15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Neonazistët gjermanë takojnë Agimin e Artë

Më të lexuarat

Gazeta gjermane “Berliner Zeitung”, ka raportuar një incident të ndodhur në Parlamentin grek, ku javën e shkuar kanë qenë një grup neonazistësh gjermanë nga Bavaria. Sipas gazetës, “neonazistët gjermanë ishin mysafirët e Agimit të Artë dhe kanë hyrë në parlamentin grek si vizitorë”.
Gazeta zbuloi se menjëherë pas vizitës, neonazistët gjermanë postuan në faqen e tyre të internetit, fotot me kreun e Agimit të Artë, Nikos Mihaloliakos dhe me deputetin Ilias Kasidiaris, të cilat kanë shkaktuar reagime të mëdha në Greqi.

Bëhet fjalë për përfaqësues të neonazistëve të rrjetit “Freies Netz Süd” nga Bavaria, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë revista “Der Spiegel” njoftonte se neonazistët grekë dhe ata bavarezë, kanë lidhje dhe kontakte të ngushta mes tyre. Edhe ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herman paralajmëroi një dukuri të tillë.

“Jemi duke ndjekur nga afër lidhjet mes neonazistëve grekë dhe atyre bavarezë. Nuk duhet të lejojmë të krijohet një rrjet i ekstremit të djathtë”, tha ministri Herman, transmeton BalkanWeb.

Më herët u njoftua se një degë e Agimit të Artë është hapur në Nuremberg, gjë që është kundërshtuar me forcë nga komuniteti i grekëve në Gjermani.

I pyetur nga gazetarët, deputeti në foto, Ilia Kasidiaris pranoi se të premten, në datën 1 shkurt neonazistët gjermanë kanë qenë në zyrën e Agimit të Artë në parlamentin grek, pasi kërkuan një intervistë. Ai shpjegon se kërkesa e tyre u pranua siç bëhet me çdo grup të huaj, që është i interesuar të intervistojë përfaqësuesit e Agimit të Artë.

Sipas Kasidiarit, ky grup admironte grekët në Gjermani dhe u shpreh në mbështetje të pozitave greke në Qipro, Egje, për Zonat Ekonomike Ekskluzive greke dhe ishte kategorikisht kundër anëtarësimit të Turqisë në BE.

Reagim i menjëhershëm erdhi nga PASOK, që shprehet se fotot tregojnë një marrëdhënie të pamohueshme të Agimit të Artë me neonazistët gjermanë dhe rrezikun që i kanoset demokracisë greke dhe parlamentarizmit në vend. PASOK iu bën thirrje gjithë partive politike të harkut kushtetues të mos marrin iniciativa të përbashkëta me Agimin e Artë, për çështje që lidhen me punën legjislative dhe kontrollin parlamentar. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit