6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Mirësitë e të jetuarit sipas sunetit

Më të lexuarat

A.K.M Mohiuddin

Për të gjithe ne, Muhamedi a.s është një dhuratë unike dhe me bekime të pallogaritshme nga Allahu xh.sh. Ne mund ta gëzojmë këtë dhuratë dhe të përjetojmë mirësitë e saj vetëm duke ndjekur traditën e tij, mënyrën e tij të jetesës. Vetëm përmes sunetit ne mund të korrim plotësisht përfitimet e Islamit. Muslimani është në gradën më të lartë kur jeton sipas sunetit të Profetit a.s. Pikërisht ky është kuptimi i ajetit Kur’anor në të cilin Allahu xh. sh thotë: “Vërtet tek i dërguari i Zotit ju keni shembullin më të mirë nëse doni të mendoni për Zotin dhe Ditën e Fundit dhe nëse e përkujtoni shpesh Allahun.” (33:21)

Suneti i Profetit a.s ka dy dimensione, të jashtmin dhe të brendshmin. Sfera e brendshme përfshin marrëdhënien e tij me Allahun xh.sh, këndvështrimin e tij mbi jetën dhe qëllimin e fundëm të saj, aspiratat e shpirtit të tij, dëshirat e zemrat së tij, ndjesitë dhe mendimet e tij. Sfera e jashtme përfshin fjalët, veprat dhe zakonet e përditshme të tij. Tw shkrira sw bashku këto sfera formojnë një model me bukuri dhe harmoni të pakrahasueshme.

Shfaqja e jashtme e jetës së Profetit a.s ishte e rrënjosur në brendësinë e tij. Për shembull, mënyra si ai ulej shprehte ndërgjegjësimin e tij mbi vogëlsinë dhe përulësinë përpara Zotit, ndërsa mënyra si hante shprehte ndërgjegjësimin e tij mbi madhështinë e Zotit dhe falënderimin për bollëkun dhe mëshirën e tij. Lidhja jetësore mes shpirtit dhe shfaqjes së jashtme mund të vërehet më së miri në lëvizjet e namazit dhe në ritualet e Haxhit. Edhe detajet më vocërrake të jetës së Profetit a.s ishin projektim i botës së tij të brendshme që ishte gjithmonë vigjilente ndaj pranisë së përhershme të Allahut xh.sh dhe plotësisht e ndriçuar nga fuqia dhe lavdia e tij. E jashtmja varej dhe përcaktohej nga e brendshmja.

Për ne është e detyrueshme të kujtojmë gjithmonë lidhjen mes së brendshmes dhe së jashtmes në Sunetin e Profetit a.s. Ne mund të përfitojmë plotësisht nga zbatimi i Sunetit vetëm nëse mbajmë në mendje këtë lidhje të pakëputshme.

Për të ndjekur sunetin e Profetit Muhamed a.s, ne duhet të përqendrohemi në aspektet e brendshme dhe të jashtme të jetës së tij. Duhet ta modelojmë veten për së brendshmi dhe së jashtmi në ndjekje të shembullit të tij. Duhet ta vendosim Allahun xh.sh në qendër të zemrave tone, njësoj si ai. Duhet ta shikojmë jetën nga i njëjti këndvështrim si ai, të mendojmë siç ai mendoi, të dëshirojmë atë që ai dëshiroi dhe t’i shmangemi asaj që ai iu shmang, të ndihemi siç ai ndihej dhe të gjykojmë çdo përvojë jetësore siç ai gjykonte përvojat e tij. Me mendje dhe zemër të kalitur në të këtillë formë duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha që së jashtmi jeta jonë të ngjasojë me të tijën.

Vetëm ndjekja e sunetit mund të na garantojë ecjen në “rrugën e tw drejtëve” – në shtegun që kënaq Allahun xh.sh. Kjo na qetëson zemrat dhe na ofron kurajën e nevojshme për t’u përballuar me sprovat e ndryshme të jetës. Na mbron nga konfuzioni, shpërqendrimi dhe çoroditja e jetës që shpenzon shpirtin, kohën, energjinë dhe burimet tona. Na mbron nga të gjitha llojet e acarimeve dhe keqardhjeve. Orienton dhe disiplinon jetën tonë ashtu siç asgjë tjetër nuk mundet. Të jetosh sipas sunetit do të thotë të “kapesh fuqishëm pas litarit të Allahut që nuk këputet kurrë”. (Bekare 2:256) Suneti na ofron paqe të paluhatshme të brendshme dhe ndjesi të thellë sigurie dhe shprese.

Kur dikush ndjek sunetin ai përfiton nga jeta e Profetit tonë të dashur, përfiton nga begatitë që Allahu xh.sh i dhuroi Profetit a.s. Çfarë mund të dëshirojë më shumë një musliman në jetën e tij? Ndjekja e sunetit eliminon largësinë kohore dhe fizike mes nesh dhe Profetit a.s. Ne gjendemi njëherazi në praninë dhe shoqërinë e tij fisnike. Ai shndërrohet në një realitet të gjallë të jetëve tona si dhe në burim të pamat gëzimi dhe paqeje. Zemrat tona kthjellohen dhe zbuten.

Suneti bashkon muslimanët. Ai mund të shkatërrojë të gjitha barrierat e pushtetit, pasurisë, gjuhës, gjeografisë dhe historisë. Duke jetuar në përputhje me të muslimanët mund të ndajnë të njëjtën mënyrë të menduari, të kenë të njëjtat perceptime, reagime ndaj problemeve, qëllime dhe modele të jetuari. Lidhja që besimi në njëshmërinë e Zotit krijon mes muslimanëve në të gjithë botën mund të materializohet vetëm përmes zbatimit të sunetit. Më pas asgjë nuk mund ta pengojë atë.

Islami i kushton rëndësi të veçantë unitetit të muslimanëve, vëllazërisë dhe miqësisë në këtë botë, dhe ne gjithashtu flasim shpesh për to. Edhe pse në të vërtetë i kemi humbur shekuj më parë. Ne përfaqësojmë një grup njerëzish të mjerë dhe kaotikë që dëshpërimisht grindemi mes nesh. Në të gjithë botën muslimanët kanë ngritur organizata dhe mekanizma të shumtë, me shpresën për të rikthyer këto virtyte të humbura por të dëshiruara mes muslimanëve. Deri tani suksesi ka qenë i kufizuar. Është koha të pyesim pse. Shpesh, pavarësisht qëllimit të mirë, ne mblidhemi me pompozitet për të përfunduar sërish në përplasje dhe ndasi akoma më të thella. Rrallëherë në ndonjërin nga këto takime gjejmë kohë të kujtojmë hutben e lamtumirës në të cilën Profeti a.s tha : “Kapuni fort pas librit të Allahut dhe sunetit tim.” E ç’mund të jetë më e trishtë se kjo? Edhe sa kohë do të vazhdojmë të injorojmë dhe anashkalojmë mesazhin e Profetit tonë fisnik, ndërkohë që me naivitet shpresojmë të korrim të mirat e Islamit?

Është e pamundur të listojmë mirësitë e sunetit në jetën tonë. Mundemi vetëm t’i përjetojmë nëse jetojmë në përputhje me të. Islami është si një minierë përplot me thesare të vyer, por miniera mund të gërmohet dhe thesaret mund të zotërohen vetëm përmes pasimit të sunetit të Profetit të Allahut xh.sh. Për të shijuar Islamin e vërtetë dhe për të përjetuar bekimet e tij në këtë botë dhe në ahiret duhet t’i kthehemi sunetit të Profetit a.s. Lusim Allahun të na dhurojë urtësinë dhe përkushtimin për ta bërë këtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit