Në Ferizaj nis fushata elektorale

0
46

Prej sot nis zyrtarisht fushata pesëditore parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj, për postin e kryetarit të komunës. Për këtë garë kandidaturën e tyre e kanë ofruar shtatë përfaqësues të subjekteve politike dhe një kandidatë e pavarur.


Agim Aliu (PDK), Adem Salihaj (LDK), Faton Topalli (LVV), Ramadan Hasani (AKR), Naim Ferati (AAK), Bujar Ademi (PD) , Ramadan Emini(LB) dhe Rrahim Sadiku , kandidat i pavarur, do të garojnë për të fituar postin e njeriut të parë në Ferizaj.
Në këto zgjedhje me një optimizëm të shtuar, garës për kryetar të Ferizajt, i ka hyrë edhe koalicioni LDK-LDD, i cili synon që në këto zgjedhje të rikthej frymën e qeverisjes gjashtë vjeçare, e njohur për qytetarin ferizajas. Shefi i shtabit të LDK-së, Medain Hashani, periudhën para fushatës e ka vlerësuar si një fazë në të cilën anëtarësia e këtij subjekti është mobilizuar si kurrë më parë për fitore. Hashani, ka thënë se edhe ky subjekt do të nisë fushatën nesër me një tubim, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të ketë aktivitete të ndryshme elektorale.
Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega e Ferizajt, kanë thënë se përgatitjet për fushatën zgjedhore tashmë ndodhën në fazën përfundimtare, ndërsa që nga nesër edhe do të nisë turri elektoral i kandidatit të tyre. Hajdin Abazi, zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së, ecurinë përgatitore e ka vlerësuar si të mirë, duke përmendur edhe mobilizimin e aktivistëve. “PDK-ja nesër do ta hapë fushatën me një tubim madhështor, ndërsa gjatë këtyre ditëve do të ketë takime me simpatizantë e qytetarë, ku do të shpaloset edhe programi zgjedhor”, ka thënë Abazi.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtyre ditëve ka pasur një agjendë të ngjeshur të aktiviteteve, ku është vërejtur një mobilizim i shtuar i anëtarësisë së këtij subjekti. Nga ky subjekt është paralajmëruar se hapja e fushatës do të behet nesër, ndërsa edhe këta kanë paralajmëruar takime të shumta me qytetarë e simpatizantë për të shpalosur programin e tyre zgjedhor dhe për ta përçuar vizionin e tyre tek qytetari. Sekretari organizativ i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Naim Jakaj, e ka vlerësuar lartë ecurinë parazgjedhore duke përmendur një numër të madh takimesh me qytetarë e simpatizantë të lëvizjes.
Një optimizëm mbizotëron edhe në degën e AAK-së, e cila në këto zgjedhje ka hyrë me një kandidat të ri, i cili sipas drejtuesve të degës po bënë një punë të madhe në mobilizimin e anëtarësisë. Nga shtabi zgjedhor i këtij subjekti thonë se punët në teren po u shkojnë mirë, ndërsa fushatën zgjedhore do ta fillojnë nesër në mbrëmje me një tubim me anëtarësinë. Fatmir Azizi, shef i shtabit të AAK-së, ka folur për angazhimet, i bindur se kësaj radhe vizoni i këtij subjekti do të triumfojë.
Drejtues të degës së AKR-së, parti kjo që për afro pesë vite ka qenë në koalicion qeverisës me PDK-në, kanë thënë se ky subjekt kohën e para fushatës e ka shfrytëzuar për të angazhuar njerëz të profileve të ndryshme, që kanë përqafuar programin e tyre. Edhe këta kanë bërë takime të shumta me anëtarësinë, ndërsa flasin me admirim për punën e mirë që ka bërë koalicioni. Ibrahim Hyseni, nga shtabi i këtij subjekti ka thënë se përgatitjet po shkojnë mjaftë mirë, ndërsa ka paralajmëruar se fushatën ky subjekt do ta fillojë nesër në mesditë.
Kandidati i pavarur, Rrahim Sadiku, i cili edhe në zgjedhjet e kaluar është sfiduar për këtë post, ka thënë se ai e ka më së lehti të punojë ngase nuk mbanë në supe peshën e subjekteve politike, por që do të punoj në interes të qytetarit. Sadiku ka thënë se në këto zgjedhje do të lidhë koalicion vetëm me qytetarin, i bindur se i njeh mjaftë mirë problemet e tija.
Lëvizja për Bashkim (LB), në këto zgjedhje ka nxjerr Ramadan Eminin, si kandidat i këtij subjekti për kryetar. Ky njihet si njeri profesionist, i cili siç thotë, prej pas lufte jeton me hallet e qytetarëve.
Ndryshe, subjektet politike gjatë javës që lamë pas, kanë zhvilluar aktivitete edhe në përforcimin e subjekteve të tyre me emra të dëshmuar. Ndërsa hesë pas here kanë akuzuar njëra tjetrën për shkelje të kodit zgjedhor të mirësjelljes, me vendosjen e fotografive dhe motove të subjekteve.
Në komunën e Ferizajt, të drejtë vote kanë rreth 95 mijë qytetarë, të cilët do të votojnë në 25 qendra të votimit me 124 vendvotime./BS/kohaislame