10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Muslimanët, si shembull i bashkëjetesës paqësore ndër shekuj

Më të lexuarat

Të nderuar e të dashur vëllezër,

Tema për të cilën jam ngarkuar të flas sonte, para jush, është një hapësirë e gjerë dhe e gjatë, e mbushur me mirësi pa fund, me shembuj dhe pika referimi për mbarë botën, në rrugëtimet e saj drejt konsolidimit të vlerave të paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës së njeriut me vëllanë e tij njeri, përtej përkatësive fetare dhe drejtimeve të ndryshme që njeriu zgjedh në jetën e tij.

Kushdo që e shfleton Kur’anin Famëlartë dhe mediton në emërtimet e sureve, si dhe në përmbajtjen e shumë ajeteve, ku përmenden të dërguarit e mëparshëm, me emra dhe detaje, pasuesit e Librave të Shenjtë, me emra dhe detaje, si dhe ku jepen udhëzime drejt ruajtjes së ekuilibrave në shoqëri, bazuar në besimin në Një Zot dhe shfaqjen e drejtësisë, kupton qartë se, Zoti i gjithësisë, ka kërkuar nga njeriu që të jetojë në harmoni me tjetrin, kushdo qoftë ai. Në këtë kontekst, është kërkuar që njeriu të respektojë besimin dhe përzgjedhjen e tjetrit, mos të fyejë e mos të ironizojë fenë e tij dhe simbolet e saj, por jo vetëm. Në Kur’an, urdhërohemi: “Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur”.

Në këtë kontekst, Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Shembulli im dhe i të dërguarve të mëparshëm është i njëjtë me atë të një burri që ndërtoi një shtëpi, të cilën e përsosi dhe e zbukuroi. Njerëzit që e vizitonin thonin se nuk kemi parë ndërtesë më të bukur, pa përmendur vendin bosh të një tulle! Unë isha ajo tullë!”.

Pra, shtëpia e madhe e Thirrjes së Besimit dhe vendi i merituar që ka në të secili i dërguar. Me fjalë të tjera, besimi në Zotin Një, është institucioni më i shenjtë në jetën e gjithësisë, që i mundëson kujtdo, që e ka një qëllim fisnik, të bashkëjetojë në paqe e harmoni, pa bërë asnjëri rolin e gjyqtarit as atë të paragjykuesit!

Nëse drejtuesit fetarë në botën e sotme, do ta kuptonin drejtë këtë hadith, (ne muslimanët të parët), do të shërbente si shembull për ndërtimin e një bote të re mbi baza respekti të ndërsjellët dhe bashkëjetese paqësore, duke respektuar secili kufijtë e njëri-tjetrit.

Të nderuar të pranishëm,

“Fjala “bashkëjetesë”, do të thotë se ka dy ose më shumë grupe njerëzish, që dëshirojnë të jetojnë së bashku në paqe, pa grindje, zënka e konflikte”.

Ndërkohë sot, “Bota e jonë, në dukje e pafund, është bërë shumë më e vogël dhe çdo gjë është shumë më afër. Pra, ne sot, mund t’i biem qark globit në disa orë, në vend të kohëve të gjata, si në të kaluarën. Planeti ynë është si një shtëpi e madhe me një familje të madhe, anëtarët e së cilës vazhdimisht ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
Fatkeqësisht, padrejtësia, lakmia dhe agresioni kanë shkatërruar dhe prishur shtëpinë e njeriut dhe harmoninë në botë, kështu që nevoja emergjente për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin është bërë shumë më e nevojshme se më parë. Sot, popujt e Lindjes kanë shumë nevojë për teknologjinë dhe shkencën perëndimore. Në perëndim, evropianët dhe amerikanët kanë nevojë për resurset e Lindjes dhe trashëgiminë shpirtërore!”.

Nga ana tjetër, ajeti kur’anor, që qëndron si kryefjalë e lirisë së përzgjedhjes dhe respektimit të diversitetit fetar në Islam, është pa dyshim i 99-ti i sures Junus, ku Zoti i gjithësisë i drejtohet të Dërguarit të Tij duke i thënë: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë, që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?”.

Shumë prej jush keni dëgjuar a lexuar për Kartën e Medines, marrëveshjen e Resulull-llahut (a.s) me fiset jomuslimane, për të jetuar në harmoni e paqe me njëri-tjetrin. “Karta e Medines dhe pakti i nënshkruar me të krishterët e Nexhranit dhe rrethinat e tij, si marrëveshja e Omerit më vonë, u garantonin qytetarëve nga ithtarët e Librit një status të privilegjuar në shtetin islam. Profeti Muhammed (a.s) ua garantoi të drejtat e tyre duke i konsideruar se janë në besën e Zotit dhe të Muhammedit (a.s), të Dërguarit të Zotit…”.
Aty theksohet dukshëm se: “myslimanët dhe hebrenjtë në Medine, në shtetin e Pofetit Muhammed (a.s), konsiderohen si një komb i vetëm: “Hebrenjtë e Benu Auf janë qytetarë të një kombi bashkë me muslimanët. Hebrenjtë kanë fenë e tyre, kurse myslimanët fenë e tyre…”. Në këtë Kartë, ceket qartë theksimi që Islami i bën pranimit të diversitetit fetar…”. Me fjalë të tjera: “Karta e Medines hodhi bazën e lirisë së besimit dhe zgjedhjes së fesë… Kështu, nuk i lejohet askujt t’i imponojë besimin ndokujt”.

Bashkëjetesa ndërfetare dhe muslimanët

Bashkëjetesa ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve, gjatë 14 shekujve të kaluar e deri më sot, është një prej çështjeve me një rëndësi të veçantë në historinë e qytetërimeve, që ka njohur përshkallëzime dypolare dhe ka arritur kulme interesante, që ia vlen përherë të studiohen e të merren si shembuj për të sotmen.

Për muslimanët, kjo dukuri shoqërore është shumë e njohur, sepse buron nga Kur’ani Famëlartë, sikurse vetë Hz. Muhammed (a.s.) e praktikoi këtë bashkëjetesë në jetën e tij dhe urdhëroi pasuesit e tij ta praktikonin.

Muslimanët e parë, i ftuan jomuslimanët në bashkëjetesën e pastër të udhëzuar nga mësimet qiellore, e cila në krahët e shekujve të gjatë pati lëkundjet e veta, me rritje dhe ulje, për shkak të fanatizmit, vulgaritetit e mbi të gjitha nga injoranca dhe moskuptimi i fesë së pastër qiellore, ose nga komentimet e mangëta, ekstremizmi i verbër, egoizmat apo interesat e ndryshme.

Kur’ani Famëlartë dhe tradita profetike, vendosën rregullat dhe bazat e bashkëjetesës së muslimanëve me jomuslimanët, rregulla që bazohen mbi një të drejtë të shenjtë që është e drejta e fisnikërisë njerëzore. Në Kur’anin Famëlartë, All-llahu (xh.sh) thotë: “Ne, vërtet i fisnikëruam pasardhësit e Ademit (njerëzit)”.

Ai vërtetoi, gjithashtu, se njerëzit janë të barabartë për nga origjina tyre, duke thënë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur”.

Këtë shpirt bashkëjetese e gjejmë edhe në çertefikatën e madhe islame të të drejtave njerëzore, nga goja e vetë Profetit Muhammed (a.s.), disa muaj para se të ndërronte jetë, në Haxhin e lamtumirës në Mekke, kur thoshte: “Me të vërtetë Zoti juaj është Një dhe babai juaj është një, të gjithë ju jeni të Ademit dhe Ademi është prej dheut. Më fisniku ndër ju tek All-llahu, është më i ruajturi. Nuk ka epërsi një arab mbi një të huaj, as një i huaj mbi një arab, as një i kuq mbi një të bardhë dhe as një i bardhë mbi një të kuq, vetëm se me devotshmëri. A e kreva misionin? O Zot dëshmo! Të pranishmit të lajmërojnë ata që munguan”.

“Rregulli bazë në çështjen e të drejtave të jomuslimanëve në shoqërinë islame është: “Kanë të drejta ato që kemi, kanë detyrime ato që kemi” , që si duket mbështetet nga thënia e Hz. Aliut (r.a): “Ata e kanë paguar taksën e tyre, që gjaku i tyre të jetë si yni (pra, garancia e jetës) dhe pasuritë e tyre si pasuritë tona!”.

Dhe, bazuar mbi këtë, garancitë e shoqërisë islame ndaj jomuslimanëve, mund të ndahen në tre pjesë: 1. Mbrojtja nga agresioni i jashtëm. Ndër të tjera, këtu përmendet qëndrimi i Shejkhul-Islamit Ibn Tejmije, kur tatarët e pushtuan Damaskun, mbreti i tyre dëshiroi të lironte vetëm robët muslimanë, por Ibn Tejmije e kundërshtoi këtë me të madhe, duke kërkuar lirimin e krejt robëve, përfshi jomuslimanët… Madje, ai ia obligoi muslimanëve vijimin e luftës deri në lirimin e krejt të burgosurve. Kur mbreti tatar e pa vendosmërinë e muslimanëve, urdhëroi lirimin e krejt të burgosurve.
2. Mbrojtja e brendshme. a) Mbrojtja e gjakut. Dëshmohet se përherë, Hz. Omeri (r.a), në pozitën e të parit të muslimanëve dhe drejtues i shtetit të tyre, përherë interesohej për gjendjen e jomuslimanëve në shtetin e tij, sikurse pyeste për ta krejt të deleguarit e tij nga zonat e largëta. Ata ia kthenin: “Nuk dijmë gjë tjetër, pos besnikërisë!”

Në historinë tonë islame është regjistruar edhe qëndrimi i Imam Euzaiut (v.157 h./774 g.), që doli në fytyrë të guvernatorit abasit Salih bin Ali, kur dëboi ca të krishterë nga zona e Malit të Libanit. Ai iu drejtua atij me një letër, ku ndër të tjera i shkruan: “… Porositë më të meritueshme për t’u ruajtur janë ato të Resulull-llahut (a.s), i cili ka thënë: “Ai që i bën padrejtësi një njeriu në besë, ose e ngarkon atë mbi mundësinë e tij, unë do të jem kundërshtar i tij (në ditën e gjykimit)”.

b. Mbrojta e nderit dhe dinjitetit. Tek dijetarët e medhhebit tonë hanefi, ka një rregull që thotë: “Duhet të ndalet dëmtimi i dhimmiut, sikurse është haram të përflitet (gibeti), njësoj si muslimani”.

c) Mbrojtja e pasurisë.

d) Siguracioni nga Bejtul-Mal (fondet publike). Për këtë ka shumë shembuj, po mjaftohem me veprimin e Resulull-llahut (a.s), kur ia dorëzoi Ebu Sufjanit, asokohe prijës jomusliman në Mekë, një sasi të madhe prej sadekasë, për t’ia shpërndarë të varfërve mushrikë, në kohë skamjeje… Sikurse është shkruar, se: “Ndihma e dhimmiut nga Bejtul-Mali (Arka e Shtetit) i muslimanëve, në rast paaftësie të tij për punë, është një çështje konsensuale në ymmetin islam”.

3. Mbrojtja e lirive të përgjithshme. Këtu përfshihet: a) liria e besimit, si në marrëveshjen e Resulull-llahut (a.s) me banorët e Nexhranit: “…Nuk ndryshohet asnjë ipeshkëv nga ipeshkëvia e tij, asnjë murg nga murgëria e tij, asnjë prift nga veprimtaria e tij, as nuk përçmohet”. (Këtu, ka shumë shembuj konkretë nga historia, nuk do të zgjatem për efekt të kohës).

b) Liria e mendimit dhe e arsimimit. “Në kohën e Harun Reshidit të famshëm, krejt shkollat e Bagdadit u vendosën në menaxhim të Hanna Mensijes, i njohur, si: Gjon Masavejhi”.

c) Liria e komunikacionit. d) Liria e punës, fitimit dhe e angazhimit me detyra shtetërore. e) Liria e aktiviteteve sociale, si festa, marshime etj.

E, ndoshta, ndër dëshmitë më të spikatura të bashkëjetesës në mesin tonë, është dëshmia e vitit 319 h, në “El-Kamil fit-Tarikh”, ku përmendet se në atë vit, në Tikrit, në veri të Irakut, ndodhi një përmbytje e madhe nga shiu me rrebesh, ku u mbytën shumë njerëz dhe, me këtë rast, muslimanë dhe të krishterë u varrosën së bashku, pa u dalluar nga njëri-tjetri. …”.

Të dashurit e mi,

Sa herë flitet për bashkëjetesën ndërfetare, ne si muslimanë ndjehemi krenarë dhe shumë pozitivë, në raport me historinë, të sotmen dhe të ardhmen, pasi themelet e kësaj bashkëjetese ndërtohen mbi argumente të qarta kur’anore, hadithe të sakta dhe veprime konkrete të Resulull-llahut (a.s), sahabëve dhe pasuesve të tyre ndër shekuj, raporte të sinqerta të ngritura nga krejt muslimanët ndër shekuj.

Prandaj, organizime të tilla, meritojnë falënderim dhe mirënjohje të madhe, pasi bëhen shkak që ne mos të harrojmë asnjëherë tabanin tonë, shembullin dhe shpirtin e madh të mëshirës, respektit dhe vlerësimit të drejtave legjitime të tjerëve me ne!
All-llahu ju dashtë e ju mëshiroftë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Regensdorf, më 25 mars 2017

(Pjesë nga referati i mbajtur në tribunën fetare me temë:
“Toleranca dhe bashkëjetesa në Islam”,
organizuar nga Bashkësia Islame në Regensdorf,
Zvicër, më 25.3.2017)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit