7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ndodh në Fushë Kosovë: ndërtuesi hedh bërrlloqet në oborrin e fqinjëve (foto)

Më të lexuarat

Nga Bashkim Kastrati

Ndërtuesit e objekteve të banimit në fushë Kosovë në shumë raste nuk janë të kujdesshëm sa duhet për të ruajtur ambientin përreth. Përveç dëmtimit të rrugëve që ua bëjnë duke lëvizur me mjete të rënda, ata edhe mbeturinat e ndërtimit i hedhin në vende të banuara.

Këto foto janë bërë nga ekipi i tesheshi.com tek një bllok i ndërtimit i cili është në përfundim e sipër. Por në vend se mbeturinat e ndërtimit të hedhen në vende të caktuara, ato janë hedhur para ndërtesës. Ndërkaq, kjo ndërtesë e re, e ndan oborrin me disa ndërtesa tjera dhe këto mbeturina të hedhura i pengojnë banorëve që jetojnë aty.

Ata ankohen se hedhja e këtyre mbeturinave përveç që shkakton pamje të keqe dhe pluhur, rrezikon edhe fëmijët të cilët lozin në këto objekte.

“Hedhja e këtyre mbeturinave sigurisht që po na pengon. Askund nuk ka kështu që mbeturinat e ndërtimtarisë të hedhen në oborrin e objektit. Ky është banim kolektiv dhe oborri gjithashtu është kolektiv dhe këto mbeturina sigurisht që na pengojnë. Këtu ka  shumë fëmijë që luajnë gjatë gjithë ditës në këto ambiente dhe ata mund të pësojnë nga këto mbeturina”, thotë një banore.

Ndërsa një banor tjetër thotë se këto mbeturina do të duhej të dërgoheshin në deponitë përkatëse të mbeturinave dhe se hedhja e tyre afër objekteve do të duhej të ndëshkohej nga institucionet përkatëse.

“Me qenë komuna funksionale siç duhet do të duhej që ta mbikëqyrte këtë pjesë ku bëhen ndërtime, pra të dalin inspektorët dhe në raste të tilla të japin gjoba ashtu siç i përcakton ligji. Jo vetëm në këtë vend, por edhe në vende tjera hedhën mbeturina të ndërtimtarisë dhe ato duhet të ndalën, sepse janë edhe të rrezikshme, sepse aty ka mbeturina të forta nga betoni, armaturë, xhama etj dhe nga to mund ta pësojë ndokush që banon përreth, e sidomos fëmijët”, thotë ai.

Ndryshe, lagja “Dardani” njihet edhe si lagja e re, e cila është ndërtuat në dekadën e fundit. Në këtë hapësirë brenda pak viteve janë ndërtuar qindra objekte të mëdha të banimit, por njohësit e fushës së urbanizmit në vazhdimësi kanë dhënë vërejtje se këto ndërtime do të duhej që të bëheshin me një plan paraprakë të gjerë, plan i cili do të duhej të monitorohej në vazhdimësi nga inspektorati ndërtimor i Komunës së Fushë Kosovës. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit