6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Ndarja e Kosovës dhe nënshtrimi para një ideje raciste

Më të lexuarat

Nga Andi Bushati

Një nga argumentat e fortë e të atyre që predikojnë zgjidhjen e ndryshimit të kufijve është edhe «fati» i popullsive që banojnë në mizerie, në margjina të dy shtetrve, pra serbëve të veriut në Kosovë dhe shqiptarëve të Preshevës, Bujavovcit dhe Medvegjës.

Si mund të lejohen ata të jetojnë në atë gjendje? Si mund të vazhdojnë të jenë qytetarë të dy shteteve që nuk i duan? Si mund të mbeten ata njerëz pengje të një konfikti që ka ngrirë prej dy dekadash? – është thelbi i përgjërimit të tyre.

Si iliaç për këtë ata propozojnë shkëmbimin e teritorreve, lëvizjet e popullsive dhe shëmtinë e një spastrimi etnik pa luftë. Sepse kjo është në fakt ajo që do të ndodhë. Po të lexohej me vëmendje një speciale e gjatë që gazeta franceze “Le monde” i kishte kushtuar kësaj teme ( lexo përmbledhjen tek Lapsi.al) aty dallohen lehtësisht simtomat e asaj që pritet të ngjajë.

“Serbia ne na konsideron si të huaj, pse duhet që qëndrojmë në një vend që nuk na do?” i pohonte gazetarëve të Le Monde Shaip Kamberi, kryebashkiaku i Bujanovcit. Nëse ndryshohen kufinjtë Graçanica do të zbrazet, paralajmëronte Zivojin Rakoceviç, i cili thoshte: “Kjo do të sjellë padyshim një spastrim etnik”.

Nuk ka dyshim se nëse kjo gjë arrihet një ditë, Kosova pothuajse do të shpopullohej nga Serbët dhe po ashtu edhe Serbia nga ata pak shqiptarë që kanë mbetur.
Pra formula magjike a atyre që mbështesin idenë e Thaçit dhe Vuçiçit barabitet me lumturinë që arrihet duke jetuar brenda kufijve të kombit tënd.

Kjo zgjidhje etnikisht e pastër, sipas tyre, nuk do të lehtësonte vetëm fatet e disa mijra vetëve që jetojnë në zonat kufitare. Ajo do të na dhuronte një paqe afatgjatë, një njohje reciproke dhe në mos çmime nobel për arkitektët e marrëveshjes, gjithësesi një pozitë më të mirë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.

Por vetëm se e gjithë kjo fabul ka një problem. Aspak të vogël.

Si Serbia dhe si Kosova janë shtete që së paku publikisht kanë si busull në politikën e jashtme anëtarësimin një ditë në BE. Pra pranimin në një familje që e ka lënë pas krahëve ekzaltimin e idesë të shteteve etnikisht të pastra për të përqafuar të tjera vlera. Jo më kot, Michael Roth ministri për Europën i një vendi si Gjermania, që ka dalë me shpatë në dorë kundër kësaj marrëzie, deklaronte pak kohë më parë se “e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perendimor është multietnike, multifetare dhe multikulturore”.

Të paranosh se nuk e arrin dot këtë objektiv, se nuk je në gjendje të respektosh të drejtat qytetare të pakicave, se nuk përparon dot si shtet pa nxjerrë jashtë « të huajt », se nuk bëhesh funksional po nuk shkove drejt pastërtisë etnike, se nuk je në gjendje të kontrollosh ekseset e politikave nacionaliste në një mjedis multietnik, kjo është para së gjithash një boomerang. Në mënyrë indirekte kjo do të thotë se je një shtet apo një vend, që ndryshe nga sa pretendon je i pa përgatitur kulturalisht për të shkuar drejt BE-së.

Madje edhe më keq akoma, të pranosh konceptin se e vetmja zgjidhje për të qenë në paqe, të qetë dhe për të përparuar qënkësh të qenët një komb etnikisht i pastër, do të thotë të biesh në kurthin e mbartësve të ideve raciste që e shohin këtë pjesë të Ballkanit Perendimor si të pa aftë për të absorbuar vlerat e Europës së qytetëruar.

Qoftë edhe për këtë, – përpos faktit se mund të hapë kutinë e Pandorës dhe të shkaktojë një reaksion zinxhir në Ballkan-, ideja e Vuçiçit që ndoshta nga halli e ka përqafuar edhe Hashim Thaçi, është një tezë që duhet kundërshtuar.

Sepse ndërkohë që predikon, arritjen e paqes përmes dialogut, ajo rrënon dhe minon bashkëjetesën, sepse ndërkohë që shet një përparim drejt BE, ajo i jep argumenta të gjithë atyre që na shohin si të padenjë për të qenë në atë familje, sepse ndërkohë që ekzalton vlerat e kompromisit dhe marrëveshjes, ajo është në fakt simboli i pamundësisë së tyre.

Dhe pikërisht për këto, ajo nuk mund të jetë as një premisë për paqe afatgjatë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit