12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Ndalesë në një dorëshkrim

Më të lexuarat

Në një ditë të bukur Ramazani, 2018/1439 h., prof. dr. Asim El-Karjuti[1], në profilin e tij në Tweet-ër, publikoi një dorëshkrim të hoxhës së hadithit, Nasirudin Albanit[2]. Në një faqe fletoreje, të shkruar me dorën e tij, si këshillë për hoxhën Fuad Abdullah Ed-Derkezlij[3], hoxha shqiptar shënon:

‘‘Bismilahir-Rahmanir-Rahim.

E këshilloj vëllanë, Fuad Abdullah Ed-Derkezlij, që të bëjë kujdes dhe të përpiqet për ta kuptuar Islamin drejtë, qoftë në aspektin besimor, juridik dhe moral, nën dritën e Kuranit dhe të Sunetit të saktë, aq sa ka mundësi.

Le të ndihmohet për këtë qëllim, me librat e dijetarëve të njohur për pastërtinë e besimit dhe metodologjinë e tyre të drejtë, si shembulli i gjashtë imamëve të hadithit [4] dhe i të  tjerëve; i katër fukahave të mëdhenj[5], Allahu i mëshiroftë që të gjithë; Shejhul-Islami Ibn Tejmije dhe nxënësit të tij të dalluar Ibn Kajim El-Xheuzije; El-Emir  Es-San’anit dhe imam Sheukanit, e i të tjerëve.

Le të pajiset me moralin Islam profetik dhe le të mos ndikohet nga rrymat bashkëkohore perëndimore, prej të cilave është feminiteti dhe imitimi, si rruajtja e mjekrës.

E lus Allahun të na e marrë shpirtin, ne dhe atij (Fuadit), mbi parimet e Kuranit dhe të Sunetit dhe të na bashkojë nën flamurin e Profetit tëTij, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

12/01/1385

Damask, Biblioteka Dhahirijeh.

Muhamed Nasirudin el-Albani.

Hoxha shqiptar, Nasirudin Albani, është figurë e admiruar për njohjen e shkëlqyer të fushës së haditheve dhe rigorozitetin shkencor. Dua të theksoj se ai, si dijetar, ishte provë e suksesit të aftësive të të huajve, joarabëve, dhe vijues i denjë i arritjeve shkencore fetare nga joarabët.

Më vjen shumë keq, kur njerëz jokompetentë, nga shalli i çallmës e deri te çorapet, mëtojnë t’i hedhin poshtë metodën dhe arritjet e hoxhë Nasirudin Albanit. Dua t’u kujtoj këtyre, se në këtë botë vërtet ka vend edhe për dritën e dijes, edhe për tifozërinë e verbër, por e para nuk ka nevojë për të dytën, që të shkëlqejë.

Trashëgimia shkencore e hoxhallarëve shqiptarë, Albani, dy Arnautët dhe  Gavoçi (Allahu i mëshiroftë!), është pasuri e paçmuar e kulturës muslimane shqiptare, por jo vetëm, si dhe dëshmi e model se si mund të krijohet një traditë e pasur shkencore islame, në trevat tona.

Teksa analizoja dorëshkrimin e hoxhë Nasirudin Albanit, më tërhoqën vëmendjen mjaft mesazhe të dobishme. Duke dashur që të përfitojnë sa më shumë prej këshillës së hoxhës,  mendova ta përshtas dhe ta prezantoj atë për xhematin e besimtarëve. Prej pikave që dua të veçoj janë:

– Misioni ynë, si besimtarë, është këshillimi dhe orientimi i drejtë i njëri-tjetrit në parimet kuranore dhe profetike. Ndjenja fetare është instinkt i natyrshëm i njeriut dhe botëkuptimi i fesë duhet të jetë i plotë, jo i ngushtë, as fasadë, por me të gjitha aspektet e saj, akide, fik’h, moral. Besimi i sjell njeriut qetësinë e mendjes dhe të shpirtit, i ushqen shpresën për diçka më të mirë, e largon njeriun nga hakmarrja, i forcon ndjenjën e drejtësisë. Besimi lufton egoizmin, makutërinë, burimin e të këqijave sociale.

– Pikëreferim për besimtarin janë dijetarët e ymetit, imamët e hadithit dhe të fik’hut. Respektimi i dijetarëve dhe lutja për ta është detyrë për çdo besimtar. Besimtari kundërshton fanatizmin, tifozërinë, kokëfortësinë e paargumentuar, por nuk cënon autoritetin e dijetarëve. Hadithologu i shekullit nuk ka qenë kundër katër dijetarëve të medh’hebeve, por kundër imitimit të verbër; kundër përceptimit të medh’hebit si shpallje hyjnore, deri në atë masë saqë të dalësh nga medh’hebi është sikur të dalësh nga feja; kundër pasuesve të medh’hebit të cilët refuzojnë Traditën Profetike me justifikimin e mosdaljes nga medh’hebi.

– Hoxha i hadithit, imam Albani, kishte mjaft mospërputhje mendimesh me hoxhallarët e kohës, por ‘‘problemet’’ që donte të ndante me të tjerët ishin të karakterit parimor dhe nuk lidheshin me emra individësh apo me çështje personale.

Divergjencat, sot mes nesh në xhematë, a janë aq parimore?

– Si  muslimanë, ne duhet të jemi krenarë për përkatësinë tonë fetare. Mbrojtja e identitetit dhe largimi nga imitimi i verbër i kulturave të huaja është domosdoshmëri. Siç e ruajmë etninë dhe gjuhën, duhet ta ruajmë edhe fenë. Islami ka ushtruar ndikim themelor në mbijetesën dhe në formësimin e identitetit kulturor dhe kombëtar. Islami na ka ruajtur nga asimilimi. Ne, muslimanët shqiptarë, duhet të kuptojmë se përfaqësojmë besimin islam në Evropë, të rrethuar nga katolikë dhe ortodoksë, gjë që e rrit përgjegjësinë dhe detyrimin tonë  për të qenë përfaqësues të denjë të besimit islam.

– Muslimani duhet ta ndërtojë identitetin e tij mbështetur në parimet dhe moralin islam. Tendencat e kohës nuk duhet ta largojnë atë nga shembulli i më të dashurit, Profetit, alejhis-selam. Ndër çështjet që ka prodhuar mjaft debat është mjekra. Islami nuk fillon me mjekrën, as nuk humbet Xheneti pa mjekër, por ajo është një urdhër profetik, është një traditë e të gjithë profetëve. Mjekra është një veçori tipike mashkullore, e mos të flasim pastaj për efektet shëndetësore pozitive të mjekrës së pastër. Vite më parë mjekra nuk ishte aq popullore, si rezultat muslimanët me mjekër shiheshin me sy disi ndryshe. Rikthimi në modë i saj u bë në mënyrë masive gjatë vitit 2016, nga një sërë personalitetesh të njohura në fusha të ndryshme, futbollistë, aktorë, politikanë etj. Për shumë personazhe mjekra u bë dekor  në fytyrë. Padyshim, qëllimi i muslimanit ndryshon nga qëllimet e modeleve të ndryshme.

– Të njohim problemin me të cilin ballafaqohemi është më e rëndësishme sesa të njohim zgjidhjen, sepse paraqitja e saktë e problemit shpie tek zgjidhja.

A i njohim ne problemet e Thirrjes Islame në vendin tonë?

Në këshillën e tij, hoxhë Nasirudin Albani, fton në Islamin e pastër, në largimin nga zakonet e huaja dhe risitë e sajuara dhe në bashkimin nën flamurin e të Dërguarit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

 

Neufel  KAZAZI

 

 

 

 

[1] . Prof. dr. Asim El-Kurjuti, i lindur më 1954, është profesor i lëndës së Hadithit, në Universitetin Islamik të Rijadit, Imam Muhamed ibn Saud. Është aktivist në fushën e edukimit, nxënës i hoxhë Nasirudin Albanit. Allahu e ndihmoftë!

[2] . Nasirudin Albani u lind më 1914 në Shkodër, vdiq më 1999 në Aman, Jordani. I kaloi 70 vite të jetës së tij në shërbim të diturive  islame, në përhapjen dhe redaktimin e Sunetit Profetik. Motoja e veprimtarisë së tij ishte: Et-Tasfijeh ve Terbijeh – Pastrim dhe Edukim. Pastrimi i Islamit nga adetet, zakonet, idetë e huaja, hadithet e shpikura që i janë veshur gjatë shekujve dhe edukimin e brezave të rinj mbi bazat e shëndosha fetare.

[3] . Fuad Abdullah Ed-Derkezlij, i lindur në Bagdad më 1934 dhe vdiq po aty më 2003. I diplomuar në Sheriatin Islam, në Bagdad. I njohur si ashik i librave dhe i udhëtimeve për t’u takuar me dijetarë. Allahu e mëshiroftë!

[4] . Gjashtë imamët e njohur të hadithit janë: Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, Allahu i mëshiroftë!

[5] . Katër dijetarët e medh’hebeve të njohura janë: Ebu Hanife, Maliku, Shafiiu, Ahmed ibn Hanbeli, Allahu qoftë i kënaqur me ta!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit