Në Prishtinën e vjetër zbulohet edhe një bazament i gurit

0
40

Një bazament që mendohet se mund të jetë i një objekti gjigant është zbuluar të dielën, teksa po kryheshin ndërtimet për sheshin “Ibrahim Rugova” në kryeqytet. Ai është vetëm pak metra larg çezmës mesjetare, që u zbulua aty një ditë më parë. Arkeologët kanë bërë pastrimin e gurëve, ndërsa në ditët në vazhdim pritet të bëhen analiza e hulumtime më të detajuara se çka përfaqëson ky themel. Fotografitë e vjetra të kryeqytetit tregojnë se aty ka qenë e vendosur xhamia e Llukaqit, e ndërtuar në shekullin XVI.

Prijës të Institutit Arkeologjik dhe ata të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, që bashkë po gërmojnë në bërthamën e Prishtinës së vjetër, kanë qëndrime të ndara se çka mund të jetë ky themel.

Haxhi Mehmetaj, drejtor i IMMMRP-së, ka thënë se sigurisht ky është bazament i një objekti goxha të madh. Madje, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që i njëjti t’i takojë periudhës së mesjetës.

Por arkeologu Enver Rexhaj, drejtor i Institutit Arkeologjik, nuk mendon kështu. Ai thotë se gjetja e re është një strukturë klasike, së cilës i janë bërë skica me të gjitha parametrat e saj. Ka bindjen se si e tillë kjo strukturë nuk ka kurrfarë vlere kulturore./koha/kohaislame