15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Ne jemi Al Nur dhe Linvud. A jeni edhe ju ?

Më të lexuarat

Ne jemi Al Nur dhe Linvud. A jeni edhe ju ?

Po, unë jam Al Nur dhe Linvud sikur të gjithë besimtarët muslimanë. Jemi, sepse kemi qenë edhe me Stambollin, Parisin.Londrën,Brukselin, Kvebekun. Po ju që ishit Charlie Hebdo, a jeni edhe Al Nur dhe Linvud ? Apo ndoshta mendoni se nuk mundë të tërheqet shenjë barazimi mes këtyre ngjarjeve ?

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Mbeta i shokuar nga sulmi terrorist ndaj xhematit të xhamive Al Nur dhe Linvud në Zelandë. Ekzekutimi i besimtarëve të cilin vrasësi e transmetoi live e që tmeroi botën, për mua është pamja më e rëndë dhe më e shëmtuar që e kam parë ndonjëherë sepse e zhveshi tërësisht bestialitetin që nundë të fshehet te njeriu. Dhe, kjo masakër përfundimisht dëshmoi se islamofobia është strofulli në të cilin kërkojnë strehim psikopatë e monstra të çiftit të Brenton Tarant që vrau fëmijë,gra e burra vetëm pse janë muslimanë. Pas këtij rasti dhe pas nëntëdhjetë njërëzve që i likuidoi Anders Bervik para disa vitesh,pas sulmit mbi besimtarët muslimanë në xhaminë e Kvebekut, a mundë dikush të vazhdojë me avazin e vjetër se “muslimanët janë vrasës kurse të krishterët janë engjuj” ?

Nuk përshkruhet dhembja që ka kapluar shpirtin e çdo muslimani pas kësaj që ndodhi në Zelandën e Re, por unë sinqerisht besoj se nga ky rast janë të trishtuar edhe jomuslimanët, të gjithë ata të cilët janë të vetëdijshëm se aktet e këtilla janë elementi që nxitë reciklimin e përshpejtuar të dhunës, të hakmarjes, të vrasjeve të pakuptimta.

Sidoqoftë, plagët e Zelandës do mbeten dhe do kullojnë edhe gjatë në memorien e çdo njeriu, në veçanti të familiarve të viktimave që gjetën vdekjen tek po i luteshin Zotit. Ata janë shehidë të vërtetë, pa asnjë dyshim. Por çfarë jemi ne që mbetëm e që duhet të kërkojmë e të gjejmë mënyra për të ndërprerë qarkun vicioz që po e krijojnë njerëz të ushqyer me urrejtje? Shpresoj të mos jemi vetëm soditës që do numërojmë viktimat e sulmeve teroriste, nuk do bjerim kohën duke e mbajtur anën e “teroristëve tanë” dhe duke sharë “teroristët e tyre”.

Poashtu shpresoj se njerëzit e llojit të atij senatori të Zelandës së Re që deklaroi se “muslimanët janë fajtorë për këtë masakër sepse feja e tyre primitive që i ngjanë fashizmit po prodhon dhunë gjithkund nëpër botë…”, do mbeten të vetmuar e do konsiderohen si jashtëqitje e njerëzimit dhe civilizimit.

Po, unë jam Al Nur dhe Linvud sikur të gjithë besimtarët muslimanë. Jemi sepse kemi qenë edhe me Stambollin, Parisin.Londrën,Brukselin. Po ju që ishit Charlie Hebdo, a jeni edhe Al Nur dhe Linvud ? Apo ndoshta mendoni se nuk mundë të tërheqet shenjë barazimi mes këtyre ngjarjeve ?

Po e shtroj këtë pyetje sepse kam frikë që spiralja e dhunës nuk përfundon në Zelandë, kam frikë se ajo masakër vetëm do nxitë të tjera masakra, të tjerë njerëz të pafajshëm do vdesin. Kam frikë se njerëzimi nuk po mundet të kuptojë se duke arsyetuar një akt terrorist ndërkohë që e gjykon tjetrin, në fakt po e rezikon paqen,mirëkuptimin dhe tolerancën si garantues të progresit të përgjithshëm.Dhe, kam frikë se njerëzit nuk po e kuptojnë sa duhet rrezikun e shpërthimit të islamofobisë që gjithnjë e më shumë po stoliset me elemente të krishterizmit. Pas Zelandës së Re, asgjë më nuk do jetë sikur përpara sepse njerëzit mundë të thonë se krahas “terorismit islamik” ja që ekzistuaka edhe “terorizmi i krishterë”.

Pra, nëse të gjithë nuk jemi Al Nur dhe Linvud, do nisemi rrugës së legjitimimit të dhunës e terorit, për më keq do lejojmë që njerëz të paudhë të identifikojnë aktet e tyre të çmendura me fetë, me Zotin, me Kur’anin e me Biblën. Dhe, atëherë mundë të ndodhë katrahura. Andaj, le të bëhemi të gjithë Al Nur dhe Linvud, drita e njerëzimit le të davarisë erësirën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit