6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Myftiu Tërnava: Dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi!

Më të lexuarat

Në ditën e një xhumaje të pamundur për tu mbajtur, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, iu drejtua me një mesazh të gjithë besimtarëve duke u ofruar një sqarim edhe fetar të situatës që po kalon bota këto ditë.

“E ndjej obligim që në këtë ditë të madhe të xhumasë të jem me ju e pranë jush, që bashkërisht të përfitojmë nga mirësitë, nimetet e porositë që jep ibadeti i xhumasë, që në vete përpos ibadetit ka bashkimin, tubimin e grumbullimin e besimtarëve në mision të qartë – adhurimin e Zotit të gjithëfuqishëm dhe tubimin e komunitetit të një lagjeje së paku një herë në javë në këtë formë për të qenë të bashkuar në shtëpinë e Zotit – xhamitë tona”, shprehet Tërnava.

Mesazhi i plotë:

Motra e vëllezër!

Pandemia na ka privuar nga rrjedha normale e jetesës, nxënësit nuk i kemi nëpër shkolla, të vegjlit nuk i kemi në kopshte e çerdhe, studentët nuk i kemi në studime.

Si masë parandaluese në shumë sektorë është ndërprerë puna e aktiviteti. Punohet vetëm në institucionet vitale, nga popullata presim një disiplinë dhe zbatim të udhëzimeve e vendimeve të institucioneve profesionale të vendit e para së gjithash Institutit kombëtarë të shëndetit publik dhe vendimeve të qeverisë së vendit.

Zbatimi i udhëzimeve e vendimeve të tyre në këtë situatë, është obligim njerëzor, human, moral e edhe obligim fetar. Sepse ruajmë shëndetin tonë, ruajmë fëmijët tanë, familjet tona dhe ruajmë komunitetin ku jetojmë e veprojmë.

Ruajtjen e shëndetit e kemi farz nga i madhi Zot, kujdesin për shëndetin e fëmijëve e kemi farz nga i madhi Zot, kujdesin ndaj familjes e kemi po ashtu farz nga i madhi Zot.
Çka kërkohet nga ne, është që të rrimë në shtëpi, që të ruajmë vetën, fëmijët, familjen e komunitetin.

Sikurse që kërkohet nga ne të shtojmë edhe më kujdesim për pastërtinë e higjienën tonë, me fe e kemi farz që të jemi vet të pastër, të kemi ambient të pastër e rrethin ku jetojmë ta pastrojmë.

S’ka dyshim se në këtë kohë kërkohet nga ne të kemi sabër e durim të shtuar, edhe durimin këtë e kemi parim nga mësimet e fesë sonë fisnike dhe se vërtetë Zoti i do ata që bëjnë durim.

Vëllezër e motra!

Virusi ka krijuar një situatë jonormale në gjithë botën , e për ta tejkaluar këtë gjendje na duhet unitet e solidaritet mes vete, na duhet mbështetje e përkrahej për njëri tjetrin.
Kërkohet nga ne që të kemi hallin e tjetrit, hallin e atij që ka nevojë për përkujdesjen dhe mbështetjen tonë.
Sot para jush, e bashkë me ju edhe njëherë duhet të shpreh admirimin tim për punën që po bëjnë mjekët, infermierët e të gjithë specialistët e fushës në luftë me virusin. Lus Zotin që ti ndihmojë ata në misionin e tyre fisnik.

Po ashtu në këtë vakt të bekuar te xhumasë dua të falënderoj të gjithë donatorët që kanë dhënë nga pasuria e tyre për të ndihmuar ata që kanë nevojë. E shoh të udhës ta them edhe këtë porosi gjithë atyre që Zoti ju ka dhënë mundësi e pasuri, le të ndihmojnë e mos të frikohen nga pakësimi i pasurisë, sepse kështu na mëson feja jonë, kështu na mëson edhe tradita jonë, e mos harroni kurrë thënien e Muhamedit alejhi selam i cili na porositë e thotë , “nuk duhet të dij dora e majtë çfarë ka dhënë, e sa ka dhënë dora e djathtë”.

Me këtë rast përgëzoj po ashtu edhe aktivistët e shoqatës tonë humanitare Bereqeti dhe Këshillat e Bashkësisë Islame për punën që bëjnë në terren gjithandej Kosovës e në veçanti në zonat e prekura me virusin Covid =19.

Vëllezër e motra,

Në këtë ditë xhumaje kërkoj nga imamët, mualimët, hatibët, muezinët e gjithë zyrtarët tjerë të Bashkësisë Islame anë e kënd vendit që te jenë pranë besimtarëve, pranë komunitetit e të bëjnë më të mirën e mundshme për të mirën e njerëzve, – këtë e kemi detyrë e obligim ndaj tyre.

Vëllezër e motra

Për të gjithë besimtarët përgëzimi kuranor dhe porosia islame “ se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi” është e njohur për të gjithë ne, prandaj duhet të besojmë thellë se me emër të Zotit e me ndihmën e Tij edhe këtë sfidë do ta kalojmë dhe do i kthehemi jetës sonë normale, por për të tejkaluar me lehtë e më shpejtë na duhet në rend të parë disiplina, se nëse arrijmë të shmangim qoftë edhe një rast te vetëm , për ne do të thotë shumë, do të thotë që do e tejkalojmë këtë gjendje më shpejtë e me më pak pasoja.

Gjatë kësaj kohe ju ftoj që të bëni më shumë namaz e ibadet, të kaloni kohën me leximin e Kuranit të madhëruar, të kaloni kohën me udhëzimet e me porositë e Muhamed mustafasë e të pejgamberëve të tjerë të cilët gjatë jetës së tyre dhe misionit fisnik , edhe pse të përzgjedhur të Zotit u sprovuan me vështirësitë nga më të ndryshmet, kujtojmë këtu sëmundjen e Ejubit a.s, sfidën e Nuhit a.s me Tufanin , po sikur edhe e tërë jeta e misioni i pejgamberit tonë Muhamedit a.s. qe një sfidë.

Kur lexojmë Kuranin fisnik , ai na bënë të qartë që të dërguarit e Zotit asnjëherë nuk u zmbrapsen para sfidave ,porse me besim e përkushtim, durim, urtësi e disiplinë i tejkaluan ato. Nëse dëshirojmë të kalojmë këtë sfidë sa më lehtë detyrimisht duhet të ndjekim e pasojmë mësimet e udhëzimet e tyre. Shikoni se çfarë na ka mësuar e porositur Muhamedi a.s me rastin e epidemive, porosia e të cilit edhe sot e kësaj dite e deri në kiamet ruan aktualitetin “Nëse dëgjoni se diku ka rënë një epidemi, mos shkoni në atë vend! Nëse godet epidemia një vend dhe ju ndodheni aty, mos u largoni që andej për t’i shpëtuar!”. Po ashtu shumë domethënës për këtë situatën në të cilën gjendemi është duaja e pejgamberit Muhamedi a.s.

“O Zot na ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.”

Lusim Zotin e gjithësisë që kjo situatë të kaloj sa më parë, që ne ti kthehemi misionit tonë, punëve e detyrave tonë, shkollave e xhamive tona.

“O Zot ruaje popullin dhe vatanin tim”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit