7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Morali i sahabëve kundrejt të Dërguarit të Allahut

Më të lexuarat

Morali i sahabëve kundrejt të Dërguarit të Allahut

Buhariu me nr. 4 846 dhe Muslimi me nr. 119 transmetojnë se Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kur zbriti ajeti: “O ju të cilët keni besuar, mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Profetit…”,sahabi i nderuar Thabit bin Kajsi u mbyll në shtëpinë e tij dhe mendoi: “Unë jam nga banorët e zjarrit”, ndërsa u distancua nga Profeti. Profeti pyeti për të Sead bin Muadhin, dhe i tha: “O Ebu Amër, si qëndron puna me Thabitin? Mos vallë ankohet për ndonjë gjë?” Seadi iu përgjigj: “Ai është komshiu im dhe nuk di që të ankohet nga ndonjë gjë.” Sead bin Muadhi shkoi tek Thabit bin Kajsi, e pyeti dhe i tha atë që kishte thënë për të Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Thabiti iu përgjigj: “Zbriti ky ajet dhe ju e dini se unë e kam zërin më të lartë nga të gjithë ju, e mbi zërin e Profetit. Unë jam nga banorët e zjarrit!” Seadi ia përmendi këtë Profetit dhe Profeti tha: “Jo, ai është prej banorëve të Xhenetit.” Ky është transmetimi i Muslimit dhe në një transmetim tjetër të tij thuhet: “Ne (sahabët) shikonim se si ecte mes nesh një njeri prej banorëve të Xhenetit.”

Në një transmetim të Buhariut thuhet: “Kur Profeti nuk e pa të pranishëm Thabit bin Kajsin, pyeti për të dhe njëri nga të pranishmit i tha; “O i Dërguari i Allahut, unë do të tregoj për të.” Shkoi tek shtëpia e Thabitit dhe e gjeti atë në shtëpinë e tij me kokë të ulur. E pyeti; “Çfarë ke?” Ai iu përgjigj: “Më ka ndodhur diçka e keqe. Unë e ngrija zërin mbi zërin e Profetit dhe unë jam nga banorët e zjarrit.” Personi erdhi dhe e lajmëroi Profetin për gjendjen e Thabitit. Pasi e dëgjoi, Profeti i tha: Thuaji: “Ti nuk je nga banorët e zjarrit, por je nga banorët e Xhenetit.”

Ky sahab i ndershëm, i cili e dinte vlerën e Profetit, mendoi se zëri i tij i lartë në prani të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)mund t’ia kishte shkatërruar punët e tij. Zërin e kishte nga natyra e tij, ashtu siç ka transmetuar Muslimi; “Thabit bin Kajsi ishte ligjëruesi i ensarëve.” Ai mendoi se ky ajet kishte zbritur për të, kur Allahu i Madhëruar tha:

“O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm! O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni me zë të lartë, si bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare. Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh.” [1]

Ky sahab i nderuar e lexonte Kuranin, duke medituar në ajetet e tij, ashtu siç bënin dhe sahabët e tjerë. Ata akuzonin veten dhe nuk tregoheshin mendjemëdhenj me punët e mira që bënin. Ata nuk e quanin diçka të tillë si arritje me mundin e tyre, e si shpërblim për gjurmët e devotshmërisë së tyre, Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tregoi njërit prej tyre se është një nga banorët e Xhenetit dhe larg nga ata të zjarrit.

Prej moralit të sahabëve që tregonin me Profetin është ndodhia, të cilën e ka transmetuar Enes bin Maliku, i cili tregon: “Vërtet, në dyert e Profetit trokitej me thonj.” [2] D.m.th. nuk trokisnin fort në derë, po ashtu nuk qëndronin natën jashtë shtëpisë duke folur me zë të lartë, në mënyrë që të mos e shqetësonin. Përkundrazi, derës i binin lehtë, nëse do ishte zgjuar do t’i dëgjonte pa u frikësuar, e nëse do ishte në gjumë, atëherë kjo trokitje e lehtë nuk do t’i prishte qetësinë atij, apo familjes së tij. Ky është një argument se ata nuk trokisnin më fort se trokitja që bëhet me thonj; nëse u përgjigjej, mirë, në të kundërtën ktheheshin duke qenë të qetë në shpirtrat e tyre (rreth faktit të mos hapjes së derës) dhe jo me shpirt të trazuar apo insinuata, gjë e cila u mundësoi pastrimin e shpirtrave të tyre.
Allahu thotë:

Nëse ju thuhet “Kthehuni”, atëherë kthehuni! Kjo është më e mirë për ju. Allahu e di se çfarë bëni ju.” [3]

Në këtë moral shihet qartë që këshillat dhe urdhrat e librit të Allahut të Madhëruar viheshin në jetë. Allahu i lartësuar thotë:

“Vërtet, ata që të thërrasin ty (o Muhamed) me zë të lartë nga jashtë dhomave të tua, shumica e tyre nuk marrin vesh. E sikur të duronin derisa ti të dilje jashtë tek ata, do të ishte më mirë për ata. Por Allahu është Falës dhe Mëshirues.” [4]

Ky ajet zbriti pasojë e një gjesti që bëri një prej arabëve, i cili erdhi tek Profeti, duke e thirrur me zë të lartë. Ekra bin Habisi e thirri Profetin që përtej dhomave të tij: “O i Dërguari i Allahut!” – por Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk iu përgjigj. Ai përsëri e thirri: “O i Dërguari i Allahut” – por Profeti sërish nuk iu përgjigj. Më pas, ai iu drejtua Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me fjalët: “Vërtet, nëse unë të lavdëroj o Muhamed, kjo të zbukuron ty dhe nëse të nënçmoj, kjo të ul ty.” Atëherë Profeti iu përgjigj: “Këtë gjë e ka në dorë vetëm Allahu i Madhëruar.” [5] Hadithi na përcjell qartë se ky arab deshi ta frikësonte Profetin duke e nënçmuar nëse nuk do t‘i përgjigjej kur ta thërriste dhe duke e inkurajuar nëse ai do t’i përgjigjej. Por Profeti i bëri të ditur atij se nënçmimi dhe lavdërimi i vërtetë është ai që bën Allahu dhe jo njerëzit.

[1]Suretu Huxhurat, 1-3.

[2]Transmeton Buhariu në “Edeb el Mufrad” me nr. 1080. E saktësoi Albani në librin “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 2 092.

[3]Suretu Nur, 28.

[4]Suretu Huxhurat, 4-5.

[5]Transmeton Ahmedi (3/488), Tirmidhiu me nr. 3 267 nga Bera bin Azib dhe e saktësoi Albani në po këtë libër.

Këshilla të arta për moralin e lartë

Autor Abdulmalik Ramadani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit