun, nuk matet me ndjekësit e rrjeteve sociale, dhe as me numrin e pëlqimeve (likeve), apo me numrin e komenteve; ai matet me numrin e shumtë të melekve, me të cilët krenohet Allahu i Madhëruar para banorëve të qiejve.

Po qe se dëshiron të kesh reputacion tek banorët e qiejve dhe në mesin e melekve, radhite veten në njërën nga këto kategori.

Burimi: IslamBosna
Përktheu: Lutfi Muaremi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit