11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Mustafa: Nëse Serbia e kërkon veriun e Kosovës, Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës

Më të lexuarat

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, ka thënë se Lugina e Preshevës është një problem i cili  kërkon një zgjidhje që nga fundi i konfliktit të armatosur i vitit 2001 dhe për këtë arsye do të ishte mirë që përfaqësuesit e partive shqiptare të përfshihen në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Për Serbinë, nuk ka kurrfarë pengesash që t’i avancojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të thonë se në Bruksel – ne i bëmë të gjitha për shqiptarët, le ta bëjnë ata të njëjtën gjë për serbët në veri të Kosovës”, ka thënë Mustafa për agjencinë “Beta”

Sipas tij, reagimet nga Serbia në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, me të cilën kërkojnë të bëhen pjesë e dialogut të Brukselit, janë më të mëdha sesa deri tani “sepse politika e Beogradit bazohet në faktin se problemet mbahen nën qilim, sikur qëndruan 100 vjet”.

“Presin që dialogu me Kosovën të përmbyllet disi dhe problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbeten të pazgjidhura. Ne nuk e dimë se çfarë është në programin e Beogradit për bisedimet në Bruksel, por në qoftë se është planifikuar ndarja e Kosovë dhe se një pjesë e saj t’i bashkohet Serbisë, atëherë pse të mos kërkojmë të njëjtën  për Luginën e Preshevës “, tha Mustafa.

Mustafa ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket pozitës së shqiptarëve, edhe pse që në vitin 2013 Qeveria serbe miratoi masa emergjente për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës.

“Atëherë një Deklaratë prej shtatë pikash, të cilën e propozuan partitë shqiptare për të zgjidhur problemet në arsim, gjyqësor, integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore, ishte karakterizuar si një gjë normale që menjëherë mund të zgjidhet, por që atëherë asgjë nuk ka lëvizur”, ka thënë Mustafa.

Mustafa tha se pret që deklaratën e përbashkët të të gjithë deputetëve shqiptarë të kuvendeve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ta mbështesin autoritetet në Prishtinë, dhe se Parlamenti i Kosovës më herët ka miratuar përfshirjen e Qeverisë së Kosovës, që të angazhohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, aq sa Beogradi zyrtar angazhohet për serbët në Kosovë.

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të tri komunave të Luginës së Preshevës, më 14 korrik miratoi një deklaratë, e cila autorizon Parlamentin, Presidentin dhe Qeverinë e Kosovës që të përfshijnë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës gjatë negociatave përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.  Në tekstin e deklaratës thuhet  se “pa normalizimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe  kërkohet parimi i reciprocitetit i të drejtave të tyre në raport me të drejtat që kanë serbët në veri të Kosovës”.

Miratimi i kësaj deklarate ka hasur në reagime dhe është dënuar nga të gjitha nivelet e pushtetit në Serbi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit