8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Mos-hapja e xhamive: diskriminim shtetëror apo okultizëm sektarist?

Më të lexuarat

FLORIAR ARAPI

Ndërsa besimtarët e krishterë gëzojnë qetësisht liritë e tyre fetare, Komuniteti Musliman dhe qeveria shqiptare, vulosin dyert e xhamive, pa asnjë datë hapjeje. 

Të dielën e 3 Majit, qeveria lejoi lëvizjen pa mjete dhe qytetarët u dyndën masivisht në rrugë e në parqe, duke ndjerë mungesën e tyre si pasojë e një karantine të tejzgjatur.

Njëherazi dita e dielë për besimtaret e krishterë është dita e shënuar e javës dhe këtë ditë ata e shfrytëzuan masivisht për të vizituar kishat dhe për kryer ritualet e tyre fetare. Kjo tek të dy komunitetet kryesore të krishtera, komunitetin ortodoks dhe komunitetin katolik.

Në katedralen kryesore të Tiranës, mesha drejtohej nga vetë drejtuesi i Kishës Katolike në Shqipëri, kryeipeshkvi Xhorxh Frendo. Gjatë ritualeve, besimtarët e krishterë përpiqeshin të ruanin distancat ndërmjet tyre.

Në fakt, të dyja kishat, katolike dhe ortodokse, kanë qenë të hapura gjatë gjithë periudhës së karantinës, duke mos mbyllur plotësisht aktivitetin e tyre. Kisha Katolike, prej datës 8 Mars 2020 deri në 3 Prill 2020, nxorri një dekret, ku për shkak të epidemisë, minimizoi aktivitetin e saj, duke mos kryer meshat në grup. Pas datës 3 Prill, aktiviteti në këtë kishë ka funksionuar normalisht.

Ndërkohë që përfaqësuesit e komuniteteve të krishtera, katolike dhe ortodokse, e kanë kryer në mënyrë korrekte detyrën e tyre përfaqësuese dhe shërbyese ndaj komuniteteve përkatëse, duke zhvilluar aktivitetin fetar, tëalternuar me masat në mënyrë propocionale, përfaqësuesit e komunitetit musliman nuk kanë vepruar aspak kështu. Ata kanë vulosur dyert e xhamive në mënyrë të prerë, pa dhënë kurrfarë shpjegimi (jo thjesht shkencor), por vetëm duke i rënë fyellit të qeverisë, si dhe duke kërcënuar me shkarkim të imamëve dhe denoncim të besimtarëve që nuk e zbatojnëurdhërin e tyre, dhe kjo që prej ditës së parë të fillimit të karantinës.

Tani, pasi kanë kaluar 50 ditë me xhamitë e mbyllura, ⁃ kur besimtarët muslimanë shikojnë besimtarët e krishterë të gëzojnë plotësisht liritë e tyre fetare, ⁃ kur situata epidemike në vend dhe në botë është përmirësuar ndjeshëm; kur shumë vende kanë hapur jetën ekonomike dhe kanë lejuar faljen në grup në xhami, siç urdhëroi Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, e cila e sheh këtë si pjësë të paketës së të drejtës së besimit fetar; kur besimtarët u janë drejtuar disa herë me kërkesa dhe peticione KMSH-sdhe qeverisë për hapjen e xhamive; kur të gjithë prisnin hapjen e xhamive, përfaqësues të KMSH-s, ndër to muftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, paraqitet në një reklamë televizive bashkë me kryetarin socialist të Bashkisë së Tiranës, gati duke u krenuar me mbylljen e xhamive.

Ndryshe nga spoti origjinal i z. Sadik Khan, kryebashkiakut të Londrës, nga i cili e kanë plagjuar, në reklamën e z. Lauren Luli nuk kuptohet aspak qartë qëllimi i saj – a është për të promovuar muajin e Ramazanit, a është për të promovuar mbylljen e xhamive, apo për të promovuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, i cili, ndryshe nga kryebashkiaku i Londrës, duke mos qenë musliman, duket se merr me të mirë muslimanët që ua mbyll xhamitë, duke e konsideruar atë si numrin 2 të pushtetit mazhoritar socialist.

Në fakt, nuk kuptohet në të vërtetë as se çfarë përfaqëson muftiu i Tiranës dhe, bashkë me të, edhe drejtuesit e tjerë të KMSH; a përfaqësojnë interesat e muslimanëve tek shteti shqiptar, apo përfaqësojnë interesat e qeverisë tek muslimanët shqiptarë. Në rastin në fjalë, ata nuk janë aspak të ndjeshëm ndaj shqetësimit të besimtarëve muslimanë; përkundrazi, bëjnë reklama përkundër interesit dhe aspiratave të tyre. Kjo për shkak se lidhja e tyre me besimtarët është pothuajse inekzistente dhe ata nuk kanë qenë asnjerë pjesë aktive e xhemateve të muslimanëve. Kanë uzurpuar drejtimin e KMSH në mënyrë mafioze dhe po e mbajnë atë në mënyrë ilegjitime, duke qenë njëkohësisht pjesëtarë të afirmuar të një lëvizjeje sektare tepër qëllimerrët dhe hermetike. Dhe më pas vazhdojnë të mbajnë të pushtuar institucionin, me zgjedhje të manipuluara ose false dhe me një statut në të cilin gjysmat e zgjedhësve janë të emëruar nga kandidati që zgjidhet.

Përtej kësaj, qeveria shqiptare ka gjetur shesh për të bërë përshesh. Ndërkohë që komunitetet e tjera fetare i mbrojnë me vendosmëri liritë e tyre fetare dhe marrëdhënia e tyre me qeverinë është marrëdhënie parteneriteti, komuniteti musliman ka krijuar me qeverinë marrëdhënie vasaliteti e puthadore, teksa rend me harbim të paraqesë me pompënurmin 2 të pushtetit, kryebashkiakun Veliaj, dhe ministra të tjerë që t’u thotë njerëzve që faltoret do të qëndrojnë mbyllur, kur kjo nuk është aspak kompetencë e qeverisë. Këtë gjë komunitetet e tjera të krishtera katolike dhe ortodokse e dinë mirë dhe me shumë të drejtë nuk i kanë lënë aspak hapësirë qeverisë të hyjë në punët e tyre, kështu që qeveria kur flet për mbylljen e objekteve të kultit, nuk flet për asgjë tjetër veçse për mbylljen e xhamive. Tani edhe muslimanët nuk kanë pse t’i drejtohen qeverisë pse nuk hapen objektet e kultit, por haptazi pse i keni mbyllur xhamitë dhe pse i diskriminoni muslimanët?!

Tani është koha që të marrë përgjigje pyetja njëmiliondollarëshe: mos-hapja e xhamive, është diskriminim shtetëror, apo okultizëm sektarist i arratisur nga ambientet e një muzeu mesjetar. Kryeministri tani duhet të dalë vetë që ta sqarojë këtë situatë, të mos fshihet pas përfaqësuesve të tij për të treguar mbylljen e xhamive dhe të dalë si shpëtimtar nesër për të dhënë lajmin e hapjes së tyre, mbasi të ketë tejkaluar të gjithë afatet. Kryeministër, kjo është koha për zbatuar fjalët e shenjta, të cilat aq shpesh t’i ofrojnë për t’i nxjerrë në facebook. Drejtues të KMSH, kjo është koha për të pranuar – përpara Zotit dhe përpara robit – se nuk keni qenë dhe nuk jeni përfaqësues të besimtarëve muslimanë dhe nuk keni asnjë lidhje me institucionin që keni uzurpuar me ndihmën e forcave sektariste, për hir të agjendave qëllimerrëta dhe okulte, e të largoheni. Besimtarë muslimanë, kjo është koha për të hapur xhamitë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit