7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Në kujtim të Paçakut dhe Vokrrit

Më të lexuarat

Shpëtim Selmani

***
Përfundimisht në këtë vend kaq të vogël problematik, vetëm personalitetet politike janë të padenjë për t’i ndjekur, të pavirtytshëm për t’i marrë shembull dhe për mendjet e shëndosha janë qeniet më të palavdishme në këtë epokë e cila deshëm apo jo, është e tyrja, është kryekëput kohë e tyre dhe sado që mund të çmendemi e të shkulim flokët nga hidhërimi ne duhet ta ulim kokën dhe ta pranojmë këtë të vërtetë makabre sepse nuk kemi arritur ta ndryshojmë. Arsyet e kësaj paaftësie janë të shumta dhe kanë lëshuar rrënjë qysh në fillim të rrugës sonë për të qenë të lirë. Kush e ka menduar se një ditë do të kërkojmë të çlirohemi nga pesha e ashpër e të qenit të lirë. Pra, për më shumë se kaq përveç që janë lehtësisht të klasifikueshëm si të ligë, duke parë vetëm bythën e tyre ata janë edhe përçarësit më të mëdhenj. Janë manipuluesit më të mëdhenj dhe strategët më të korruptueshëm të mendjeve të njerëzve të thjeshtë. Të popullit. A është kjo meritë e tyre dhe budallallëk nga ana jonë? Këtë përpiqem ende ta kuptoj dhe për më shumë se kaq, t’ja shpjegoj vetes. Në mënyrë që mbase edhe ta përgënjeshtroj.

Politikanët tanë janë përgjegjësit kryesorë të asaj se çfarë përjeton sot shoqëria jonë. Janë përgjegjës për gjuhën e urrjetjes ndër nesh sepse ata e legjitimuan insitucionalisht këtë gjuhë. Janë përgjegjesit e inatit ndër nesh sepse ata e fuqizuan në mënyrë sistematike. Janë përgjegjës për mungesën e së vërtetës ndër nesh sepse e shtrembëruan ashtu sikurse ia donte qejfi. Janë përgjegjës për situatën e brishtë morale ndër nesh sepse ata e kërleshën fytyrën e ndershme njerëzore. Janë përgjegjës për mungesën e respektit ndër nesh sepse e kontaminuan edukatën. Janë përgjegjës për shkëlqimin e pacenueshem të hipokrizisë ndër nesh sepse e bënë stil jetese. Janë përgjegjës për trupin e vdekur të së mirës sepse ata e vranë dhe e hodhën si ca barbarë shpirtngushtë në njërën prej rrugëve tona. Mbi të gjitha janë përgjegjës për ligjin e shkelur të dashurisë ndaj vendit. Duke qenë thellësisht të zhytur në përparimin e lakmive të tyre të pafundme ata zhyten më shumë në lojën e cila i ngjan një fushe të një shkolle fillore ku ca kalamaj bëjnë zhurmë, shahen, grushtohen dhe ikin nëpër shtëpitë e tyre të gëvishtur në fytyrë.

Gjithnjë duke përpiluar plane hakmarrëse. Pra politikanët tanë, deputetët tanë, kryetarët e komunave tona, ata që na përfaqësojë, me ca përjashtime gati të pavërejtshme, mund të jenë kryekëput vetëm shembuj të përkryer të asaj se çfarë nuk duhet të jemi dhe çfarë nuk duhet të synojmë të bëhemi. Si të tillë. Duhet të mos i honepsim. Të mos merremi me ta dhe të mos lejojmë të na udhëheqin.

Ata kanë dështuar të na udhëheqin, kanë dështuar të jenë prijës, kanë dështuar pa përjashtim të mbajnë pishtarin e njerëzillëkut. Ata sall kanë gënjyer dhe më shumë se për ne janë kujdesur për veten e tyre dhe rrjedhimisht përkrahësit e tyre, rrethet e tyra të ngushta, klanet e tyre besnike sepse thellë në ta nuk ekziston përkatësia ndaj komunitetit, përkatësia ndaj të tjerëve, pa përjashtim. Si të tillë duhet të mos i durojmë. Si të tillë duhet t’i ndëshkojmë. E mbi të gjitha, si të tillë, duhet t’i gjykojmë përgjithmonë.

***
Dhe ironikisht në mesin tonë predikuesit më të mëdhenj të së drejtës janë ata që i kanë punët mirë e nuk kanë asnjë hall. Predikuesit më të mëdhenj të revolucioneve janë ata që i kanë punët mirë me ata që udhëheqin. Predikuesit më të mëdhenj të ndryshimeve në të mirë të shoqërisë, janë ata që ndihen mirë në këtë krizë. Predikuesit më të mëdhenj kundër varfërisë, janë pasanikët. Predikuesit më të mëdhenj për fjalën e lirë, janë ata që nuk cenohen. Antikonformistët më të mëdhenj janë ata që bëjnë kompromise bash me çdo gjë. Ata që hedhin zjarr nga goja, janë ata që ikin me bisht ndër shalë.

Intelegjentët janë budallenj dhe budallenjtë janë intelektualë. Prandaj është e zorshme e mbase tejet e vështirë për të gjetur rrugën e dritës. Drejtë vetes sonë mbi të gjitha. Sepse e kemi mëse të nevojshme, mbi të gjitha, e kemi të pashmangshme. Herët ose vonë do të arrijmë tek kjo pyetje. Kush jemi? Kah dreqin po shkojmë? Dhe kush në dreq po na shqetëson kaq shumë në shtëpinë tonë të vogël? Krejt të padukshme në lagjen e tendosur evropiane dhe në këtë qytet global të errët, me shumë pikëpyetje.

***
Megjithatë që të mos jemi krejt të pashpresë, që të mos jemi kaq pariparueshem pesimist, kaq të ashpër me veten tonë, të hedhim sy e të vrojtojmë kujdesshëm. Mbase e meritojmë të luftojmë për mbijetesën e së mirës.

Janë dy ngjarje që për mua thonë më shumë se çdo gjë mbi atë që kanë bërë politikanët tanë. Reagimi njerëzor i poetit tonë të ndjerë Kujtim Paçaku ndaj gjuhës së turpshme, gjuhës së ulët, gjuhës raciste në Kuvend dhe angazhimi i z.Fadil Vokrri për futbollin vendor. E mbase mund të jem i gabueshëm në këtë selektim kaq të ngushtë por e drejta ime per të gabuar është njëra ndër parimet e lirisë që zotëroj. Zoti e bekoftë atë që e meriton. Dhe i bekoftë të bëmat e tyre. Që përkundër errësirës na japin dritë. Kaq e duhur për vogëlsinë dhe mjerimin tonë. Që kullon ende ndër ditë e netë. Zoti i bekoftë, veprat e tyre. Këta ujitës të bimës, që po thahet. Bimës së shpresës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit