11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

NATA E PARË NË VARR

Më të lexuarat

Janë dy lloje të natës të cilat njeriu i jeton. Netët të cilat i kalon në shtëpinë e tij dhe me familjen e tij. I lumtur dhe i rrethuar me begati, me jetë luksoze, me shëndet dhe kënaqësi. Netët në të cilat gëzohet me fëmijët e tij edhe ata kënaqen me të.

Dhe pastaj, së shpejti vjen nata në të cilën njeriun do ta vizitojë engjëlli i vdekjes. I lënë në varr, vetëm, pa askënd askund. Pra, çka mendoni si do të jetë në atë natë, kur do të na lëshojnë në varr? Nuk do të ketë shokë dhe dashamirë, nuk do të ketë ndejë, nuk ka grua (burrë), nuk ka fëmijë dhe nuk do të ketë as pasuri me të cilën jemi mësuar.

“Pastaj ata do të kthehen te Allahu, Zoti tyre i vërtetë. Se vetëm Atij i takon të gjykojë dhe Ai është llogaritari më i shpejtë.” (el-En’am, 62)

Nata e parë në varr. Për shkak të saj të dijshmit qajnë. Të mençurit vuajnë. Shkruhen libra. Njeriu do të thotë: Si po më lënë fëmija në këtë moment? Pse prindërit nuk po më përgjigjen? A vetëm me kaq shuhet jeta? A kështu shkohet? A kështu t’i humbi, të gjitha për një moment? Miqtë do të thonë: Mos shko! Dhe a ka udhëtim më të gjatë në të cilin shkohet sesa ky? A ka vend më të tmerrshëm në të cilin shkohet sesa ky? A ka vend më të errët sesa ky?

“Kur t’i arrijë vdekja ndonjërit prej tyre (mohuesve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe (në këtë Botë), – që të punoj më mirë në ato që i kam lënë!” – Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është ajo fjalë të cilën ai kot e thotë, – para tyre do të ketë barrierë deri në ditën kur do të ringjallen.” (el-Muminune, 99-100)

Kurrsesi …! A tani po pyesësh?! A tani po pendohesh?! A tani e kuptove se duhet t’i braktisësh mëkatet?! Ti që ke ikur nga xhamia, që e ke ditur se pse falet namazi, që e ke lënë pas dore Kur’anin, që i ke shkelur dispozitat e Allahut, që ke jetuar në mëkate, që e ke shkelur atë që Allahu e ka bërë haram … A tani po të vjen keq?
Ku ishe më përpara?!

Thuhet në një transmetim se Ebul A’tahije kishte ardhur te një udhëheqës i cili ishte magjepsur nga pushteti dhe lavdia. Nuk ishte kujtuar as nuk i kishte shkuar mendja për momentin kur do të lëshohet në varr dhe për natën e parë që do ta kalojë në të. Ai kishte ndërtuar pallate të mëdha. Kjo kishte ndodhur në Bagdad.
Një ditë i kishte ardhur poeti Ebul A’tahije, i kishte uruar për suksesin dhe çdo gjë që kishte ndërtuar, dhe pastaj i kishte thënë me vargje:
Po jeton i sigurtë në këto ndërtesa të mëdha;
Po merr çka po dëshiron – në mëngjes dhe në mbrëmje;
Por, kur të ngushtohet shpirti – dhe dëshiron nga gjoksi të largohet;
Atëherë, me siguri do ta kuptosh – se ti ke qenë në mashtrim të madh!
Pas këtyre vargjeve, sundimtari shpërtheu në lot.

Prandaj, le t’i përgatisim vetvetes një dritë në varr, dhe nuk mund të kemi atje dritë, përveçse me besim dhe vepra të mira.

Në një transmetim thuhet se, derisa Pejgamberi savs ishte në një marshim në Tebuk … Një natë e zuri gjumi bashkë me sahabët e tij. Ibn Mesudi rrëfen:

“Unë u ngrita, e shikova në shtrat Pejgamberin savs, dhe nuk e pashë të shtrirë. I vura dorën time në shtratin e tij dhe pashë se ishte i ftohtë dhe se i Dërguari i Allahut nuk është aty. E kërkova edhe Ebu Bekrin dhe Omerin r.a. por nuk i gjeta.
Pastaj e pashë një dritë në vendin ku ishte kufiri përfundimtar i trupave muslimane. Shkova deri te ai vend dhe e pash një varr të gërmuar. Pejgamberi savs kishte zbritur në të. Ishte një xhenaze. Ebu Bekri dhe Omeri e bartën xhenazen dhe ia lëshuan Pejgamberit savs, kurse ai e vendosi në varr, duke qarë, u kthye kah kibla, i ngriti duart dhe tha: “O Allah, unë kam qenë i kënaqur me të, andaj bëhu edhe Ti!
Thotë Ibn Mesudi: Pasha Allahun, në atë moment, dëshirova që unë të isha në vendin e atij të vdekuri!”

Omer b. Abdulazizi ka qenë një nga halifët Emevit. Para se të bëhej halif, nga disa herë në ditë i ndërronte rrobat dhe vishte rroba të reja. Ari dhe argjendi ishte në duart e tij. Kishte shërbëtorë dhe pallate. Çfarëdo që dëshironte e kishte brenda mundësive.
Mirëpo, kur u bë halif dhe mori përgjegjësinë e qeverisjes së muslimanëve dhe të shtetit, të gjitha ato i la duke e kujtuar varrin, jetën në varr dhe natën e parë në të.
Një ditë ai u ngjit në minber për të mbajtur hutben dhe u shkreh në vaj, pastaj tha:
“E kam dhënë betimin para umetit të Muhamedit savs” Aty kishte qeveritarë, ministra, dijetarë, poetë dhe gjeneralë.
Pastaj vazhdoi: “Unë nuk dua pushtet!”
Ata u përgjigjën se nuk duan askënd tjetër përveç tij!
Nuk kishte kaluar as një javë nga dita kur u bë halif i muslimanëve, dhe ai nuk e donte atë, Omeri dukej si një njeri i sëmurë dhe i plakur. Ai nuk kishte më shumë se një palë rroba.
Duke i vërejtur ndryshimet në të, disa e kishin pyetur gruan e tij: “Çka po ndodh me Omerin?” – Pasha Allahun, ai kurrsesi nuk fle, ishte përgjigjur ajo.
Ai bie në shtrat, por aq shumë rrotullohet sikur të jetë shtrirë mbi prush, thotë ajo. Vazhdimisht e përsërit: “Uh, uh. Kam marrë mbi vete përgjegjësinë për të udhëhequr umetin e Muhamedit savs, kurse në Ditën e Gjykimit do të më drejtohen dhe nga unë do të kërkojnë llogari për të drejtat e tyre edhe të varfrit edhe nevojtarët edhe fëmijët jetimë edhe gratë e braktisura!”

Pastaj një nga dijetarët erdhi dhe i tha: “O udhëheqës i besimtarëve! Ne e dimë këtë edhe më parë, ende pa e marrë pushtetin, ti ke qenë në bollëk, i gëzuar dhe i shëndetshëm. Çka të ndryshoi kaq shumë dhe pse?”

Omeri atëherë u shkreh në vaj aq shumë sa që filloi të dridhet nga vaji. Pastaj i tha këtij dijetari (ai ishte Ibn Zijadi): “Çka mendon ti, si do të dukem unë në varr pas tri ditësh? Si do të dukem atëherë, pa rroba, i mbushur me pluhur, i ndarë nga shokët?

Ibn Zijadi i tha: “Pasha Allahun, tash e di unë se çka po të mundon ty.” Ajo se çka kemi përgatitur për atë natë?

Pejgamberi savs thotë: “Varri është ose një kopsht nga kopshtet e xhenetit, ose një humnerë nga humnerat e xhehenemit.”

Osmani r.a. kur e përcillte ndonjë xhenaze, aq shumë bënte vaj derisa rrëzohej pa ndjenja, dhe ashtu të dërrmuar e bartnin në shtëpi siç bartet xhenazja.

Në një rast, i thanë Osmanitr r.a.: “Çka ndodhi me ty?
Ai u përgjigj: “E kam dëgjuar Pejgamberin savs duke thënë: “Varri është stacioni i parë i botës tjetër.”

Dhe, nëse njeriu kalon mirë në varr, ka arritur sukses dhe ka shpëtuar, por nëse ndëshkohet në varr, është frikë se edhe në botën tjetër do të jetë i shkatërruar.

A’ID B. ABDULLAH EL-KARNI
Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit