NDIHMOJNË AMSERA REKËN

0
52

Me iniciativë të Luljeta Bislimit, e cila jeton në Zvicër, për dy muaj rresht në shtetin helvetik është organizuar një fushatë humanitare nga e cila janë mbledh mbi katër mijë franga zvicerane.

Faktet bankare për këtë donacion Luljeta Bislimi, përmes Ministrisë së Diasporës, ia ka dorëzuar personalisht gjyshit të Amsera Rekës, i cili e ka falënderuar Luljetën për këtë gjest shumë humanitar.

Dy zëvendësministrat e Diasporës, Qerim Bajrami dhe Nuredin Lushtaku kanë organizuar një pritje për Luljeta Bislimin dhe babain e saj, si dhe gjyshin e Amserës, Kamer Balje, me rastin e dorëzim pranimit të donacionit.

“Dua ta falënderojmë zonjushën Bislimi pёr kёtё iniciativë humanitare, po ashtu falënderojmë tё gjithë shokët dhe prindërit e saj, për ndihmën e grumbulluar nё Zvicёr, pёr vajzën pesëvjeçare Amsera Reka, e cila ёshtё e vetmja e mbijetuar nga tragjedia e Restelices. Siç e dimë, 10 antarët tjerë nga familja Reka e kanё humbur jetën nё kёtё tragjedi të madhe, prej ortekëve të borës, nё muajin shkurt të kёtij viti. E falënderojmë dhe konsullin tonë në Cyrih, doktor Salih Sefën, i cili ka propozuar që këto ndihma tё shkojnë nёpёrmjet Ministrisë së Diasporёs”, ka thënë zëvendësministri i Diasporës, Qerim Bajrami.

Nga ana e saj, organizatorja e aksionit humanitar Luljeta Bislimi, ka thënë se ka dëshirë që Amsera Reka, pas tragjedisë që e përjetoi, të ketë një të ardhme të mirë.

“Jam mërzitur shumë për rastin e Amsera Rekës dhe kam hapur një xhirollogari bankare për atë vogëlushe. Kam dëshirë që Amserës t’i ndihmojë që të shkollohet, të rritet dhe të bëhet e pavarur. Falënderoj të gjithë donatorët dhe i dëshiroj Amserës jetë të gjatë dhe të shëndetshme”, ka thënë Bislimi.

Mbi gjysma e donatorëve që kanë kontribuar me mjetet e tyre për këtë donacion prej 4005 frangash, janë zviceranë, ndërsa të tjerët janë shqiptarë që jetojnë në Zvicër. /kp/kohaislame