15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Në shërbim të Islamit

Më të lexuarat

Islami! Njëra ndër fetë më të mëdha botërore. Numri i ithtarëve të kësaj feje sillet rreth 1.3 miliard njerëz. Islami! Fe, e cila rregullon të gjitha çështjet e jetës së njerëzve dhe që paraqet mënyrën më të favorshme të jetës së njerëzve. Natyrisht, mënyrën më të favorshme të jetës së njerëzve, ngase muslimanët adhurojnë Zotin Një dhe të Vetëm, i Cili na ka krijuar të gjithë neve. Pra, a nuk meriton Ai që të adhurohet? Allahu i Lartësuar, kur tregon për diskutimin në mes profetit Musa, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe Faraonit të Egjiptit, thotë:

(Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”

(Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën

e vet e pastaj e ka udhëzuar”.

(Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm”?

(Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në

Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!”

Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, meqëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme.

Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.

Ne ju kemi krijuar prej tokës, aty do t’ju kthejmë dhe nga ajo do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër. (Ta ha: 49-55)

Këtë mund t’jua sqaroj më mirë me një shembull të thjeshtë: Po qe se ndokush nga ne blen një makinë, por nuk e njeh atë, e lexon udhëzimin e përdorimit dhe pyet prodhuesin mbi përdorimin e duhur dhe mënyrën e funksionimit të kësaj makine. Mu kështu është edhe me njeriun. Allahu krijoi njeriun dhe ia dha atij udhëzimin, përkatësisht Islamin. Islami! Ai nuk është ashtu siç mendojnë shumë njerëz: muslimanë, të cilët i shtypin gratë dhe të cilët përhapin frikë dhe terror ndër njerëz. Islami është më madhështor, më i përkryer dhe më i drejtë sesa që mendojnë disa njerëz. Islami na udhëzon se si të sillemi me bashkëshortin apo bashkëshorten, na udhëzon se si të sillemi me fëmijë, me njerëz të moshuar, me armiq, me miq, me kryesit e veprave penale, me kafshë, me bimë, me ambientin e kështu me radhë. Islami nuk është petk, të cilin njeriu e vesh vetëm në xhami, i kryen lutjet e tij dhe pastaj e heq atë dhe mandej të humbas i hutuar dhe pa kurrfarë qëllimi nëpër botë, duke pritur vdekjen, e cila padyshim do ta takojë gjithsecilin; shumë më shumë Islami është fe dhe shoqëri, shkencë dhe politikë, paqe dhe luftë. Islami! Ajo është fe e cila ua sjell njerëzve qëllimin e vërtetë të jetës. Islami! Sistemi më i suksesshëm në histori, që ka ngadhënjyer kriminalitetin dhe varësinë nga droga dhe alkooli dhe para së gjithash epidemitë si sida, shkaku kryesor i së cilës është amoraliteti ndër njerëz. Nëse vështrohen vendet e ashtuquajtura islame të ditëve tona, atëherë mund të vërehet qartë që në shtetet ku jetojnë shumë muslimanë praktikues të Islamit, nuk ka pothuajse kurrfarë kriminaliteti dhe problemesh nga droga dhe alkooli siç ka në Perëndim. Ky është një fakt i qartë dhe të cilin askush nuk mund ta mohojë. Nëse hedhim një vështrim prapa në histori, mund të vërehet qartë se si vërshonin përpara muslimanët kur ende mbaheshin për fenë e tyre. Allahu u dha atyre tërë fuqinë e botës. Muslimanët ishin të parët, të cilët u morën me kimi, mjekësi dhe me shkencë në një kohë kur në Evropë dijetarët dhe shkencëtarët konsideroheshin si heretikë dhe satanistë, madje evropianët i digjnin dijetarët dhe shkencëtarët pa mëshirë… Po qe se vështrohet prapa në histori mund të vërehet qartë se Islami ia dha gruas të drejtat e saj kur shumë gra këtu në Evropë edhe më tej digjeshin sikur të ishin shtriga! Para se të shfaqej Islami nëpërmjet Muhammedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, në siujdhesën arabike vajzat varroseshin për së gjalli! Kur erdhi Islami qysh në fillim i ndaloi këto gjëra të tmerrshme. Gruaja në Islam është margaritari i shoqërisë, e cila duhet të jetë e mbrojtur, është gjysma e kombit, shkolla e gjeneratave të ardhshme. Në Islam gruaja merr të drejtat e saj. Në Islam nuk është sikurse në Perëndim që gruaja të shitet copë-copë si mall apo si objekt për shfryrjen e epshit. Nëse vështrohet prapa në histori mund të vërehet qartë se Islami ishte i pari që toleroi anëtarët e feve tjera, u garantoi atyre mbrojtje dhe siguri. Në qoftë se krahasohet në historinë e Endelusit (Spanja gjatë kohës kur sundohej nga muslimanët) sundimi islam me sundimin e mëvonshëm të të krishterëve gjen një ndryshim të qartë ndërmjet tyre, të cilët sot përpiqen t’i njollosin Islamin dhe udhëheqësit e atëhershëm muslimanë si jotolerantë. Në Endelus nuk kishte asnjë masakër nga muslimanët dhe asnjëherë nuk u keqtrajtuan njerëzit për shkak të fesë së tyre. Çifutët dhe të krishterët jetonin më të sigurt nën sundimin islam sesa në Evropën Perëndimore dikur. Por, kur muslimanët u dobësuan në fenë e tyre dhe u larguan nga rregullat dhe ligjet e kësaj feje madhështore, i dënoi Allahu përmes armiqve, të cilët pastaj përmes brutalitetit, masakrave dhe orientimeve të masës përfunduan sundimin e muslimanëve e me këtë edhe sigurinë e ithtarëve të feve tjera që jetonin aty. Lidhur me këtë ka shembuj të panumërt në histori. Pas gjithë kësaj nuk guxon të mashtrohesh dhe të lejosh të të tradhtojnë të tjerët. Në qoftë se dikush dëshiron të mësojë për Islamin do të duhej të kërkonte informata nga dora e parë dhe të mos lejojë që të mësohet nga ata, zemrat e të cilëve paragjykojnë me urrejtje dhe që ndoshta po ashtu i kanë të mbushura me zili ndaj muslimanëve. Ai që dëshiron të blejë sheqer nuk shkon tek ai që shet vetëm kripë…

Almiqdaam

Nga gjermanishtja: Jusuf Kastrati

shembulli.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit