Myftiu Sytari: Tek ne drejtësia është bërë lanet! Ky është shekulli i Islamit!

0

Nga Ylli Pata

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, është ndër figurat më të zëshme klerikale në vend. Kurajoz për ta thënë atë që mendon, por dhe i urtë në mënyrën e të thënit, mesazhet e tij kapërcejnë sahera muret e xhamisë apo të institucionit që drejton, për të tërhequr çdo vesh të jetës publike.

Në një intervistë për tesheshi.com, ai flet për ato çka e trishtojnë, sidomos në vendin ku jeton, ku nuk ngurron të përcjellë një kritikë dhe për sivëllezërit e tij klerikë myslimanë; jo për atë që thonë e bëjnë, por të kundërtën: atë që nuk thonë e nuk bëjnë.

E trishton përhapja e padrejtësisë në këtë vend, që, siç thotë, është bërë lanet, por dhe korrupsioni e degjenerimi moral.

E sa për islamofobinë, një tjetër çështje e nxehtë e aktualitetit, e sheh atë vetëm si afirmim i faktit se ky shekull është i Islamit…

Fillimisht do ju kujtoja se për ju, krerët fetarë, ishte Fatos Lubonja ai që vite më parë tha se duhej të ishit më aktivë për të diktuar morale në shoqëri. Ishte viti `97. Nuk ju pyes a e ka patur mirë, se nuk ka gjasë të thoni “jo”, porse a po e përligjni ju këtë?

Nuk kam qenë në Shqipëri në vitin 1997, isha student në Damask. Nga arkivat tona, arrij të konstatoj se prijësit fetarë (të paktën në Shkodër), kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e njerëzve për të ulur armët, për t’u paqtuar, për të shkrirë akujt e përçarjes. Realisht, akoma nuk është zbardhur si duhet roli i tyre në ato ditë.

Që në momentet e para të shfaqjes së kolerës së fajdeve, Myftiu i Shkodrës, (asokohe, H. Faik Hoxha), ka dhënë disa herë mesazhe të forta kundër këtij fenomeni, sikurse ka ftuar njerëzit të distancohen prej tij.

Ju keni të drejtë që e bëni këtë pyetje. E vërteta, sipas mendimit dhe arsyetimit tim është se në realitetet e sotme shqiptare ka një plogështi të madhe përsa i përket rolit që duhet të kenë imamët, myftilerët, thirrësit islamë në përgjithësi. Ka një gjendje përgjumjeje të frikshme, që ka nevojë për stimulim, për një zgjim të detyrueshëm; fetarisht, moralisht, etikisht dhe për të mirën e kombit. Absolutisht!

A po e përligjim ne imamët, teologët, thirrësit, myftilerët, vaizët e hatibët obligimin e madh të Thirrjes Islame, si duhet? Jo, pa asnjë mëdyshje! Ka ende shumë e shumë për të bërë, për të rivënë në vendin e duhur, për të qartësuar, për të ftuar drejt vlerave dhe moralit islam me krenari legjitime e pa ndrojtje ndaj askujt!

Fjala e urtë thotë: “Jo çdo gjë që dihet, thuhet!”, prandaj po mjaftohem me kaq në këtë pikë.

Më konkretisht, nga predikimi juaj, çfarë fiton individi? Ç’lloj qytetari del nga xhamia? Cili është ai më pas në shoqëri, në marrëdhënie me njerëzit, qoftë edhe me shtetin?

Para disa vitesh kam përkthyer në shqip dijetarin e shquar sirian, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), kryemyftiu i shquar dhe një ndër burrat e urtë të shekullit në rrafsh global. Ai i përgjigjet më së miri kësaj pyetje. Ndër të tjera, thotë: “Islami akuzohet sot për terrorizëm, ndërkohë që kjo është një akuzë jo e saktë, pasi fjala Islam e ka prejardhjen nga paqja, madje një ndër emrat dhe vetitë e All-llahut është edhe Es-Selamu: Ndërtuesi dhe nxitësi i Paqes. Paqja nuk realizohet nga OKB- ja as nga Këshilli i Sigurimit, por duke ecur njerëzimi në hartën e rrugës hyjnore, të cilën na e ka vizatuar All-llahu në Kur’anin Famëlartë, të cilin e ka filluar, së pari me prezantimin e Vetes së Tij, duke thënë: “Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave”, jo Zotit të myslimanëve vetëm, as Zotit të kristianëve apo çifutëve, as Zotit të të bardhëve apo të zezakëve… Zotit të botërave.

Bota sot, jeton në mes të vrasjeve dhe shpërnguljeve, megjithë prezencën e OKB- së apo KS- së, kjo për arsyen se edhe vetë Këshilli i Sigurimit nuk mund të zbatojë vendimet e tij, pa u miratuar nga pesë anëtarët e tij të mëdhenj!

Një sistem i tillë nuk mund të realizojë paqen në botë, pasi paqja është shpërndarja e drejtësisë për krejt njerëzit, pa dallim në mes të mbretit a presidentit, të bardhit a të ziut!

Por zemra ime është e mbushur me shpresë, se e ardhmja e afërt, me ndihmën e Allahut, do të jetë e paqes, por sipas hartës së Zotit që ka vizatuar në Kur’an, të përmbledhur në fjalët e Tij drejtuar Muhammedit (a.s): “Ne nuk të dërguam ty (o Muhammed) vetëm se mëshirë për të gjitha botërat”.

Njeriu në këtë kohë ka arritur të shpikë armë që shkatërrojnë njeriun, kafshën e bimën, dhe nuk e dimë nëse plasë ndonjë luftë, cilat do të jenë rezultatet e pasojat për familjen njerëzore?

Cila është zgjidhja atëherë? Zgjidhja është të kthehemi nga misioni i qiellit, me të cilin Zoti (xh.sh) dërgoi profetët e Tij, Ibrahimin, Musain, Isain dhe vulën e tyre Muhammedin (a.s), misionin e të cilit e bëri gjithëpërfshirës të misioneve të mëparshme profetike.

Nëpërmjet atij misioni, paqja dhe siguria përfshiu të gjithë Gadishullin Arabik, saqë femra dilte në shkretëtirë dhe nuk frikësohej vetëm se nga egërsirat dhe nxehtësia e madhe… Ndërsa të frikësohet egërsira nga njeriu, këtë po e shohim vetëm në këto ditë!?

Islami e ktheu njeriun në origjinën e tij, që është njeriu human, pasi Zoti (xh.sh) e di më së miri se për çfarë ka nevojë njeriu, pasi Ai është Krijuesi i tij nga një pikë e vogël uji që s’ shikohet me sy të lirë, e cila kur bashkohet me vezoren, formohet njeriu.

Pikërisht këtë fragment të mrekullueshëm që para pak kohësh e zbuloi edhe vetë shkenca, Kur’ani e tregonte para 14 shekujsh, ku Allahu thotë: “Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, andaj e bëmë të dëgjojë e të shohë”…”

Mendoj se një besimtar musliman, që mëkohet në xhami me respektimin e fesë dhe shenjtërimin e saj, respektimin e jetës dhe shenjtërimin e saj, respektimin e mendjes dhe shenjtërimin e saj, respektimin e pronës dhe shenjtërimin e saj dhe respektimin e nderit dhe shenjtërimin e tij, jo vetëm që është model për t’u admiruar, por vetë shteti duhet të kontribuojë maksimalisht për përhapjen e kësaj fryme, që garanton harmoni kombëtare, vlera të garantuara intelektuale, moral të shëndoshë social, zhvillim teknologjik, paqe sociale, por jo vetëm!

Jo më kot, në fund të pyetjes paraardhëse ju përmenda shtetin, gjë që lidhet dhe me diç nga pyetja e parë. Mesa dihet, në Islam, edhe të vjedhësh shtetin është po aq e rëndë sa dhe të vjedhësh një individ. Keni bërë ndonjëherë thirrje në xhami që mos vidhet energjia, meqë jeni dhe nga një qytet i njohur për mospagesë energjie dhe meqë kjo ka qenë ndër vjedhjet më të përhapura?

Fillimisht, më lejoni t’ju rregulloj pak pyetjen. Unë jam nga një qytet, ku njerëzve u vijnë fatura të frikshme të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm dhe ku, askush nuk mban asnjë përgjegjësi. Unë jam nga një qytet, ku xhamive dhe aktiviteteve ekonomike të Myftinisë Shkodër i vijnë fatura të pandershme dhe të pasakta dhe, askush nuk mban përgjegjësi! Një realitet i ndërlikuar, ku padrejtësitë duhet t’i zgjidhësh si të mundesh, duke u ruajtur të mos prekesh nga duhma e keqe e një atmosfere dehëse, nga anarshia, paaftësia dhe neglizhenca mbytëse!

Ndërsa përsa i përket pjesës së parë të pyetjes, them përherë se vjedhja është vjedhje; haram, e ndaluar, e dënuar, e dënueshme në Islam. Nuk i lejohet muslimanit të vjedhë, as drita, as ujë, asgjë prej gjëje. Shteti nuk është armik! Prona shtetërore është pronë e krejtve, është pasuri kombëtare, përgjegjësi e krejtve, mirësi e krejtve!

Kemi bërë dhe bëjmë thirrje të ekuilibruara, që mos të ndikojë parregullsia e atyre që duhet të bëjnë rregull e ta mbrojnë atë, për të mos qenë të drejtë! Muslimani është i drejtë, largpamës. Imagjino, në të gjitha vendet ku shkonin muslimanët, sidomos ku merrnin drejtimin e vendeve e tokave, porosia për ruajtjen dhe respektimin e pronave të të krishterëve, a jomuslimanëve të tjerë, ishte primare! Kështu ka qenë e kështu do të jetë përherë. Për këtë, sociologu dhe antropologu i famshëm francez, Gustav Le Bon (1841-1931) thoshte: “Nuk ka njohur historia çlirimtarë më mëshirues sesa muslimanët!” Natyrshëm, për virtytet dhe korrektësinë e trajtimit të gjërave në jetë.

Ndryshe nga Lubonja, një pjesë tjetër mendojnë të kundërtën: që ju predikuesit fetarë të shihni punët e fesë e mos ngatërroheni në punë tjera. Pse vjen kjo mendësi dhe ku çalon ajo, nëse çalon vërtet?

Është normale që ne do shohim punët e fesë, prej së cilës edukohemi dhe mësohemi të jemi qytetarë të ndershëm, punëtorë të zellshëm, shtetformues të drejtë e sakrifikues për interesin e kombit dhe vëllezërve e motrave tanë, pa dallim feje!

Është normale që do vazhdojmë të nxisim të rinjtë që të mos jenë parazitë në shoqëri, mos ta humbin kohën, të mësojnë gjuhë të huaja, të lexojnë e të studiojnë, të krijojnë familje, të përkujdesen për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, ta duan tokën e tyre, të luten për mirëqenien dhe paqen sociale dhe të punojnë për të!

Është normale që do vazhdojmë të bëjmë punën tonë duke nxitur forcimin e elementit fetar dhe ndërgjegjësimit islam në komunitet, kudo që të jemi, të bindur se jemi dhe do të vazhdojmë të jemi bij të përkushtuar të Shqipërisë tonë të shtrenjtë, një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e paqtë global të ymmetit islam!

Ndërsa atyre që mendojnë të kundërtën nuk u them asgjë, thjeshtë të lexojnë e të kuptojnë më shumë shpirtin e madh të Islamit dhe faktin se në fenë e Muhammedit (a.s), nuk ndahet jeta në segmente, jetohet dhe mbrohet në çdo detaj, punohet dhe kontribuohet për çdo detaj!

Kjo më kujton një lexim të hershëm, botuar në revistën “Zani i Naltë”, në vitin 1937, ku autori, Vehbi Hoxha (dijetari i shquar, Imam Vehbi (Hoxha) Ismaili), tregon për librin “Historia turke”, e autorit hungarez, profesor Barathos, i cili në vitin 1928, teksa qartëson shumë të panjohura mbi Islamin, shkruan: “Bahuni të virtytshëm! Mbanije fjalën! Jini të ndershëm! Thoni kurdoherë të vërtetën. Bahuni durimtar! Jini të përulur! Dënonie fajtorin – vetëm në qoftë se e don nevoja e shoqnis – me masë si mbas llojit të fajit e kurr jo me tepri! Grueja ka të drejta të njajta me burrin! … A âsht kjo nji feë pagane a?”

Besoj se jam i qartë!

Dikur, qytetet shqiptare kishin për të parë të tyre, edhe hoxhallarë. Pra, kryetarë bashkish, siç Tirana, Elbasani e ndonjë qytet tjetër. Po sot, mundet që një hoxhe t’i japësh celësat e shtetit për t’u dhënë dum punëve e halleve të njerëzve?

Mendoj se sot, hoxhallarët duhet të përkushtohen maksimalisht për të shërbyer me sinqeritet dhe përkushtim të madh në përhapjen me urtësi të vlerave të fesë islame, moralin islam, ndjenjën e përgjegjësisë në shoqëri, përgjegjësinë e shërbimit, durimin në jetë, perfeksionimin e punës, drejtësinë dhe tolerancën në raport me të keqen dhe të mirën në komunitet, por jo vetëm.

Kështu, kam bindjen se do të kontribuojnë maksimalisht që edhe kryetarët e bashkive a drejtuesit e shtetit, të kenë një mbështetje të fortë në rrugën e ndërtimit, moralit, paqes, shërbimeve të sinqerta e të dobishme dhe vlerave në çdo qytet.

Në këtë mënyrë, imami a myftiu, hoxha, si thoni ju, do të mund të ndjejë se nuk i përket vetëm një bote të vogël e të ngushtë me katër mure, ku herë duket si kryetar bashkie, herë ministër e herë kryeministër!

Hoxha që njeh kufijtë e vet dhe rregullat e urtësisë në shërbimet e tij, është më i madh se një kryetar bashkie, një ministër a kryeministër!

Në Kurban-in e tij, Rama citon një burrë të urtë bregdetas, Panajot Gjiknurin, që thotë: “Shqipërinë më të varfër e kam parë, por më të çoroditur kurrë!” Si mendoni ju, në pikëvështrimin tuaj, jemi të varfër apo të çoroditur, dhe nga vjen kjo?

Shqiptarët ka mbi një shekull që janë të varfër, si shoqëri, nuk është e vështirë ta lexosh në përditshmërinë e marrëdhënieve me njerëz që ende blejnë me lista, që kanë pensione dëshpëruese, që vidhen e abuzohen në ekonominë e tyre, padrejtësisht, që jetojnë në zona pa rrugë të shtruara, me ura teli e dërrasash të kalbura, e shumë më shumë se kaq!

Nuk është e vështirë ta konstatosh teksa viziton një të sëmurë në spital, teksa blen e teksa dëgjon dhembje e mjerim pafund, si ato të personazheve migjeniane. Ndërkohë, me begatitë e panumërta, me të cilat Zoti e bekuar këtë tokë, sot Shqipëria duhet të kishte një nivel mirëqenieje shumëfish më të lartë!

Nga këtu vjen edhe çoroditja, ose thuaj, ky mjerim e kjo varfëri është një ndër faktorët kryesorë të çoroditjes morale, intelektuale edhe besimore, që kalojnë shqiptarët. “Varfëria të çon në femohim”, thonë urtësitë e shekujve të vjetër! A ka çoroditje më të madhe se kaq? A nuk e kemi provuar ne shqiptarët se çfarë katastrofe e çoroditjeje sociale ka shkaktuar luftimi dhe denigrimi i fesë tek ne?

Korrupsion pa fund, rrushfete pa fund, mashtrime pa fund, vjedhje pa fund, kriza familjare pa fund, aborte pa fund, divorce për tradhëti bashkëshortore a dhunë për shkak të alkoolit pa fund, azilkërkues pa fund, shkelje e të drejtave të njeriut pa fund, grabitje e pronës private pa fund, shkelje e të drejtave të besimtarëve pa fund, hipokrizi pa fund!? Ça duhet të themi më shumë, përveç se të lutemi: O Zot, butësi e mëshirë mbi këtë popull!

Natyrshëm, ka edhe mundësi për mirëqenie, por shumë të zbehta në raport me nivelet ekonomike të masës, në përgjithësi. Islami është fé që nxit mirëqenie, nxit fitimin e hallallit, ndërtimin e pasurive dhe solidarizimin me shtresat në nevojë. Në Islam, pasuria është 2/5 e kushteve të fesë!

Besoj që emocionalisht, ndodheni midis dy përjetimeve: atij mbi gjendjen e përgjithshme të popullit e atij mbi sulmet apo insinuatat ndaj Islamit, besimit tuaj, me të cilin jetoni dhe e proklamoni. Kush ju dhemb më tepër?

Më dhemb më shumë gjendja e popullit tim, e njerëzve të përvuajtur, nevojtarëve e të sëmurëve që nuk e kanë një dorë t’u fshijë djersët e halleve a t’u shtrëngojë duart, si për t’i thënë: Nuk je vetëm!

Më djeg zemra për të rinjtë, që mashtrohen pas thirrjeve të misionarëve të së keqes, që duan t’u vjedhin zemrën, mendjen, identitetin, kohën e vyer, aftësitë, mundësitë, që u zbukurojnë haramet e u zezojnë vlerat e trashëgimisë familjare…

Me dhemb zemra për ata, që kërkojnë drejtësi, por drejtësia për ta është bërë lanet!? Ata rendin e rendin dyerve të gjykatave, disave u kanë kaluar vite, dikujt tjetër dekada, u kanë dalë thinjat, nuk u mbajnë më dosjet letra e shkresa burokrate, pa fund…

Më dhemb zemra për fëmijët, që edukohen në drejtim të kundërt me edukatën e tyre familjare, që abuzohet me subkoshiencën e tyre, për të qenë nesër një brez hibrid, pa shtyllë kurrizore e pa bosht identitar!

Më shqetëson tallja me inteligjencën e rinisë, që shitet për një natë a shumë netë, për një pije a shumë pije, për një aventurë a shumë aventura…

Më dhemb zemra, për shumë më dhemb!..

Ndërsa fushata e islamofobisë, trillimet e ato, që ju i quani insinuata, ato janë shoqëruese të përhershme të Islamit, tash 15 shekuj. As e kanë prekur, as e prekin dot, është feja e Zotit të Vërtetë! Në këtë pikë, më kujtohet gjyshi i Hz. Muhammedit (a.s), Abdulmuttalibi, një burrë i urtë e besimtar, i cili, teksa ushtria e Ebrehesë kishte ardhur ta sulmonte Qaben e Madhnueshme, u kishte thënë njerëzve përreth: “Kjo Shtëpi e ka një Zot që e mbron!”

Këta që e sulmojnë Islamin, në fakt, nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm se na angazhojnë të punojmë më shumë në drejtim të përhapjes së kësaj drite të pashuar. Na angazhojnë të korrigjojmë gabimet, të mos shkelim mbi besën tonë, mbi rregullat e shenjtëritë, as për injorancën e tyre, as për intrigat, as për meskinitetin, as për rrugëtimin e gabuar!

Këta, në fakt, na bindin përherë e më shumë se ky shekull është shekulli i Islamit! Por, kjo na fton njëkohësisht ta pyesim veten: A jemi ne sot, të aftë e të denjë për sfidën e rizgjimit? (Kjo është një temë më vete, jashtë konteksteve të pyetjes tuaj, por me shumë rëndësi për evidentimin e pozitës tonë në raport me sfidën dhe gradën e qëndrimeve; elitare a jo)

Ju si komunitet vuani moskthimin e pronave, ashtu siç një pjesë tjetër e shoqërisë e ka këtë hall, pra ish-pronarët. A përfshihet në brengosje dhe moskthimi i pronës së të tjerëve, veç asaj tuajës? Jua bëj këtë pyetje, sepse, duket se shqiptari edhe kur e kërkon drejtësinë është paksa individualist, ndërkohë që kjo mund të përkthehet si një lloj padrejtësie nga pikëpamja etike…

Nuk ka dyshim se çështja e abuzimit me pronën e pronarit legjitim është kthyer në një gangrenë sociale për vendin tonë. E vuajmë të gjithë nga pak. Në shumë takime me imamët e Shkodrës, a edhe në mesazhe të ndryshme publike, them shpesh se problemin që kemi, duhet ta ndjejmë njësoj edhe me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë, që rropaten krejt si ne për një të drejtë legjitime, të shkelur, të përdhosur, shpesh të rishkelur!

Do ju jap një shembull. Tregu i madh i Zdrales, bri stadiumit të Shkodrës, është pronë vakëf. Pas shumë përpjekjesh e lëvizjesh, e rithkyem me hipotekë të rregullt para tre vitesh. Në atë vakëf Bashkia e Shkodrës pat ngritur një treg provizor, tregtarëve të cilit u falëm mbi një vit kohë për t’u larguar nga aty, për të na liruar tokën tonë, mbi të cilën kemi një projekt konkret. Normalisht e bëmë këtë për bëmirësi, solidaritet, ndihmë e lehtësim për ta, jo për borxh, as gjë tjetër. (Natyrshëm, tregtarët vazhdojnë të qëndrojnë aty padrejtësisht, edhe një vit pasi ka skaduar afati që u dhamë, edhe për shkak se institucionet tona nuk e bëjnë punën e tyre, për të cilën paguhen për t’i shërbyer njerëzve, për të krijuar alternativa për zhvillimin e biznesit të vogël etj., por jo vetëm.)

Pra, thirrja e jonë, mesazhet tona, predikimet tona janë përgjithësuese në këtë aspekt, ku natyrshëm kërkimi i rikthimit të vakëfeve të uzurpuara mbetet prioritet i patolerueshëm, ndërsa shfrytëzimi dhe zhvillimi i tij, objektiv dhe kërkesë e stërgjatur në kohë!

Pse mendoni se vijnë sulmet ndaj Islamit e myslimanëve, ngaqë e dijnë se ç’përfaqësojnë, apo e kundërta: nuk e dijnë?

Jam në dilemë t’i përgjigjem me detaje kësaj pyetjeje, apo jo. Megjithatë, mendoj se fillimisht një pjesë e mirë e muslimanëve në botë nuk e njohin si duhet fenë e tyre. Poashtu edhe në vendin tonë. Ka shumë faktorë dhe fajtorë në këtë dukuri! Për pasojë njeriu, shpeshherë bëhet armik i asaj që injoron!

Nuk ka dyshim se kush e lexon historinë e mesjetës evropiane, e kupton qartë e dukshëm se ka një urrejtje dhe armiqësi patologjike ndaj Islamit dhe muslimanëve, që kultivohet edhe sot nga besnikët e atij shpirti katran. Realitetet e 100 viteve të fundit të botës arabe në veçanti, si pjesë e rëndësishme e ymmetit islam, janë tregues jo i mjegullt i kësaj të vërtete.

Nga ana tjetër, jam i bindur se përtej lobeve antiislame dhe politikave të qarqeve të ndryshme botërore antiislame, kur lexoj reflektimet dhe arsyetimet e intelektualëve të shquar, orientalistëve dhe studiuesve objektivë të Islamit, si: Maurice Bucaille, Bernard Shaë, F. Montague, Montgomery Ëatt, Gustav Le Bon, Roger Garaudy, Sydney Fisher, L. Ëeiss, L. Veçia Vaglieri, Basheer A. Shad, Hamza Piçardo, H. Serouya, Lois Sedillot, Bozena – Gajane Strzeëska, George Sarton, Ë. Durant, Franz Rosenthal, Emil Dermenghem, Philip Hitti, Ëilliam Beckard, Sir Thomas Arnold, e shumë e shumë të tjerë, bindem përherë e më shumë se bota është në borxh të madh me Islamin; nuk mund ta akuzosh pastërtinë e tij nga maska e dikujt që çirret në emër të tij, duke vrarë e duke mbjellur terror mbi tokë! Kurrësesi!

Nga ana tjetër, më kujtohet të kem lexuar se Gëte, në librin e tij: “Edukata e muslimanëve”, ndër të tjera thekson: “Për hir të së vërtetës dua ta them: Toleranca e muslimanëve nuk vjen nga dobësia! Muslimani toleron, me krenarinë e tij për fenë e tij dhe me kapjen e tij pas besimit të tij!”

Përtej asaj dhe kësaj, unë besoj fort në dëshminë historike të Hz. Muhammedit (a.s), që thoshte: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita!”

Ç`farë ju dëshpëron më tepër tek shoqëria shqiptare, por dhe çfarë u bën të ndjeheni mirë?

Më dëshpëron mashtrimi, me të cilin u përball ky popull pas vitit 1990! Zhgënjimi i madh dhe mosshfrytëzimi i kohës për të ndërtuar vendin, shoqërinë, rikuperimi i kohës në favor të besimit, fesë, shpirtit. Iu lejua shumëkujt të vinte e të ulej këmbëturqisht, si zot shtëpie në këtë vend!? Janë bërë dëme të mëdha, për të cilat rezervohem të flas për momentin.

Nga ana tjetër, ka shumë faktorë që më japin shpresë, optimizëm, ngazëllim. Ndërgjegjësimi i rinisë me shpirtin e besimit, frekuentimi i tyre i moralit të fesë dhe praktikimi në jetën e përditshme. Nuk duhet të harrojmë se ne jemi një vend musliman, (pavarësisht faktit se ka 25 vjet që misionarë të shumtë të politikave asimiluese të këtij realiteti historik përpiqen të thonë të kundërtën, a ta fshehin me emërtime e terma të ndryshme, duke përfshirë edhe fenë!?), kemi përgjegjësi fetare e kombëtare për vendin, njeriun, shoqërinë, mirëqenien, paqen, harmoninë, diversitetin fetar e kulturor e përtej tyre.

Më ngroh frekuentimi i xhamive nga të rinj të shumtë; është shenjë bekimi për këtë vend!

Vetëm në Shkodër, medreseja me dy degët e saj, ka mbi njëmijë nxënës e nxënëse; është shenjë e mbarë, në këto kohë! Arsimi e dija, studimet e kualifikimet shkencore, janë prioritet në besimin tonë!

Më gëzon shpirti i bëmirësisë dhe solidaritetit me njerëzit në nevojë, një punë fisnike e shenjë qytetarie e lartë, që e bëjnë myftini e fondacione, shoqata e grupe rinore të mëkuara me moralin islam, ndjenjën e solidaritetit dhe përhapjes së vlerave në shoqëri!

Ky vend e kjo shoqëri, rrezatojnë përherë vlera e mirësi, që gjithësesi janë përkthyesit më të denjë të shpirtit shqiptar!

Para pak kohësh, ishit në qendër të medias për dy ndodhi krejt me kumt të kundërt në dukje: nga njëra anë ndaluat predikimin tuaj në respekt të këmbanës së të krishterëve, e nga ana tjetër (u tha se), nuk pritët përfaqësuesit e PS-së lokale në vizitën e tyre korteziale në një nga barjamet. Si është e vërteta?

Ndalimi i hytbes së bajramit ishte një mesazh qytetar, kombëtar e etik, që natyrshëm nuk bie ndesh me bazat e komunikimit shoqëror në realitete të përziera fetare, as me rregullat e qytetarisë shkodrane e asaj kombëtare. Ishte në sinkron me fjalimin që po mbaja dhe mesazhet e kontekstit të diversitetit fetar dhe harmonisë, që duhet të ekzistojë në mesin e besimtarëve, ku mbi të gjitha, nuk duhen shkelur parimet, as besimi, as shenjtëritë, as të tejkalohet masa e përkufizimeve. Ata kanë fenë e tyre, ne kemi fenë tonë! Jemi vëllezër të një kombi!

Pavarësisht dallimit si nata me ditën në mes të shumë çështjeve doktrinale në mesin e dy besimeve, ato i mbeten për debat, diskutim e studim profesionistëve dhe njerëzve të thelluar, dijetarëve e eruditëve të feve përkatëse.

Në realitete sociale, ku ka diversitet fetar, jemi të thirrur, që mbi bazat e respektit dhe njohjes reciproke, të përhapim mesazhe harmonie, për këdo që e do këtë gjuhë e shpirt komunikimi. Si të thuash, në qenien tonë “poliglotë” të natyrshëm, ne muslimanët e njohim si askush tjetër edhe gjuhën e tolerancës dhe respektit ndaj diversitetit, si fenomen, me të cilin duhet sjellur me shumë kujdes dhe delikatesë. Dijmë t’ia japim hakun me shumë siqeritet, pastërti e pa hile! Nga ana tjetër, e njohim shumë mirë gjuhën e shenjave dhe interpretimin e sjelljeve!

Rasti në fjalë është një fragment kalimtar, që frymëzon forcimin e vëllazërisë kombëtare, si bazamenti mbi të cilin jetojmë e punojmë të lirë, të ndryshëm, në paqe; thirrës, kultivues e mbrojtës të saj!

Ju shquheni si shkodran i fisëm, me ndjenjë të lartë tolerance në aspektin qytetar e fetar, por që nuk druheni të reagoni kur shikoni se diçka nuk shkon…si në rastin e Kalasë. Si duhet të jetë e ardhmja e Rozafës, si duhet trajtuar ajo në kontekstin e identitetit fetar?

S’ka dyshim se Shkodra është një qytet i bekuar nga Zoti me mirësi të shumta, mrekulli natyrore të admirueshme për këdo, me njerëz bujarë, zemërmirë e pastërtorë. Është normale që të reagojmë, kur tejkalohen kufijtë, kur cënohet historia, kur në horizonte shfaqen tendencat e përçarjes e prishjes së asaj që për shekuj e kemi ruajtur e kultivuar. Nuk ia kemi për borxh askujt të na e prekë a ta cënojë këtë realitet!

Asnjëherë nuk kemi kërkuar as mund të kërkojmë të mbajmë një hytbe a të falim një namaz te kisha bri kalasë, dikur teqe bektashite; pra, vakëf muslimanësh!? Asnjëherë nuk kemi nxitur prishjen e ekuilibrave fetarë, as krijimin e traditave jo të shëndetshme, që kthen në mollë sherri për shoqërinë! Është cinike, jo e pastër, nuk korrespondon me farën e asaj që kemi mbjellur ndër dekada e shekuj!

Ia kam bërë të ditur me shkresa edhe arqipeshkvit edhe ministres së kulturës; objekti në kalanë e Shkodrës është Xhamia e Mehmet Fatihut! Nuk ka asnjë të drejtë morale ministria e kulturës të japë leje për zhvillimin e ceremonive fetare joislame në xhaminë shekullore të kalasë! Nuk e ka këtë të drejtë, përtej justifikimit se ka një ligj! Harmonia ndërfetare është më e vlefshme se krejt ligjet që kthehen në alibi për thyerjen e pasqyrës a prishjen e ekuilibrave!

Sikurse nuk ka të drejtë asnjë komunitet fetar joislam të kërkojë zhvillimin e ceremonive fetare në rrënojat e një xhamie shekullore, origjina e së cilës ngelet objekt studimi dhe interpretimi i historisë. Është tejkalim i normave dhe tendencë e rrezikshme!

Përndryshe, ne jemi të angazhuar maksimalisht, që vlerat e harmonisë ndërfetare të mos ngelen peng e “bumeve” të menduara jo si duhet, në rrugën e gjatë që kemi ne, Shkodra e mbarë Shqipëria!

Ç’ nuk ju pëlqen tek qeveritarët tanë, politikanët më saktë: natyra konfliktuale, pazotësia, apo një moral i cungët?

Mendova se do më pyesni se çfarë nuk pëlqej tek prijësit dhe thirrësit islamë në vendin tonë. Çfarë mendoj se duhet korrigjuar e çfarë duhet ngulitur si mentalitet, në drejtim të shërbimeve sa më rezultative në edukimin e brezit të ri me besimin e pastër, me distancimin nga konfliktet e stisura për sy e faqe, pas së cilave fshihet interesi personal a ai i një klase të vogël, me perfeksionimin e zanateve a shkencave, për të qenë të aftë e muslimanë elitarë, siç e kemi në gen, me moral të lartë; të ndershëm, larg harameve, veseve, perversitetit në të menduar e në të vepruar.

Për pjesën e pyetjes tuaj reale, me doj se duhet të jenë votuesit ata që duhet vënë cakun në marrëdhënien e tyre me politikën; të vazhdojnë të keqpërdoren, apo të rriten, deri në gradën e marrëdhënieve të shëndosha në raport me demokracinë dhe rregullat e saj.

Pa dyshim, si prijës fetarë, kemi të drejtë të analizojmë me qetësi dhe larg emocioneve, zhvillimet e vendit, të japim udhëzimet dhe këshillat tona, të ftojmë drejt moralit, në krejt kuptimet dhe lidhjet e tij me jetën!

Nuk ju pyeta çfarë u pëlqen, se mos u pëlqen diçka…

Mua më pëlqejnë pushtetarët mirënjohës; ata që e vënë veten në shërbim të komunitetit, me bekimet e të cilit janë bërë dikush!

Më pëlqejnë pushtetarët që nuk harrojnë, që nuk përtojnë të punojnë maksimalisht në interes të individit dhe shoqërisë shqiptare.

Më pëlqejnë pushtetarët, që e ruajnë ujin e fytyrës!

Nëse do të të ftonin për t’ju predikuar atyre diçka nga Islami, diçka që atyre mund t’ju shërbejë për të qenë të suksesshëm e që të duhen nga njerëzit, çfarë do u thonit, ç’lloj formule do u ofronit?

Në fakt e kam bërë, sa herë më është dhënë mundësia, vazhdoj ta bëj me mesazhet e herëpashershme që përcjell me shkrime e hytbe, me libra e në konferenca. Çështja është, sa janë të gatshëm ata, që u jepen mesazhe e sinjale, t’i kuptojnë, t’i lexojnë si duhet, t’i përvetësojnë e të reflektojnë pas tyre?

Është drejtësi e madhe hyjnore fakti që do të ketë një ditë llogarie për të gjithë, edhe për mua!

Dhe më konkretisht, nëse do të të vinte i pari i vendit, Edi Rama, dhe do të të thoshte: më jep një këshillë, dy, tre, çdo i thoshit?

Mendoj se i pari i vendit, kushdo qoftë ai, duhet të ketë një linjë të vazhdueshme komunikimi dhe këshillimi me drejtuesit kryesorë të komuniteteve fetare. Sikurse jam i bindur se, neglizhimi i tyre nuk është shenjë urtësie, as largpamësi! E kundërta me respektimin dhe vlerësimin e tyre.

Sikurse besoj, se nuk jam unë personi i duhur për këtë pyetje. Natyrshëm, si Myfti i Shkodrës, e kam për detyrë ta bëj punën time sa më mirë e me sa më shumë përgjegjësi. Nuk ia kam mbyllur asnjëherë derën atyre që e kanë trokitur. Nuk e kam as në natyrë, as në formim!

Nga ana tjetër, lutem me zemër që Zoti i gjithësisë t’i japë mbarësi për të mirën e këtij vendi, të sotmes e të ardhmes së tij, kujtdo që ia ngarkon përgjegjësinë e dhënies llogari në ditën e gjykimit për miliona qytetarë; për të drejtat, nevojat, sigurinë, paqen, mirëqenien, të sotmen e të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Ditët e fundit, dolët me në krah klerikët e dy besimeve të tjera të krishtera në Shkodër, për të kundërshtuar atë që nesër pritet të ngjallë debat: lejimin e martesave gay. E meriton një alarmim kjo gjë dhe pse?

Në fakt, isha referues në një takim mbi familjen dhe përkujdesjen e saj në librat hyjnorë (konkretisht në Kur’an dhe në shembullin e Hz. Muhammedit). Ia vlen përherë të mblidhemi e të flasim, të diskutojmë e të trajtojmë rreth familjes, problemet e saj të mëdha, përballjet me kohën dhe zhvillimet e saj, nevojën e madhe të ruajtjes së ekuilibrave në edukim etj. Fola mbi kështjellat e luksit, në brendësinë e të cilave ka familje të shkatërruara. Fola për nevojën e madhe që ka familja shqiptare për t’u kthyer nga Zoti dhe udhëzimi i Tij!

Është mëse normale, që të thërrasim me të madhe drejt asaj që Zoti e ka vendosur si natyrë në shtimin dhe trashëgimin e racës njerëzore, si dhe të distancohemi nga çdo fëlliqësi a devijim që e prek a e cënon kodin hyjnor të familjes a vetë moralin e familjes njerëzore!

Nëse do ndodheshit përballë një gay-i, çdo i thonit, ç’bisedë do zhvillonit me të?

Pavarësisht faktit se e kam studiuar sociologjinë, psikologjinë, gjuhën e shenjave dhe zhvillimin e fantazisë, sikurse kam një tërheqje të vjetër drejt mjekësisë popullore, unë nuk jam specialist i këtyre fushave dhe nuk ia lejoj vetes të hiqem çfarë nuk jam.

Unë jam thirrës islam, jo mjek që të flas për sëmundje, devijime psikologjike e sociale, për të cilat mund të flasë më bindshëm dikush tjetër, specialist i fushës.

Nga ana tjetër, nuk mund ta bekoj atë që Zoti e ka ndëshkuar në një prej mënyrave më të llahtarshme, shekuj më parë, në atë që sot njihet si zona e Detit të Vdekur, si dhe mbetet një prej sëmundjeve psiko-sociale më perverse të historisë njerëzore.

Poashtu, ne jemi të nxitur t’i ftojmë njerëzit të jenë të ndershëm, të mos vjedhin. Edhe vjedhja e parave që vijnë nga ambasada të ndryshme, për projekte që nuk e kanë vendin tek ne, haram është!

Falë Zotit, edukatës fetare, trashëgimisë së vlerave prindërore dhe ngrohtësisë së ledhatimeve të gjysheve dhe gjyshërve, shqiptarët janë të prirur drejt familjes, e duan atë, e mbrojnë atë, i këndojnë dashurisë dhe e urrejnë vetminë gjinore!

Në 25 vjet, shqiptari arriti të shijojë gjëra që ndoshta vetëm në ëndrra i kish parë, por sot ka dëshpërim të thellë. Po ashtu, ky vend nuk ka qarkulluar kurrë aq shumë para sa këto 25 vite, e sërish vuan nga një pakënaqësi patologjike duke e konsideruar veten të varfër. Ç’i ka ndodhur?

E vërteta është se shqiptarët janë të varfër, pavarësisht hapjes me botën, pas dekadash izolim e dhunë psikologjike nga politika djallëzore, që e kanë lodhur e mjeruar këtë popull.

Patalogjike duket se është sëmundja e keqadministrimit të begative, me të cilat Zoti e ka bekuar këtë tokë, por që, për fat të keq është dhunuar, abuzuar e grabitur në vazhdimësi nga klasa njerëzish të paaftë, shpesh misionarë të lobeve antishqiptare dhe antikombëtare!

Patalogjike është tendenca e talljes me intelektin e kësaj shoqërie dhe hallet e saj, kur dëgjon kandidatë që kërkojnë votat e njerëzve, teksa premtojnë se me ardhjen e tyre në pushtet, pensionet do të rriten me 123.7 lekë, a 1,059% më shumë se para katër a tetë vitesh!?

Patalogjike është epidemia e pasurimit abuziv të ushunjëzave, në dëm të një shoqërie të mpirë, që nuk ndjen, duket se vegjeton pa tëmth!?

Nuk ka ndodhur asgjë, thjeshtë ka ndryshuar rroba e zhvatjes dhe izolimit, modeli i diktaturës, padrejtësia, shthurrja dhe shtypja e popullit!

Natyrshëm, momenti i heqjes së regjimit të vizave me disa shtete të afërta e të largëta evropiane, ka qenë një moment historik, të cilin e kam përshëndetur publikisht, gjatë një hytbeje javire në xhaminë e madhe të Shkodrës! Por, në të njëjtën kohë është tregues i asaj çfarë ka hequr ky popull mbi kurrizin e tij nga mjerimi, varfëria dhe izolimi!

Edhe diçka tjetër e supozuar: nëse do të të jepej rasti që të gjithë shqiptarëve t’u thoje diçka për pak minuta, çfarë do zgjidhje t’ju kumtoje si një kontribut që ata të mund ta kthenin përsëmbari rrotën e fatit, që u duket se u ec mbrapsht?

Çdo javë, të xhumanë, nga minberi i një prej xhamive të Shkodrës, unë e bëj këtë; jap mesazhe dhe drejtoj thirrje, që mendoj dhe besoj se na nevojiten të gjithëve në rrugëtimin tonë drejt paqtimit të sinqertë me Zotin.

Kataklizma e rrënimit dhe shkatërrimit të institucionit të besimit dhe fesë për dekada në këtë vend, ka lënë pasoja të rënda, që trupëzohen në dëshmitë e shumë “Gjiknurëve”, që kanë dëshmuar e dëshmojnë “kurbane” të pamerituara për “zota” të rremë, në dëm të Njeriut në këtë vend!?

Prandaj, duhet me u kthy nga Zoti, me gjetë besimin, me rifresku besën dhe mos me e harru fenë dhe besimin e baballarëve dhe të parëve tanë; Islamin e pranuar me zemër e ndërgjegje të pastër! /tesheshi.com/