Ndikimi në besimin në Allahun

0
103
  1. Njohjen reale të Allahut dhe kjo bëhet  duke medituar në ajetet e Kuranit dhe duke u thelluar në kuptimin e emrave dhe cilësive të Allahut. Njeriu kur e di se Allahu e dëgjon, ai nuk flet çdo gjë. Kur e di se Allahu është Mbikëqyrës i tij,  njeriu i frikësohet Atij gjatë veprimeve të tij. Kur njeriu i njeh cilësitë e Allahut, besimi i tij është më i qëndrueshëm. Është thënë: “Kush e njeh Allahun më së miri, i frikësohet më së shumti.”
  2. Besimi qetëson shpirtin, qetëson zemrën dhe e pastron atë nga sëmundjet e saj. Besimtari kur do, do për Allahun, kur urren diçka, urren për Allahun, kur frikësohet, i frikësohet vetëm Allahut.
  3. Besimi ndikon në modestinë e besimtarit. Njeriu i cili beson në Allahun e di që ai gjithmonë ka nevojë për Allahun. Ai kur kërkon, kërkon prej Allahut dhe kur mbështetet, mbështetet vetëm tek Allahu. Nuk bëhet mendjemadh kur njerëzit e lavdërojnë atë. Pejgamberi thotë: “Kush bëhet modest për Allahun, Allahu do ta ngrejë atë në shkallë më të larta.”
  4. Besimi dhe njohja e Allahut ndikon në  bindjen e thellë ndaj Allahut. Njeriu besimtar është i sigurt nga çdo gjë edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër. “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.”
  5. Besimi ndikon në zvogëlimin e sprovave.Besimtari e di se çdo gjë është prej Allahut dhe e di se Allahu i sprovon  robërit e vet që t’i pastrojë ata.
  6. Besimi ndikon në nxjerrjen e njeriut nga situatat e vështira, nëse ai bën durim, vuajtjet ia zëvendëson me gëzime. Besimtarin Allahu e ndihmon në këtë botë kur ai më së shumti ka nevojë. Allahu e shpëtoi Junusin nga barku i balenës dhe iu përgjigj kur ai ishte në momentet më të vështira, për arsye se ai e njohu Allahun kur ishte i lirë. Gjersa edhe jobesimtarët e dinë se vetëm besimi njeriun e shpëton në situata të  vështira.
  7. Besimi ndikon në seriozitetin e besimtarit në jetë. Besimtari gjithmonë është serioz në jetën e tij, sepse ka për qëllim kënaqësinë e Krijuesit. Ai e di vlerën e kësaj bote  dhe nuk lejon që  t’i kalojë diçka nga kjo botë në lojë apo dëfrim, apo pakujdesi dhe të harrojë Allahun.
  8. Besimi e liron besimtarin nga skllavëria. Besimtari e di se adhurimi i takon vetëm Allahut dhe  nuk i përulet dikujt tjetër përveç Allahut. Ai nuk adhuron epshin dhe kënaqësitë e veta, nuk adhuron pasurinë. Tregimi i Bilalit  se si prej  robërisë që ishte kaloi në një njeri, që historia flet për të, është shembulli më i mirë i kësaj dhe u bë muezini i Pejgamberit.
  9. Besimi ndikon në ndriçimin e zemrës. Besimi lidh zemrën e njeriut me Krijuesin e tij dhe e mbush atë me besim. Ajo zemër e cila është e mbushur me besim në Allahun, në atë zemër nuk ka vend e kota, nuk ka vend dashuria ndaj kësaj bote që shkakton hidhërimin e Allahut.

Ndikimet e besimit në jetën e njeriut janë më shumë se sa që i kemi përmend ne. E lusim Allahun që të na mundësojë njohjen e Allahut sa më mirë t’ia kemi frikën Atij dhe të na shpërblejë me shpërblimet e Tij më të mira!

Përktheu: Shaban Murati

19.01.2007