6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Namazi i natës dhe teravitë

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut për begatitë me të cilat na shpërblen. Falënderimi i përket Atij, i Cili na jep suksesin dhe dhuntitë. Dëshmoj se s’ka të adhuruar me meritë askush tjetër pos Allahut. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë për të Dërguarin tonë, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij si dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet, Ramazani konsiderohet shkollë e besimit, prej së cilës besimtarët furnizohen me iman dhe devotshmëri. Si të mos jetë kështu, kur agjërimi është adhurim i vazhdueshëm gjatë tërë orëve të natës dhe të ditës? Duke filluar me leximin, të përmendurit e Allahut, namazin e detyrueshëm dhe atë të natës vullnetar, bamirësinë, bujarinë, lëmoshën dhe zekatin, urdhërimin për në të mirë dhe ndalimin nga e keqja dhe vepra të tjera të mira, përfshirë këtu edhe preokupimin e mendjes në atë që afron tek Allahu i Lartësuar, në garën e lavdëruar dhe në konkurrencën drejt xhenetit të përjetshëm.

S’ka dyshim se prej gjërave që nxisin drejt kësaj gare dhe konkurrence në këtë muaj të bekuar është adhurimi madhor, me të cilin karakterizohet Ramazani me një karakter të përbashkët të veçantë, me një adhurim për të cilin përmallohet zemra besimtare, e cila kërkon kënaqësinë e Allahut të Madhërishëm, që shpreson atë që ka përgatitur për robërit e Tij garues në vepra të mira dhe frikësohet nga ajo me të cilën i ka kërcënuar jobesimtarët dhe mëkatarët.

Me një vështrim në xhamitë pas namazit të jacisë në këtë muaj të bekuar, gjen besimtarët nga një dhe në grupe, zemrat e tyre janë të gatshme për ta kryer namazin e teravisë, i kanë përgatitur zemrat e tyre për të përgjëruar Zotin e Madhërishëm, i kanë liruar mendimet e tyre për atë adhurim, me shpresë se lutjet e tyre do të jenë të pranuara.

Me namazin e natës dhe atë të teravisë do të ndalemi disa ndalesa:

Ndalesa e parë:

Namazi i teravisë në Ramazan është shembull për namazin e natës, rëndësinë e të cilit e ka lavdëruar Allahu i Lartësuar në Librin e Tij, duke sqaruar vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka dhe se çdo besimtar i karakterizuar me të është objekt i lavdërimit. Allahu i Madhërishëm duke sqaruar cilësitë e besimtarëve të sinqertë thotë:

“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Sexhde, 16-17)

Ndaj, prej cilësive të besimtarëve janë: Moszgjatja e gjumit natën, andaj nata nuk u shkon kot, por veçohet një pjesë e saj për namaz dhe lutje duke shpresuar në atë që u ka përgatitur Allahu i Madhërishëm atyre që falen si dhe duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar. Askush nuk mund ta imagjinojë shpërblimin e tyre tek Allahu i Madhërishëm. A nuk thotë Allahu:

Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër).”  Përse? “Si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”

Për këtë shkak është transmetuar në hadith të vërtetë që e shënon Imam Muslimi dhe të tjerët se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Namazi më i vlefshëm pas farzeve (obligative) është namazi i natës.”[1]

Vërtet, vështruesi në namazin e natës do të gjejë se ai ka një shije të veçantë, nga aspekti i qetësisë së natës dhe heshtjes së saj, zbrazëtisë së zemrës nga preokupimet e ditës, llogaritjes së individit vetveten, të gjithë këta faktorë ndihmojnë në përuljen, shpresën, frikën dhe afrimin drejt Allahut të Lartësuar. Të gjithë këta faktorë çojnë drejt sinqeritetit të kësaj përulje, të kthyerit e sinqertë tek Allahu i Madhërishëm.

Lexuesi në këtë namaz është i vetëdijshëm në atë që lexon dhe bashkëveprues me të. Kur të lutet për ndonjë lutje, ndërmjet tij dhe Allahut nuk ekziston pengesë. Sa herë që nata lëshon vellon e saj, shtohet errësira e saj dhe njerëzit thellohen në gjumin e tyre, namazi bëhet më i kënaqshëm dhe përgjërimi më i përsosur. Për këtë shkak, Allahu i Lartësuar, falësit në fundin e natës i ka dalluar me karakteristika të veçanta; Allahu i Madhërishëm zbrit me zbritjen që i takon Madhështisë së Tij në qiellin e kësaj bote duke e drejtuar thirrjen e Tij kërkuesve të kënaqësisë së Tij, atyre që shpresojnë shpërblimet e Tij, atyre që frikësohen dënimi të Tij, e drejton thirrjen e Tij çdo lutësi, kërkuesit të faljes dhe kërkuesit të ndihmës:

“Kush më lutet Mua që t‘i përgjigjem atij, kush më kërkon Mua që Unë t‘i jap atij dhe kush pendohet tek Unë ta falë atë?”

O ju agjërues!

Le ta e bëjmë Ramazanin përkujtuesin tonë të këtyre vlerave; që t’i kthehemi Allahut të Lartësuar, ta trajtojmë veten tonë, me shpresë se Allahu do të na dhurojë pranimin dhe kënaqësinë, e namazi i teravisë të jetë ndihmës i yni në çdo kohë për faljen e namazit të natës, me qëllim që të zbatohet për ne fjala e Allahut të Madhërishëm kur flet për robërit e Tij besimtarë:

“Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Dharijat, 17-18)

Ndalesa e dytë:

Namazi i natës – vëlla musliman – në Ramazan ka karakteristikë dhe vlerë mbi adhurime tjera, për faktin se në të bashkohet kënaqësia e agjërimit dhe e faljes së namazit të natës. Shënon Imam Muslimi dhe të tjerët nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme.”[2]

Ndaj, motivi për faljen e namazit të natës janë dy çështje madhore: Besimi në Allahun e Plotfuqishëm dhe llogaritja në shpërblimin e asaj që ka përgatitur Allahu për ata që e falin namazin. Kjo nënkupton se nuk ka vend për nijetin jo të sinqertë, nuk ka vend për dyfaqësinë, prestigj të keq, kryelartësinë dhe qëllime të tjera të natyrës së kësaj bote. Ndaj, atij që nijeti i është i tillë, hisja e tij nga falja është thjesht vetëm lodhja dhe pagjumësia, Allahu na ruajttë!

Ndalesa e tretë:

Namazi i teravisë gjatë muajit të Ramazanit konsiderohet prej namazit të natës dhe prej suneteve të vërtetuara. Shënon Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, fali namazin e teravive në xhami dhe u falën pas tij një numër i konsideruar njerëzish. Pastaj u fal përsëri natën e dytë dhe njerzit qenë më të shumtë, kurse natën e tretë, ose të katërtën, u grumbulluan njerzit në xhami dhe Pejgamberi nuk shkoi, pastaj kur u zgjua tha: “E kam shikuar grumbullimin tuaj dhe nuk më ndaloi gjë tjetër për të ardhur tek ju vetëm se frika që mos t‘ju bëhet obligim.” Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, thotë: “Kjo ishte në Ramazan”[3]

Ky veprim i të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, dëshmon se namazi i teravive falet bashkërisht (me xhemat), ose individualisht. I Dërguari i Allahut, fillimisht e ka falur me xhemat, ndërsa më pas e ka lënë nga mëshira dhe dhembshuria ndaj Umetit të tij, që të mos u bëhet obligim, t’u rëndohet e të mos kenë mundësi ta kryejnë. Mirëpo, të parët e sinqertë, kënaqësia e Allahut qoftë me ta, inkurajuan që të falet me xhemat për shkak se në këtë qëndron nxitja për vepra të mira dhe mospërtacia nga kryerja e tij; për shmangien e përçarjes dhe mospajtimit.

Pikërisht, ky fakt e motivoi Kalifin e drejtë Umer bin el-Hattab, kënaqësia e Allahut qoftë me të, që t’i bashkojë njerëzit me një imam të vetëm. Abdurrahman bin el-Karij thotë: “Shkova me Umer bin Hattabin në xhami, edhe atë në Ramazan dhe vërejtëm se njerëzit ishin të ndarë e të shpërndarë dhe çdokush falej për vete.  Umeri pastaj tha: “Sikur t’i bashkoj ata me një lexues (imam) do të ishte më mirë”, dhe i bashkoi nën udhëheqjen e Ubej bin Ka’bit, kënaqësia e Allahut qoftë me të.

Ndalesa e katërt:

Prej udhëzimit të gjeneratave të para në këtë namaz të begatshëm është: Mosnxitimi në të, qetësia me rastin e kryerjes së tij, madje ata e zgjatnin atë shumë, saqë është transmetuar prej disa prej tyre se mbështeteshin mbi shkop nga leximi i gjatë.

Kjo, na bën të ndiejmë se kush nxitohet në të me një shpejtësi mospërfillëse ose nuk qetësohet në të, ose ambicia e tij është sasia më e madhe e mundshme e të lexuarit pa meditim dhe pa përulje, ky ka gabuar ndaj vetvetes nëse falet individualisht, ndërsa ka gabuar ndaj falësve nëse i drejton ata dhe është imam. Mirëpo, kjo zgjatje nuk nënkupton lodhjen e xhematit dhe bartjen e tyre drejt asaj që nuk e bartin dhe e përballojnë, kështu që të ikin prej këtij namazi. Ndaj mesatarja në çdo gjë është gjëja e kërkuar.

Para se të përmbyllim bisedën tonë rreth këtij riti dhe adhurimi të begatshëm dhe me një shikim të shpejtë rreth realitetit të disa namazfalësve, vërejmë një kujdes, që e gëzon besimtarin me këtë namaz, vërejmë një përgjigje dhe bashkëveprim që shpresoj të shpërblehen për këtë, veçse tek disa njerëz mbizotëron fenomeni i shkuarjes te një imam i caktuar, – e që mund të jetë larg vendbanimit të tij – kështu që i ik obligimi me xhemat ose një pjesë e tij. I tilli, pa dyshim se ka kërkuar shpërblim, mirëpo ka dështuar në atë që konsiderohet më e rëndësishme se ajo. Ndaj, i tilli duhet të falet në xhaminë e tij të afërt ose të shkojë më herët për namaz me qëllim që të mos i ik farzi.

Një pëshpëritje tjetër është për ato gra besimtare të kujdesshme për të kryer vepra të mira dhe që i kërkojnë ato, ato të cilat shpejtojnë për të kryer namazin e teravisë në xhami, e pa dyshim, kjo është për t’u lavdëruar, sepse i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Mos i ndaloni robëreshat e Allahut (femrat) nga xhamitë e Allahut.”[4]

Mirëpo, le ta dijë çdo besimtare – shkurtimisht – se namazi i saj në shtëpi është më i vlefshëm. Por, nëse del për në xhami, le t’i respektojë edukatat e daljes: Zbatimin e mbulesës së ligjshme, mosparfumimin dhe stolisjen, mos të dalë e vetmuar, duke kërkuar shpërblimin ndërkohë ajo bën mëkat.

Vëlla musliman!

Ky muaj i bekuar  s’është veçse net të numëruara, kohë të caktuara, i suksesshëm konsiderohet ai që i shfrytëzon ato pa ikur duke bërë përpjekje në respektimin e urdhrave të Allahut dhe largimin nga ndalesat e Tij, në mënyrë që të fitojë ngritjen e shkallëve, shtimin e mirësive dhe shlyerjen e mëkateve me lejen e Allahut të Lartësuar.

E lus Allahun e Madhërishëm të na falë dhe të na dhurojë kënaqësinë e Tij dhe të na lirojë nga zjarri i xhehenemit. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit