14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Mos na e shisni problemin e Valdrinëve si mungesë informacioni

Më të lexuarat

Nga Enton Palushi

Fillimisht Ditmir Bushati tha se nuk duhej bërë pakt me djallin, duke iu referuar tekstit të një këngë të Vlashent Satës, e kthyer në hit në rrjetet sociale. Më pas lëshoi sërish një mesazh të koduar, duke thënë se duhet të shkëputemi nga krimi për të përqafuar dijen. Ish-ministri i Jashtëm nuk ka folur ndonjëherë në mënyrë direkte, megjithatë në këtë rast po linte të kuptohej se një ‘sekret i hapur’ po dilte në dritë.

Të martën e 13 gushtit, Partia Demokratike publikoi dokumentet që tregojnë se kandidati socialist për Shkodrën, njëkohësisht njeriu më i fuqishëm politikisht i PS për qarkun më të rëndësishëm të veriut, ishte dënuar në Itali. Personi që zëvendësoi Ditmir Bushatin e kishte mbajtur të fshehtë dënimin e tij.

Ngjarja provokoi reagime të shumta që ngjasonin me periudhën kur kryeministri Edi Rama vendosi të zëvendësonte një ministër të Brendshëm të kapur mat në lidhje me krimin, me një tjetër figurë jo më pak të dyshimtë në këtë drejtim. Në atë kohë u tha se si është e mundur që Rama nuk gjen dot në PS njerëz që nuk janë të përlyer. Këtë herë ironia shkon përtej, pasi Rama nuk po e ‘kupton’ se ka edhe ndonjë shqiptar që nuk është marrë me trafik droge.

Në mesin e kësaj ironie, reagimet që pasuan synojnë të çojnë ujë në një mulli: pikërisht tek mungesa e informacionit për rastin e Valdrinit dhe Valdrinëve.

***

Kur doli lajmi se në parlamentin indian, më shumë se një e katërta e deputetëve kanë rekorde kriminale, u ndez një debat se përse njerëzit votojnë për kandidatë të tillë. Debati u kanalizua vazhdimisht në një pikë: njerëzit nuk kanë informacionin e duhur. Siç ndodh zakonisht, OJQ-të dhe ambasadat e huaja ‘mprehin shpatat’ për të nisur fushatat e tyre me shpresë se informimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi i votuesve do të ndikojë për çrrënjësosjen e problemit. Pastaj kur fushata të ketë nisur, del vetë lideri dhe e pranon se ata nuk janë të pagabueshëm, se kjo është çështje informacioni, se ai nuk e dinte për disa, për të tjerët e kishin mashtruar, për ndonjërin çështja nuk është e qartë, për disa duhet të priten hetimet e plota, për të tjerë duhet të kuptohet se krimi është një problem shoqëror, etj, etj.

Debati do të vazhdonte në këtë rrjedhë po të mos ishte për studimin e Milan Vaishnev, që hodhi disa piketa të rëndësishme në këtë drejtim.

E para, ai tha se ky nuk është problem informacioni. Madje elektorati është më i informuar edhe se vetë media për kandidaturat dhe të shkuarën e tyre sepse politika është zanat reputacioni. Në rastin tonë, zor se mund të besosh se shkodranët nuk e dinë se kush është Valdrin Pjetri, ku ka studiuar, çfarë ka bërë në jetë, i kujt është, kush e ka promovuar, kush e ka përkrahur, kush e sponsorizon, çfarë pasurie ka, çfarë ndikimi, etj.

E dyta, ai theksoi se votuesit nuk e kanë problem të shkuarën e kandidatit, por është pikërisht ajo që i nxit për t’ia dhënë votën. Kjo sepse këta personazhe shihen si njerëz që të ‘mbarojnë punë’ sidomos në kushtet kur vendi vuan nga dy probleme: polarizimi i thellë i shoqërisë dhe sundimi i dobët i ligjit.

Së fundmi, të dhënat e Vaishnev sugjerojnë se një kandidat problematik ka gati tre herë më shumë shanse të zgjidhet (duke manipuluar votat ose jo) se një kandidat i pastër. Kjo është arsyeja se përse liderët si Edi Rama i zgjedhin në ‘vathën’ e tyre. Ata u duhen për të siguruar pushtetin me çdo mjet. Ky është shkaku se përse intelektuali dhe artisti Rama e gjen veten gjithmonë në mesin e figurave të krimit. E bën këtë vazhdimisht, edhe tani që, nëse i besojmë fjalëve të tij, do ishte duke ‘korrur’ frytet e qeverisjes së mirë. Por nuk ka shans, pasi askund nuk sheh një bilanc të kësaj qeverisjesje, përveç njollës së rëndë të krimit.

***

Përpara se ‘sekreti i hapur’ të bëhej publik, Zëri i Amerikës thotë se Valdrin Pjetri kishte nisur të lëvizte për të siguruar një certifikatë pastërtie, e cila më shumë do i hidhte pak hi syve miletit, por që nuk ka vlerë juridike. Katër ditë më vonë, ai do merrte bekimin e kryeministrit Edi Rama për të drejtuar politikisht qarkun e Shkodrës.

Ishte momenti kur Valdrini do përdorej për herë të dytë nga Rama. Këtë herë Valdrini do përpëlitej për të treguar se është i pastër, kurse Rama do hiqej sikur nuk dinte asgjë deri në momentin e fundit, kur do e lëshonte me duart e tij. Nëse donte të hiqej kaq i pastër, atëherë përse Rama nuk e aktivizoi ‘levën e sigurisë’ së ligjit të dekriminalizimit, të cilën socialistët luftuan fort që të mos ishte pjesë e ligjit? E kam fjalën për shenjat e gishtërinjve. Të sqaronte që në fillim imazhin e 61 personave që po përzgjidhte, sepse nuk po seleksionon 100 mijë njerëz. Por nuk e bën sepse duhet t’i përdorë deri në fund, për t’i hedhur më pas me arsyetimin se nuk mban përgjegjësi për askënd përveç vetes së tij. Do e bëjë këtë gjë edhe deri në pikën kur të mbetet i vetmi në PS. Sepse ua ka bërë të ditur shqiptarëve se nuk e ka problem deri në momentin që të gjejnë diçka në xhepat e tij.

***

Shumë shqiptarë e kanë parë serialin ‘Narcos’, një përafrim i realitetit me atë që ndodhte në Kolumbinë e Eskobarit. Ndoshta mund të kenë vënë re se si shteti dhe krimi, pavarësisht se takoheshin në disa pika, sërish ishin në rrugë të ndara. Ajo që ndodh këtë kohë në Shqipërinë e Edi Ramës- dhe që është pikasur nga shqiptarët dhe të huajt- është se krimi dhe shteti ngjajnë si një trup i vetëm. Ky nuk është më një sekret. Askush nuk mund të fshihet pas faktit se nuk ka informacione sepse nuk është rastësi që një kryeministër ka ngritur një strukturë të tillë. Studiuesit thonë se në raste të tilla, rëndësi ka të rrëzohet ai që e ka ndërtuar mekanizmin. Njësoj si me një godinë. Më pas do ketë punë për largimin e rrënojave, por kalaja do ketë rënë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit