Motër, Kosova nuk është bërë

0
63

Blerim Gashani

Motër…

Asgjë e re këndej. Asgjë e re edhe 21 vjet pasi serbët ju vranë në mënyrë mizore.

Gjithçka është vyshkur këndej. Është vyshkur, sidomos, morali i kësaj shoqërie.

Gjithçka është vyshkur këndej, motër! Veç ti – sikur thotë Naxha – si një lule me aromë Parajse. Mbetesh sall pranverë n’mes fushave të kujtimit.

Motër…

Sot – 26 shtator – është e vetmja ditë e vitit kur nana jonë nuk na jep gajret, nuk na ngushëllon dhe nuk e fsheh lotin e as dhembjen..

Sot është e vetmja ditë e vitit kur nana jonē vjen me ne te varret e familjes Deliu.

Sot është e vetmja ditë kur nana jonë të vajton ty, vajton Valmirin, Ademin dhe familjen e dashur Deliu.

Dhe, sot është e vetmja ditë kur unë nuk gjej asnjë ngushëllim për të!

Motër, nëse ende e ke Valmirin në krah, sikur herën e fundit kur ju pashë, t’i thuash:

Kosova nuk është bërë, Kosova është tradhtuar dhe është shkatërruar, e keqja ka triumfuar kundër së mirës.

Trego se fajin e kemi të gjithë, edhe unë, daja i tij.

Trego se unë, daja i tij, nuk kam bërë sa është dashur për ta ndalur të keqen në këtë vend.

Tregoi Valmirit tonë se:

Unë nuk e meritoj lirinë!

Ne nuk jemi të denjë për kujtimin tuaj!

Ne nuk e meritojmë lotin tuaj!

Ne nuk e meritojmë lirinë!