8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Në zemër të Spanjës katolike: europianët që zgjodhën Islamin mistik dhe “turizmin hallall”

Më të lexuarat

“Emri im”, thotë zonja, mbështjellë nga shamia e kokës deri tek sandalet me nuanca të rozës dhe vjollcës, “është Bahia, që do të thotë “oqean bukurie dhe dhembshurie” në arabisht. Mirë se erdhët në shkollën time!”.

Shtrohet çaji, vijnë ëmbëlsirat dhe  është e vështirë t’i rezistosh bukurisë së të ulurit në hijen e një ulliri më shumë se 100-vjeçar në kopshtin e pasëm të shkollës së saj Montessori, për të folur për sufizmin, degën mistike të Islamit. Por nuk jemi në një vend musliman – jemi në jug të Spanjës katolike.orgiva

Órgiva ndodhet afërsisht 60 kilometra në juglindje të Granadës, ngecur në rajonin malor të Alpujarras, një vend i jashtëzakonshëm. Popullsia e vogël e qytetit është vetëm 6 mijë banorë – por habitshëm në këtë numër përfshihen 68 kombësi, sikundër edhe një komunitet budist, O.Sel.Ling si dhe një kamp me tenda të shpërndara të njerëzve ylber (grup i përkushtuar ndaj parimeve të mospërdorimit të dhunës dhe egalitarizmit) që quhet Beneficio.

Komuniteti më i madh mes këtyre maleve të egra është komuniteti i 35 familjeve sufiste që janë konvertuar nga katolicizmi dhe janë vendosur këtu.

Pavarësisht se Spanja është shtëpi për shumë emigrantë afrikanoveriorë, spanjollët e konvertuar në Islam, sidomos në urdhërin e sufizmit, janë shumë të rrallë. Gjithkush do dëshironte të dinte se çfarë i ka motivuar ata të konvertohen dhe përse kanë zgjedhur këtë pjesë të izoluar të Andaluzisë për të jetuar.

Bahia, e cila ka lindur si Maria Jose Villa Cascos, shpjegon se ajo vjen nga Sevilja, rreth 320 kilometra në perëndim të Órgivas, ku më pas studioi ligjet dhe punoi në Madrid si avokate.orgiva-1

“Kërkimi im për rrugën e duhur të jetesës në fakt nisi që në kolegjin katolik që unë ndoqa në Sevilje”, thotë ajo. “M’u deshëm vite të tëra studimi, hulumtimi, dyshimesh dhe eksperimentesh deri sa më në fund ndesha me filozofinë dhe mësimet e sufizmit. Rruga e jetës në sufizëm, mësimet për tolerancën, kuptueshmëria e gjerë, dashuria pa kushte për njerëzimin dhe refuzimi total i dhunës, më bënë të konvertohesha. Ne përqëndrohemi në thjeshtësinë e jetës, duke u dhënë vlerë gjërave shpirtërore ndaj atyre materiale. Kjo është gjithashtu një nga arsyet përse u ktheva nga një avokate në një mësuese fëmijësh”.

Ajo shpjegon se Umar, që u caktua emiri i urdhërit në vitet 1970, ndodhi të jetonte në Órgiva përpara se të konvertohej. Përgjatë viteve, u konvertuan edhe të tjerë dhe u mblodhën këtu, ashtu si edhe Bahia që mori përsipër të drejtonte shkollën kur doli kjo mundësi.

Por sufistët e Órgivas nuk janë të prapambetur. Ata përdorin celularët, internetin dhe Instagramin. Ata zhvillojnë biznese, si Bahia me shkollën e saj Montessori, ndërsa bashkëshorti i saj ka një dyqan pajisjesh elektrike. Të tjerët punojnë tokën dhe shesin produktet. Por gjithë jetët e tyre janë të dominuara nga besimi.orgiva-2

E vetmja gjë që i bën të ndryshëm është veshja e tyre dalluese: burrat veshin pantallona të varura dhe këmisha të gjera, ndërsa gratë mbajnë shami,  rroba me mëngë të gjata dhe funde deri tek kyçet e këmbëve.

Por me frikën e shtuar të sulmeve terroriste në Spanjë dhe me njerëzit që ndonjëherë e lidhin Islamin me xhihadistët dhe radikalizimin, si ka qenë reagimi ndaj tyre?

“Këtu në Órgiva, askush nuk na sheh shtrembër, pasi jemi një komunitet goxha i madh. Në vende të tjera njerëzit mund të më vëzhgojnë për mënyrën sesi jam veshur dhe mund të mendojnë se jam aliene, por …”, ngre super ajo.

Më shumë sesa të shqetësohet nga vështrimet dhe komentet e pëshpëritura, Bahia fokusohet në predikimin e tolerancës, dashurisë dhe mirëkuptimit.

“Në kohët e vështira në të cilat jetojmë, njerëzit kanë një pikëpamje të njëanshme për Islamin. Bombat dhe sulmet terroriste zënë titujt kryesorë, veprat e mira jo. Kjo mungesë balance ka nevojë të adresohet dhe njerëzit duhet të kuptojnë se Islami dhe sufizmi në veçanti duan të thonë paqe dhe përkushtim të plotë ndaj Allahut, i cili është anija që na ndihmon ne të kalojnë oqeanin e jetës”, thotë ajo.

Për të zbuluar më shumë, ka edhe persona të tjerë që dëshirojnë të flasin. Ndër ta është pronari i dhomës së çajit dhe restorantit “Baraka”, një sufi tjetër, Pedro Barrio, tashmë i quajtur Qazim.

Me prejardhje nga një familje katolike në Bilbao, ku drejtonte restorantin e familjes, ai ka qenë gjithnjë në kërkim të drejtimit shpirtëror duke nisur nga një moshë e njomë.orgiva-4

“Eksperimentova me shumë gjëra”, thotë ai. “Për pak kohë, madje, praktikova budizmin, dhe më pas u interesova për shamanizmin, psikoterapinë dhe vivacionin, që është një teknikë frymëzimi.

Përmes një miku, u njoha me sufizmin. Kur zbulova mësimet dhe zbulova se Jezusi është një profet në Islam, u ndjeva se kisha mbërritur në shtëpi. Çdo gjë ishte familjare për mua dhe unë e dita se ky ishte besimi që doja të ndiqja, kështu vendosa të konvertohem. Më jep paqe dhe qëllim në jetë”.

Po si ka reaguar familja e tij.

“Jo edhe aq mirë. Nëna ime ishte më mirëkuptuese, por babai im u zemërua. Kishte gjithashtu një problem edhe me restorantin, pasi unë falesha në xhami, e më pas duhet të kthehesha në restorant dhe të shërbeja për klientët alkool dhe proshutë. Nuk mund ta vazhdoja në atë mënyrë”, thotë ai. “Fati më shpëtoi. Një besimtar sufi në Órgiva donte të shiste një restorant të vogël me menu islame, por unë i nuk kisha paratë. Ai më kontaktoi dhe derisa mblodha fondet, u bëra së pari një partner në hije e tani jam pronari i vetëm”.

“Baraka”, që frekuentohet njëlloj nga besimtarët sufi, njerëzia e Moshës së Re, turistë apo banorë vendas, nuk shërben alkool apo mish derri, por ndërkaq, është tërësisht vegjetarian. Çdo gjë gatuhet si në shtëpi dhe është organike.

Të ulesh në tarracën e “Barakës” mund të jetë një mësim i vërtetë për atë sesi kombësi, ideologji dhe besime të ndryshme mund të bashkëveprojnë paqësisht. Stile flokësh të ngatërruar dhe shami koke – madje me raste edhe rroba portokalli e ndonjë murgu budist – janë të dukshme. Mund të dëgjosh anglisht, frëngjisht, gjermanisht, arabisht dhe me raste, edhe spanjisht gjithashtu.

A flasin ata arabisht. Qazimi buzëqesh: “Ne i themi lutjet në arabisht por vetëm kaq është dijenia ime për gjuhën”.orgiva-3

Pavarësisht se restoranti e mban shumë të zënë me punë, Qazimi mund të të tregojë vendin e faljeve, ku netët e të enjteve, komuniteti shënon dhikr, nderimin ndaj Allahut dhe hadra, një meditim. Në ditën e shenjtë të së premtes ka më shumë falje dhe një vakt të përbashkët.

Vendi i lutjeve ishte i thjeshtë, fshehur mes ullinjve dhe portokajve, rreth 2 kilometra nga qyteti. Aty ka një dhomë të vogël faljeje, një kuzhinë dhe tre dhoma miqsh, spartane në të parë, që rezervohen për të ftuarit. Fëmijët luajnë ndërsa gratë përgatisin ushqim për një grup vizitorësh.

“Këta janë njerëz nga Maroku dhe vende të tjera muslimane që nisen në këtë udhëtim në atë që quhet “turizëm hallall” e ku vizitojnë komunitete muslimane në vende të tjera. Po shndërrohet shpejt në një aktivitet popullor”, shpjegon Qazimi.

Ai bie dakord me Bahian për nevojën e shpërndarjes së mesazhit të paqes, dashurisë dhe mirëkuptimit në botën jo-muslimane.

“Përveçse jetojmë në atë që besojmë, ne mirëpresim vizitorë që mund t’i rrëfejnë botës për ne”, thotë ai.

Përpara se të urojë rrugë të mbarë ai shton: “Ndoshta një ditë mund të jetojmë të gjithë në paqe, inshallah.”

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit