8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Ndihmat e Perëndimit për Lindjen

Më të lexuarat

Që nga rënia e RDGJ-së Gjermania Lindore është financuar me miliarda – jo kudo me sukses. Ndërkohë gjithnjë e më shumë komuna në Perëndim kërkojnë mbështetje financiare. Pakti i Solidaritetit -temë e madhe diskutimesh.
22 vjet pas bashkimit të Gjermanisë distanca mes Lindjes dhe Perëndimit të vendit është rritur përsëri. Produkti i brendshëm bruto në landet e reja ka rënë me dy për qind dhe tani është në 71 për qind të nivelit perëndimor. Edhe perspektivat nuk duken të mira. Të rinjtë largohen dhe mungojnë kështu në tregun e punës në Lindje të Gjermanisë. Pagat aty janë thuajse një e katërta më të ulëta se niveli perëndimor. Por edhe në Perëndim të Gjermanisë të gjitha rajonet po luftojnë me pasojat e ndryshimeve strukturore, në Rur, për shembull. Ka kohë që thuhet se fondet e subvencioneve duhet të riorganizohen. Pas euforisë së bashkimit tani janë kthyer problemet e jetës së përditshme.

Më 23 Gusht 1990 u shkrua histori
Ajo ishte dhe është një vepër e pashoqe: riorganizimi i vendit që gati 41 vjet qe i ndarë. Janë bërë dhe bëhen edhe gabime. Megjithatë bilanci mund të shihet. Gjëja më e rëndësishme: njerëzit në Lindje të Gjermanisë vendosën vetë kundër represionit shtetëror dhe për lirinë dhe bashkimin. Një parakusht ishte vendimi i Kuvendit Popullor më 23 gusht 1990 për “aderimin e RDGJ-së në territorin e veprimit të Ligjit Themelor të Republikës Federale të Gjermanisë në bazë të nenit 23 të Ligjit Themelor.” Kaq jospektakolare dhe burokratike mund të tingëllojë historia.

Dita e Bashkimit Gjerman më 3 tetor 1990 ishte kulmi i një ndryshimi mahnitës dhe emocional. Në vitin e fundit të ekzistencës së saj, RDGJ-ja ishte me të vërtetë një Republikë Demokratike Gjermane, pra ashtu si nuk kishte qenë kurrë më parë.
Pakti Solidariteti si instrument për ndërtimin e lindjes
Sipas përcaktimit të Willi Brandtit dy pjesët e Gjermanisë duhet të ngjizeshin dhe rriteshin politikisht, gjeografikisht dhe shoqërisht së bashku. Por fillimisht industria gjermanolindore nuk ishte konkurruese në tregun botëror.

Kishte shumë shumë punonjës, produktiviteti ishte i ulët, cilësia e produkteve më e ulët se e atyre perëndimore. Me Paktin e Solidaritetit filloi mes viteve 1990 dhe 2010 një program gjigand mbështetjeje për Lindjen. Rreth 1,4 bilionë euro neto u derdhën në lindje të Gjermanisë. Rreth dy të tretat për përfitime sociale për punonjësit. Ky projekt unik në histori do të vazhdojë deri në vitin 2019 dhe deri atëhere fondet që shkojnë në Lindje ulen shkallë-shkallë për çdo vit.

Lindja në Perëndim
Për shkak të ndryshimeve strukturore dhe ekonomike edhe qytete gjermanoperëndimore si Oberhausen, Gelsenkirchen ose Wanne-Eickel nuk i kanë punët më mirë se disa komuna lindore. Ndonjëherë madje edhe më keq. Shumë kryetarë bashkie në Perëndim nuk duan të marrin më edhe më shumë kredi për të ndihmuar Gjermaninë Lindore. Dhe kështu mendojnë gjithnjë e më shumë qytetarë perëndimorë që jetojnë në rajone, ku po ndodhin transformime strukturore dhe përjetojnë prej vitesh mbylljen e bibliotekave, pishinave apo qendrave të këshillimit në lagjet e tyre.
Një gjë është e sigurt: sindromi i ndihmës në Perëndim është dobësuar, Gjermania lindore nuk po shihet tani më si viktimë por në mënyrë kritike – dhe kryesisht të diferencuar. Shumë rajone në Saksoni dhe Thuringji nuk kanë më nevojë për subvencionime. Ndërkohë që pjesë të Gjermanisë veriore dhe të rajonit të Rurit janë zhytur në borxhe. Pakti i Solidaritetit në formën e tij aktuale do të jetë pas vitit 2013, pra pas zgjedhjeve federale në Gjermani, një temë e madhe diskutimesh. Në fund mund të ketë një pakt financimi mbarëgjerman.
Autor: Marcel Fürstenau/ Pandeli Pani/dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit