10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ndërlikimet që shkakton mungesa e Vitaminës B12

Më të lexuarat

Gjendje të tilla shëndetësore si: lodhje e vazhdueshme, konfuzion mendor, mungesë motivimi, anemi, etj, janë shpesh tregues i mungesës së Vitaminës B12. Kjo vitaminë është mjaft e rëndësishme për funksionim sa më të mirë të organizmit. Duhet të dimë se sigurimi i dozave të kësaj vitamine mund të bëhet nëpërmjet ushqimit dhe suplementeve shtesë.

Plotësimi i nevojave me këtë vitaminë vjen duke u vështirësuar me kalimin e moshës, pasi trupi e ka shumë të vështirë që të bëjë përthithjen e saj nga ushqimet. Në këto raste shfaqet mjaft e nevojshme marrja e suplementeve shtesë të kësaj vitamine.

Në vijim të shkrimit, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon shkaqet e mungesës së kësaj vitamine në organizëm, simptomat për ta dalluar, si dhe këshillat për plotësimin e dozave të saj. Kjo në mënyrë që të shmangen ndërlikimet që mund të shfaqen në organizëm.

Sa e rëndësishme është për organizmin prania e kësaj vitamine?

Vitamina B12 është një vitaminë mjaft e rëndësishme për shëndetin e indeve nervore, funksionimin e trurit dhe prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Mungesa e vitaminës B12 mund të çojë në vështirësi neurologjike dhe në anemi. Vitamina B12 është e disponueshme në mënyrë natyrale tek mishi dhe peshku, por veganët mund t’i marrin ato edhe si suplemente shtesë.

Trupi i njeriut mund ta ruajë vitaminën B12 deri në katër vjet dhe çdo sasi e tepërt e saj eliminohet nëpërmjet urinës. Metabolizmi i çdo qelize në trup varet nga vitamina B12, pasi ajo luan rol në sintezën e acideve yndyrore dhe prodhimin e energjisë.

Ajo ndihmon gjithashtu organizmin të përthithë më mirë acidin folik. Trupi i njeriut prodhon miliona qeliza të kuqe të gjakut në çdo minutë. Këto qeliza nuk mund të shumëfishohen pa praninë e vitaminës B12. Prodhimi i qelizave të gjakut reduktohet nëse nivelet e vitaminës B12 janë shumë të ulëta. Pra kemi kështu situatën e anemisë.

Cilat janë shenjat klinike të mangësisë së vitaminës B12?

Mungesa e vitaminës B12 mund të çojë në depresion si dhe në konfuzion mendor. Shtojcat e rekomanduara të vitaminës B12 janë zakonisht të sigurta për trajtimin e kësaj mangësie. Për të rriturit rekomandohet deri në 2.4 mikrogram në ditë (mcg). Nëse merrni më shumë se sa janë nevojat e organizmit, trupi ynë e eliminon vetë atë nëpërmjet urinës.

Megjithatë, duhet të dini se doza të larta të vitmainës B12 mund të kenë efekte anësore të tilla, si: marrje mendsh, të përziera dhe të vjella. Pa pasur mjaftueshëm vitaminë B12 nuk mund të kemi mjaftueshëm qeliza të kuqe të gjakut (eritrocite) dhe si rrjedhim nuk do të qarkullojë mjaftueshëm oksigjen në gjithë organizmin tonë. Pra do të gjendemi në një situatë anemie nga pamjaftueshmëria e qelizave të kuqe të gjakut dhe kjo zakonisht shoqërohet me ftohjen, kryesisht të këmbëve dhe të duarve.

Një tjetër shenjë klinike mund të jetë ndjesia e mpirjes, ose e “shpimit me gjilpëra” e duarve, ose e këmbëve, pasi mungesa e vitaminës çon në dëmtimin e mbulesës së fijeve nervore. Sëmundje të ndryshme të aparatit tretës çojnë në mangësi të thithjes së vitaminës B12.

Sëmundje të tilla mund të përmendim ato që rrisin aciditetin e stomakut dhe të zorrëve si për shembull ulcerat kronike dhe gastriti kronik. Prandaj është shumë e rëndësishme që këto patologji të trajtohen në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur.

Shkakton lodhje mungesa e kësaj vitamine?

Po. Një simptomë klinike mjaft e shprehur është dobësimi i fuqisë muskulore. Ju mund të ndiheni të lodhur vazhdimisht dhe kjo ndjenjë mund të rritet progresivisht, por mund të shfaqet edhe në periudhë të shkurtër kohore. Pra është e rëndësishme që t’i kushtoni vëmendje çdo simptome që mund të shfaqet shpejt ose mund të rritet ngadalë.

Nga mungesa e fuqisë (tonusit muskular) do të preket edhe gjuha, e cila paraqitet e butë dhe e kuqe. Ajo quhet në këtë rast “papilare“ pasi merr formën e pllakëzave të kuqe e më shkëlqim që dallohen qartë. Kjo pamje që merr gjuha, në fakt mund të shkaktohet edhe nga shumë infeksione (baketriale ose mykotike), apo edhe medikamente të ndryshme. Prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet diagnoza diferenciale.

Po vegjetarianët si mund t’i sigurojnë dozat e duhura të kësaj vitamine?

Për vegjetarianët është pak e vështirë të ruhen normat e vitaminës B12. Kjo pasi bimët nuk shquhen për përmbajtje të larta të vitaminës B12. Megjithatë sasia e lartë e drithërave të ndryshme është e rëndësishme në këto raste. Vitaminën B12 mund të marrim edhe nga mishi i pulës, i peshkut dhe vezët.

A mund të sigurojmë nëpërmjet ushqimit sasinë e duhur të vitaminës B12?

Duhet të kemi gjithmonë parasysh që nëse ka mangësi të vitaminës B12 në organizëm, ajo nuk plotësohet dot vetëm nëpërmjet ushqyerjes. Është e rëndësishme të merren dozat e caktuara të vitaminës B12 dhe për një kohë të caktuar të përshkruara nga mjeku specialist. Pacientët në mangësi të kësaj vitamine mund të ndiejnë edhe palpitacione të zemrës, që do të thotë rrahje të papritura të zemrës që ndjehen në fyt, ose në qafë.

Cilat mund të jenë arsyet më të shpeshta të mangësisë së vitaminës B12 në organizmin tonë?

Së pari do të renditja moshën. Ndërsa bëhemi më të vjetër, trupi ynë nuk mund ta thithë vitaminën B12 aq lehtë si më parë. Nëse nuk e trajtojmë këtë mangësi në kohën e duhur, do të vuajmë nga anemia, apo prekjet e ndryshme nervore që përmendëm më sipër. Një arsye e shpeshtë e kësaj mangësie janë edhe ndërhyrjet kirurgjikale tek obezët për të humbur në peshë.

Një nga format më të zakonshme të operacioneve të tilla realizohet nëpërmjet “anashkalimit të stomakut”. Pra pas operacionit, ushqimi anashkalon një pjesë të aparatit të tretjes duke krijuar mangësi në thithjen ushqimore. Prandaj tek këto persona duhet monitoruar niveli i vitaminës B12.

Si ndikojnë medikamentet në reduktimin e sasisë së kësaj vitamine në organizëm?

Një arsye mjaft e shpeshtë që pengojnë thithjen e vitaminës B12 janë medikamente të ndryshme, siç është për shembull Cloramfenikoli (antibiotik), Metformina (që trajton diabetin), por edhe preparatet që trajtojnë ulcerat. Pra nga njëra anë vetë aciditeti i aparatit tretës pengon ththjen e vitaminës B12, nga ana tjetër edhe medikamentet që e trajtojnë aciditetin e vështirësojnë thithjen e vitaminës B12. Prandaj të gjitha medikamentët që përdoren duhen konsultuar më parë me mjekun përkatës. Duhet treguar kujdes i veçantë në bërjen e diagnozës diferenciale nga ana e mjekut, pasi simptomat e mangësisë së vitaminës B12 shpesh mund të jenë të ngjashme me shenjat e shumë sëmundjeve të tjera.

A rrezikojnë gratë shtatzëna nga mungesa e kësaj vitamine?

Kujdes të veçantë duhet të tregojnë edhe gratë shtatzana, si edhe ato që ushqejnë fëmijët me gji. Përveç mangësisë që mund të ketë nëna me vitaminën B12, duhet të bëni kujdes sepse foshnjat që nuk marrin sasinë e duhur të kësaj vitamine mund të pësojnë dëmtime serioze dhe të përhershme të nervave, ose të qelizave të trurit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit