12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Namazi

Më të lexuarat

Për këtë shkresë më nxiti një ajet Kur’anor shumë i rëndësishëm, sidomos për ata të cilët të nxitur nga armiku i përbetuar i njerëzve, shejtani i mallkuar, thonë se neve na mjafton që e kemi zemrën e mirë dhe se bën edhe pa e falur namazin.

E kam fjalën për ajetin 43 të Sures/Kapitullit 74, El-Muddeththir, në të cilin Allahu i Lartësuar i përmend banorët e zjarrit/xhehenemit kur pyeten se pse janë aty. Dhe ata thonë se ne ishim prej atyre që nuk falnim namaz.

Ja si përshkruhet kjo gjë në Kuran, pra 74,40-47:

Ata në xhenete do të bisedojnë; për mëkatarët. “Çka ju solli në Sekar”? Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz); Dhe të varfrit nuk i kemi ushqyer, Dhe kemi llomotitur me llomotitësit, Edhe e kemi pas mohuar ditën e kijametit, Deri sa na erdhi vdekja”.

Kurse në po të njëjtën Sure vetëm pak më lart Allahu i Gjithëpushtetshëm tregon se çka është Sekari. Pra, në 74,27-29 thuhet si vijon:

E, ku e di ti se çka është Sekari?; Ai nuk lë send të mbetet pa e djegur.; Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat.

Nuk thotë kot Allahu i Lartësuar në Kuran 51,56 se Ai na krijoi neve veç për ta adhuruar Atë dhe për asgjë tjetër, në këtë mënyrë:

Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë!

Pastaj sa e sa herë na thërret Zoti Madhështor që ta falim namazin, ta japim zekatin, e kështu me radhë. Porse, gjithmonë e para e të parave apo kryesorja e kryesoreve është NAMAZI. Le të shikojmë vetëm Suren e dytë/El-Bekare, se sa herë përmendet namazi në të. Pra së paku 8 herë vetëm në këtë Sure, në këto ajete:

3, 43, 83, 110, 125, 177, 238, 277

E si të mos falemi pra, kur Krijuesi ynë i Gjithëdijshëm na i ka dhënë 24 orë në ditë në dispozicionin tonë dhe vetëm pesë herë ka kërkuar t’i nënshtrohemi në adhurim/namaz, e gjithsej ato pesë vakte duke përfshirë edhe abdesin bëjnë përafërsisht 5 x 5 minuta = 25 minuta.

E nëse dikush merr guximin ta kontestojë, përkatësisht të vë në dyshim se Kur’ani nuk është 100% fjalë e Krijuesit Madhështor – Allahut të Lartësuar, atëherë edhe për të ka përgjigje, me të cilat fjalën e Tij e bën të kapshme me logjikën tonë.

I njëjti Zoti Madhështor që po thotë qindra herë në Kur’an FALE NAMAZIN, FALE NAMAZIN, FALE NAMAZIN, … i ka cekur në po të njëjtin burim para 1400 vjetëve shumë mrekulli shkencore, astronomike, matematikore, e kështu me radhë, të cilat në shekullin tonë janë vërtetuar nga shkenca dhe të cilën listë ua kam dërguar kohë më parë.

SubhanAllah, sa i humbur apo i marrë duhet të jetë njeriu që të mos i shohë këto fakte, përveç se nëse dëshiron të jetë prej atyre që Zoti i Lartësuar i përshkruan si vijon në Kuran 7,179:

Ne kemi krijuar, me të vërtetë, shumë xhinë dhe njerëz për xhehenem: ata kanë zemra (mend) me të cilat nuk kuptojnë, kanë sy me të cilët nuk shohin, kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si shtazë, madje, edhe më të zi. Ata janë të pakujdesshëm.

Shpërndajeni këtë sikurse edhe shkresat tjera më tutje për hir të Allahut të Lartësuar duke u munduar që të bëhemi shkaktarë për shpëtimin e sa më shumë njerëzve nga zjarri i xhehenemit, duke filluar nga familjet tona dhe më gjerë.

Sa i përket familjes Zoti i Lartësuar në Kur’an 66,6 thotë kështu:

O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse të të cilit janë njerëzit dhe gurët, dhe të cilin e mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm dhe të ashpër, të cilët nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut dhe të cilët punojnë për atë që urdhërohen.

Ndërsa, në aspektin e përgjithshëm përmendet si vijon në Kuran 2,159

“Ata që fshehin argumentet dhe faktet Tona të qarta, që i kemi shpallur, dhe orientimin e drejtë që ua kemi treguar njerëzve, ata i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe të gjithë ata që janë kompetentë të mallkojnë”

Zoti i Lartësuar ju dërgoftë të mirat e Tij në dynja = para se gjithash udhëzimin, porse mbi të gjitha në ahiret = xhenetin, që s’ka më mirë se ai, përveç bukurisë së Krijuesit tonë. Allahu Mëshirëplotë na e mundësoftë që të jemi prej atyre që do ta shohim bukurinë e Tij në xhenet.

Paqja, bekimi dhe mëshira e Allahut Fuqiplotë qofshin me juve.

 

Burim Sogojeva, Gjermani, 18.01.2011

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit