13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Mungesa e komunitarizmit – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Të mbytur shpesh nga pesimizmi, veshët na dëgjojnë jo rrallë atë maksimën e kobshme se ne shqiptarët nuk bëhemi. Por, nga vjen mungesa e dëshirës për t’iu bindur ligjit dhe normave sociale, për të mos paguar detyrimet shtetërore dhe komunitare, për të përfituar vetëm për vete, për të korruptuar të tjerët ose joshur nga ryshfeti, për të shkatërruar pronën kolektive në interes të ngushtë personal, për të fituar një post që nuk e meritojmë, për ta parë shtetin vetëm si hambar për tu zhvatur dhe jo për tu mbushur? Nga vjen mungesa e besimit tek të tjerët, smira, dashakeqësia për tjetrin, keqkuptimi, paragjykimi dhe mungesa e ndërgjegjes shoqërore? Nga vijnë të gjithë këta elementë negativë që krahas të tjerave ndikojnë vendosmërisht në mosmbarëvajtjen e punëve në vendin tonë?
Natyrisht që çdo kush ka përgjigjen e tij për këto pyetje, dhe në opinionin tim është mungesa e kohezionit social, mungesa e komunitarizmit, kultura e ulët qytetare dhe komunitare, është klanizmi dhe sektarizmi fisnor, krahinor, politik, ideologjik, material e shpirtëror. Njerëzit nuk kanë besim te shteti dhe komuniteti, sepse nuk kanë besim te njeri-tjetri, nuk i përgjigjen detyrimeve komunitare me dëshirë, sepse e ndjejnë veten shumë pak ose aspak pjesë e tij, sepse ndjejnë se nuk përfitojnë asgjë, sepse ndjejnë se me kontributin e tyre abuzohet, dhe ndjenjat e tyre janë të drejta. Sepse nuk kanë shpesh të njëjtën kauzë, besim, vizion dhe ideologji që t’i bashkojë. Sepse individualizmi ka marrë formën më të shëmtuar të egoizmit dhe mungesës së ambicies kolektive. Një rreth vicioz pra, ku mosbesimi, paragjykimi, abuzimi, shfrytëzimi, dhe ku mungesa e komunitarizmit dhe vizionit të përbashkët riciklojnë vetveten duke prodhuar vetëm kriza dhe pesimizëm.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit