6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut, i Cili i ka dalluar disa kohë ndaj të tjerëve, i Cili na ka nxitur për t’i kryer veprimet vullnetare dhe ato të detyruara, na ka urdhëruar që të përgatitemi për Ditën e paraqitjes para Tij.

Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë për Pejgamberin tonë, Muhamedin, njeriun më të mirë që është falur dhe ka agjëruar, i cili ka kryer detyrimet ndaj Allahut në formën më të mirë të mundshme, për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Akoma vazhdojmë të jetojmë në këto ditë dhe net të begatshme, që janë dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, e të cilat i ka veçuar i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, me adhurim më shumë se në çdo kohë tjetër.

Vëllai im musliman!

Prej begatisë së Allahut ndaj nesh është edhe fakti se e ka bërë një natë në këto dhjetë ditë që konsiderohet më e vlefshme se njëmijë muaj. Me këtë natë të begatshme do të ndalemi në ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, tregon për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, siç shënon Muslimi në përmbledhjen e tij të saktë, e cila thotë se:

“I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, angazhohej në adhurim gjatë dhjetë netëve të fundit më shumë se në çdo kohë tjetër të vitit.”[1]

Gjithashtu në dy përmbledhjet e sakta, transmetohet nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, e cila tregon:

Kur fillonte dhjetëditëshi i fundit, i Dërguari i Allahut e shtrëngonte rripin, e ngjallte natën me adhurime dhe e zgjonte familjen.”[2]

Shtrëngimi i rripit: Në formë figurative shpreh të larguarit nga gratë me qëllim të preokupimit me namaz, me të përkujtuarit e Allahut, dhe e ngjallte natën me namaz, me lexim të Kur’anit, me të përmendurit e Allahut, me lutje dhe përgjërim ndaj Allahut, Zotit të botëve.

Përse e tërë kjo muslimanë të nderuar?

Për shkak të kujdesit të tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për shfrytëzimin e këtyre netëve të begatshme, të cilat meritojnë që në to të adhurohet Allahu. Vërtet, këto net janë mundësi e jetës, janë fitim për atë që i jep sukses Allahu i Madhërishëm për në mirësi. Ndaj, nuk duhet për besimtarin e mençur që ta humbasë për veten dhe për familjen e tij këtë mundësi madhore dhe këto net të çmueshme, ngase ato nuk janë veçse orë të shkurtra, net të numëruara ndoshta njeriu mund të arrijë ndonjë dhuratë prej dhuratave të Allahut të Madhërishëm e të jenë lumturi për të në këtë botë dhe në botën tjetër.

Ndalesa e dytë:

Fakti që i shton vlerën këtyre netëve dhe i ngrit shkallët është se: Allahu i Madhërishëm i ka begatuar robërit e Vet besimtarë duke e bërë një natë në këtë muaj më të vlefshme se njëmijë muaj. Po, njëmijë muaj apo tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj. Sa dhunti e madhe! Sa dhuratë e madhe! Mundësi hyjnore, në të cilën nuk i jepet sukses vetëm atyre që i kanë veprat e sinqerta për hir të Allahut, atyre që i veprojnë veprat e mira, atyre që pendohen tek Allahu i Lartësuar, atyre që i frikësohen Zotit të tyre, atyre që shpresojnë mëshirën dhe faljen e Tij. Allahu i Madhërishëm përkitazi me këtë natë thotë:

“Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 1-5)

Gjithashtu Ai thotë:

“Ne e zbritëm Kur’anin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kur’anit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!” (Duhan, 3-8)

Ajo është një natë e bekuar për shkak të mirësive të shumta të saj, për shkak të begative dhe vlerës së saj. E si të mos jetë kështu kur në të është zbritur Kur’ani, në të zgjidhet dhe vendoset çdo gjë që do të ndodhë nga urdhri i Allahut të Lartësuar në atë vit, furnizimet dhe fatet, e mira dhe e keqja dhe gjëra të tjera me urdhrin e përcaktuar nga Vet Allahu?

Ajo natë është më e mirë se njëmijë muaj në vlerën, begatinë, mirësinë, shpërblimin dhe sevapin e madh, në të zbresin engjëjt që nuk refuzojnë ta adhurojnë Atë, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë, zbresin në Tokë me mirësi, begati dhe mëshirë.

Ajo është paqe për besimtarët nga çdo gjë frikë, për shkak të lirimit të madh nga zjarri dhe shpëtimit nga dënimi i xhehenemit.

Në të hiqen mëkatet, shlyhen gjynahet, falen gabimet, pranon lutjet për atë që falet në atë natë duke besuar në Zotin e tij, duke qenë i bindur në dhuratat e Tij, duke llogaritur në sevapin dhe shpërblimin, me nijet të sinqertë për hir të Allahut, duke e marrë si model të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ashtu siç është transmetuar në dy përmbledhjet e sakta nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, ka thënë:

“Kushdo që lutet gjatë natës së Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblimin e saj, do t’i ketë të gjitha mëkatet e mëparshme të falura.”[3]

Ndalesa e tretë:

IDërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, duke sqaruar kufizimin e natës së Kadrit thotë:

“Kërkojeni Lejletul Kadrin gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit.”[4]

Të jetë në netët tek është më e mundshme sesa në netët çift. Buhariu dhe të tjerët shënojnë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Kërkojeni Lejletul Kadrin në netët tek gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit.”[5]

Të jetë në shtatë netët e fundit është më e mundshme. Shënon Buhariu dhe Muslimi nga Ibën Umeri, kënaqësia e Allahut qoftë me të dytë, i cili thotë se disa burra nga shokët e të Dërguarit kanë parë në ëndërr që nata e Kadrit të jetë në shtatëshen e fundit, kurse i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Po shoh se ëndrra juaj është përputhur në shtatëshen e fundit, andaj kush ka vendosur ta kërkojë atë le ta kërkojë në shtatëshen e fundit.”[6]

Ndërsa më e mundshme në shtatëshen e fundit të jetë nata e njëzetë e shtatë. Është transmetuar nga Ubej bin Ka’b, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili ka thënë: “Pasha Allahun unë e di se cila natë është nata për të cilën na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut që të lutemi, ajo është nata e njëzetë e shtatë.”[7]

Dijeni – muslimanë të nderuar – se Nata e Kadrit nuk është e veçuar me një natë të caktuar në të gjitha vitet, por ajo kalon nga një natë në tjetrën nga viti në vitin tjetër. Allahu i Lartësuar e ka fshehur këtë natë për robërit e Vet duke pasur mëshirë ndaj tyre, me qëllim që t’i shtojnë veprat e tyre në kërkimin e saj në të gjitha ato net të vlefshme gjë që do t’i afronte ata tek Allahu i Madhërishëm, që të shtojnë namazin, të përmendurit e Allahut, lutjen, leximin e Kur’anit, lëmoshën, bamirësinë, ndihmën e nevojtarit dhe vepra të tjera të mira.

Ndalesa e katërt:

Vërtet, kjo natë është një mundësi, e cila ndoshta nuk mund t’i përsëritet njeriut herën tjetër. Angazhohu dhe përpiqu në të maksimalisht dhe bëj vepra të mira aq sa ke mundësi.

O ti baba dhe nënë!

Mos e harroni vetveten dhe fëmijët tuaj në këtë natë të bekuar. Merreni model të dashurin tuaj të Dërguarin e Allahut, i cili e ngjallte këtë natë dhe e zgjonte edhe familjen e tij. Mjafton neglizhenca në atë që ka kaluar nga jeta.

O ti tregtar!

Me shpresë se në këtë natë të bekuar do të ndalesh me një ndalesë llogarie me vetveten, që të rishikosh pasurinë tënde, të shikosh me vëmendje llogaritë tuaja, t’i kthehesh Zotit tënd Bujar e Bamirës i Madh.

O ti nëpunës!

Shfrytëzo këtë natë të vlefshme e madhështore që të përmirësosh atë që ke rënë në mëkate e gabime dhe ta trajtosh më mirë aty ku ke qenë neglizhues.

O ti grua muslimane!

A thua nuk ka ardhur koha që t’i rishikosh llogaritë tua me Zotin tënd të Lartësuar në atë që të ka obliguar dhe ta bësh këtë natë të bekuar një hap të ecësh më përpara?

Nëse di – vëllai im musliman – vlerat e kësaj nate të bekuar dhe di se ajo është e kufizuar në dhjetë net të fundit të Ramazanit, atëherë angazhohu, përpiqu në çdo natë të saj me namaz, me të përkujtuarit e Allahut, me lutje, pendim dhe kërkim falje me shpresë se do ta e gjesh e përputhesh e të gëzohesh me lumturinë pas së cilës nuk do të dëshpërohesh më asnjëherë.

Në këtë natë lutu me lutjet përmbledhëse për mirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër, prej këtyre lutjeve përmendim:

1. “O Allah, ma përmirëso fenë time, e cila është mbrojtje e çështjes sime. Ma përmirëso këtë botë, ngase në të jetoj, ma përmirëso jetën e ardhme, ngase atje do të shkoj (kthehem). Ma mundëso të jetoj derisa jeta të jetë e mirë (për mua), dhe më jep vdekje, kur vdekja do të jetë e mirë (për mua). Ma mundëso që jeta ime të jetë përforcim në çdo të mirë, ndërsa vdekja ime, paqe dhe shpërblim nga çdo e keqe. O Allah më liro nga zjarri i xhehenemit, ma zgjero riskun tim hallall dhe më largo nga unë të këqijat e xhindeve  dhe të njerëzve, o i Gjallë e Mbikëqyrës.”

2. “O Allah, unë kërkoj prej Teje udhëzimin, devotshmërinë, faljen dhe mjaftueshmërinë.”

3. “O Allah, Ti je Falës, Bujar dhe e do faljen, ndaj më fal mua.”

4.O Allah, na përmirëso fundin tonë në të gjitha çështjet dhe na fsheh nga turpi i kësaj bote dhe dënimi i botës tjetër.”

Si dhe lutje të tjera të transmetuara.

E lus Allahun e Madhërishëm të mos na privojë shpërblimin e kësaj nate të bekuar, të na bëjë prej atyre që bëjnë gara për në mirësi, të na pastrojë qëllimet tona, të na bëjë prej atyre që u largohen të ndaluarave dhe atyre që veprojnë vepra të mira, të sigurt në dhomat me ata që i ka begatuar Allahu i Lartësuar dhe i ka ruajtur nga të këqijat. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Muslimi, 2/832, nr. 1175. Ibën Maxhe, 1/562 nr. 1767.

[2] Buhariu 4/269 nr. 2024. Muslimi, 2/832 nr. 1174.

[3] Buhariu me Fet’h, 4/115,nr. 1901. Muslimi, 1/524 nr. 760.

[4] Buhariu me Fet’h, 4/259 nr. 2020. Muslimi, 2/828.

[5] Buhariu, 4/259 nr. 2017.

[6] Buhariu 4/256 nr. 2015. Muslimi, 2/822.

[7] Muslimi, 2/828 nr. 7620.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit