10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Nënë e shtatë fëmijëve, ajo bëri histori edhe në vitin 2013: Kush është Ursula von der Leyen, presidentja e re e Komisionit Evropian?

Më të lexuarat

Anëtarët e Parlamentit Evropian të martën zgjodhën Ursula von der Leyen të Gjermanisë si presidente të Komisionit Evropian – duke e bërë gruan e parë që mban pozicionin më të lartë të BE-së.

Por siç shkruan euronews, kjo nuk është hera e parë që ajo ka bërë histori: në vitin 2013 ajo u bë ministrja e parë e Mbrojtjes së Gjermanisë, një pozicion që ajo e ka mbajtur që atëherë.

Çfarë ka premtuar ajo?

Siç ishte raportuar, Von der Leyen, kandidate e Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë dhe një aleate e ngushtë e Kancelares Angela Merkel, do të jetë gjermanja e parë që do të udhëheqë bllokun në më shumë se gjysmë shekulli, që kur Walter Hallstein shërbeu nga viti 1958 deri më 1967.

Von der Leyen fitoi 383 vota në një votim të fshehtë, pak më shumë se shumica prej 374, që kërkohej për tu zgjedhur.

Ajo thuhet se kishte mbështetjen e deklaruar të tre grupeve kryesore, pro-BE-së. Ndërsa Grupi i të Gjelbërve, si dhe grupet e krahut të djathtë dhe të krahut të majtë, kishin njoftuar më parë synimin e tyre për të votuar kundër saj.

Pavarësisht nga rezultati në Bruksel, ajo ishte paralajmëruar se të mërkurën do të tërhiqet nga posti i ministres se mbrojtjes së Gjermanisë.

Me premtime të reja për temat si mbrojtja e klimës dhe të drejtat parlamentare Ursula von der Leyen kërkoi mbështetje për zgjedhjen si presidente e Komisionit të BE-së.

Duke iu referuar kërkesave të socialdemokratëve, politikania e CDU-së premtoi se dëshiron të arrijë vendosjen e kritereve ligjore për pagën minimale në mbarë BE-në, dhe të avancojë luftën kundër papunësisë tek të rinjtë.

Lidhur me politikën e refugjatëve, diplomatja gjermane shpreson tek një mekanizëm i ri për ndarjen e barrës mes vendeve anëtare.

Ndërsa lidhur me Brexit, Von der Leyen përsëriti qëndrimin që ajo shprehu të hënën, duke thënë se a do të mbështeste zgjatjen e mëtejshme të negociatave.

Por kush është shefja e re e Komisionit Evropian?

Tanimë 60-vjeçarja, e lindur në Bruksel, ka qenë një aleat i ngushtë i Angela Merkel për disa vjet dhe një herë ishte menduar se do të ishte pasardhësja e kancelares gjermane.

Megjithëse hyri në politikë më vonë në jetë, von der Leyen nuk kishte pak njohuri për politikën.

Babai i saj, Ernst Albrecht, ishte ministër-presidenti i Saksonisë së Ulët dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian, mes posteve të tjera.

Në moshën 13-vjeçare, von der Leyen u shpërngul nga Brukseli në Gjermani me familjen e saj.

Ajo vazhdoi të studionte ekonominë në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe më vonë mjekësinë me një specializim në Gjinekologji në Hanover.

Gruaja që si gjuhë amtare flet gjuhën franceze dhe atë gjermane ka shtatë fëmijë – relativisht gjë e rrallë në Gjermani, ku lindshmëria mesatare është 1.59 fëmijë për grua.

Von der Leyen hyri në politikë në moshën 43 vjeçare dhe ka qenë anëtare e partisë konservatore të Kristian Demokratëve të Merkel (CDU) që prej asaj kohe.

Ajo mbajti pozicione të ndryshme politike brenda rajonit të Hanoverit midis viteve 2001 dhe 2004, më pas u zgjodh në parlamentin e shtetit të Saksonisë së Ulët në vitin 2003, përpara se të bëhej anëtare e kabinetit si ministre për çështjet sociale, gratë, çështjet e familjes dhe shëndetin.

Von der Leyen u katapultua në peizazhin politik gjerman në vitin 2005, kur Merkel emëroi ministren e saj federale për çështjet e familjes, të moshuarit, gratë dhe të rinjtë. Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh në Bundestag. Ajo ishte ministre federale e punës dhe çështjeve sociale deri në vitin 2013.

Megjithatë, gjatë karrierës së saj, ajo u përball edhe me situata jo të lehta.

Qëndrimi i saj si ministre e Mbrojtjes thuhet se e pa departamentin e saj të mbrojtjes të jetë akuzuar për dhënien e kontratave të dyshimta private lidhur me punësimin e dy firmave konsulente, McKinsey dhe Accenture.

Ajo më vonë tha se janë bërë disa gabime në ndarjen e kontratave dhe se ajo do të përpiqet ta parandalojë atë që të ndodhë përsëri përmes një sërë masash të reja.

Gjithashtu, edhe në vitin 2015, ajo u akuzua – dhe më vonë u pastrua – nga akuzat për plagjiaturë në tezën e doktoraturës. /tg

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit