Ndërkombëtarët kanë në duar privatizimet e mëdha në Kosovë

0
36

Kompanitë kryesore të Kosovës do të privatizohen me involvimin në proces të ndërkombëtarëve. Bëhet fjalë për privatizimet e rëndësishme që pritet të ndodhin gjatë muajve të ardhshëm me privatizimin e Postë- Telekomit të Kosovës (PTK), apo pak më vonë edhe të gjigantit metalurgjik të Kosovës “Trepça”.

Kjo përfshirje e ndërkombëtarëve në privatizimet e tilla mundësohet edhe nëpërmjet Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.

Në nenin 4 të këtij projektligji thuhet se Komisioni Qeveritar për Privatizim mbështetet nga një Njësi Implementuese e Privatizimit, e cila do të themelohet për këtë qëllim nga ministri në kuadër të Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e ndërmarrjeve publike në Ministrinë përkatëse për Zhvillim Ekonomik.

Njësia Implementuese e Privatizimit i përgjigjet drejtpërdrejt Komitetit Qeveritar për Privatizim dhe ajo do të përfshijë, ose të përkrahet nga këshilltarë të jashtëm profesionalë, të cilët Komisioni Qeveritar i Privatizimit i konsideron të nevojshëm.

Burimet e gazetës “Zëri” sqarojnë se ndërkombëtarët si këshilltarë janë angazhuar në privatizimin e distribucionit të KEK-ut, PTK-së, mirëpo involvimi i tyre është i pa anashkaluar me rastin e privatizimit të “Trepçës”, pasi që Parlamenti më herët ka miratuar Ligjin për “riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre” që në fakt i ka hapur rrugën privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

Në privatizimin e PTK-së, si këshilltar të transaksionit Qeveria ka angazhuar kompanitë “Lazard Freres” dhe “Raiffeisen Investment”.

Këshilltari për media i ministrit Besim Beqaj, Gëzim Baxhaku, pranon se dispozitat e nenit 9. paragrafi 9.3. të Ndryshimeve dhe Plotësimeve Ligjit të nr. 03/L-087 -Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike të aprovuar në Kuvend ditë më parë parashohin themelimin e njësive implementuese te privatizimit, e cila do të përkrahet nga këshilltarët e jashtëm profesionalë, të cilët Komisioni Qeveritar i Privatizimit i konsideron të nevojshme.

Sipas tij, një praktikë të tillë është duke u realizuar edhe tash me angazhimin e këshilltarëve të transaksionit për projektet e privatizimit të 75 % të aseteve të PTK-së, privatizimin e KEDS-it dhe realizimin e projektit te “Kosova e Re” dhe me këtë dispozitë ligjore nuk ndryshon asgjë nga praktika e deritashme.

Privatizimi nën kontrollin e ndërkombëtarëve

Bekim Marmullaku, ekspert i ekonomisë, thotë se angazhimi i këshilltarëve të huaj në procesin e privatizimit të kompanive publike, siç thotë ai, bëhet me imponimin e ndërkombëtarëve që ta kenë nën “kontroll” rrjedhën e privatizimit.

Sipas tij, në privatizimet e tilla mund të angazhohen vendorët, ndërsa për ekspertët ndërkombëtarë shpenzohen shuma të konsiderueshme të parave buxhetore.

“Ekspertët ndërkombëtarë zakonisht paguhen shtrenjtë për një punë jo të madhe, të cilën mund ta kryejnë me sukses edhe vendorët”, përfundon ai.