8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Ministri Rrahmani ‘shkelë’ specializantët

Më të lexuarat

 

Javën e ardhshme bëhen fiks dy muaj që kur mjekët specializantë të performancës nuk i kanë marrë pagat nga Ministria e Shëndetësisë.

Kjo e fundit që udhëhiqet nga Imet Rrahmani vazhdimisht po ua vonon me muaj të tërë pagat specializantëve, në kundërshtim me kontratat e nënshkruara me këtë dikaster qeveritar.

‘Pagën e fundit e kemi marrë të shtatorit, ndërsa javën e ardhshme kolegët tanë i marrin pagat e nëntorit. Pra, jemi fiks dy muaj në minus me paga në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila po sillet me ne sikur që sillen disa biznese të papërgjegjshme të sektorit privat me punëtorët e tyre’, tregon për portalin ‘Infokusi’ njëri nga mjekët specializantë, i cili preferon të flas në kushte anonimiteti.

Sipas tij, kontratat e reja Ministrinë e Shëndetësisë i kanë nënshkruar në muajin e kaluar, ndonëse do të duhej të nënshkruheshin gjatë muajit gusht, por vonesat e tilla kanë ndodhur, siç thotë ai, kinse me arsyetimin se disa mjekë i kanë marrë nga dy paga, duke e keqpërdorur fondin për specializantët.

Por, me nënshkrimin e kontratave të reja është thënë se janë eliminuar të gjitha parregullsitë, prandaj edhe nuk do të duhej të vonoheshin as pagat e muajit tetor .

‘Nëse ndonjë individ ka bërë keqpërdorime, atëherë do të duhej të merreshin masat ndaj tij, e jo të gjithë të tjerët të ndëshkohen pa kurrfarë faji, pasi që kjo është padrejtësi që po i bëhet mantelbardhëve të përgjegjshëm. Është për t’u habitur se si ministri Imet Rrahmani, i cili vet është me profesion mjekë të sillet me kaq papërgjegjësi ndaj kolegëve të tij, të cilët vazhdimisht po ikin nga Kosova në mungesë të perspektivës në vend’, shprehet ai, duke shtuar se vonesa të tilla të pagave po ndodhin gjatë mandatit të ministrit Rrahmani dhe situatë krejt ndryshe ishte kur Ferid Agani udhëhiqte me këtë Ministri.

Në anën tjetër, Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, ka pranuar për portalin ‘Infokusi’se ka vonesa të tilla në pagat e specializantëve, por, sipas tij, pagesa e specializantëve prej fondit të performancës nuk është pagë e rregullt, por subvencion për mjekët në specializim.

‘Kjo do të thotë që ata nuk paguhen të njëjtën ditë siç paguhen mjekët të cilët kanë kontrata të rregullta me MSh-në. Ka raste kur pagesa u bëhet për dy muaj së bashku, varësisht prej raporteve që ata janë të obliguar t’i sjellin sipas kontratave për performancë rreth përmbushjes së obligimeve, por Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë(AFSH), ua kryen obligimet atyre. Ka raste kur ndodhin vonesa, por në fund bëhet barazimi dhe shlyhen obligimet ndaj tyre’, ka thënë Hoti.

Por, me një deklaratë të tillë të Hotit nuk pajtohet mjeku që ka folur për ‘Infokusin’. Sipas tij, askush nuk ankohet për vonesa ditore, pasi që mjekët e punësuar me kontrata të rregullta marrin pagat para datës 1, ndërsa specializantët e performancës po paguhen me dy muaj vonesë.

Hoti sqaron se së fundi nuk janë paguar disa prej mjekëve të atij grupi për faktin se Auditori ka gjetur se të njëjtit, përveç pagesës së performancës nga AFSH, ka pasur marrëdhënie pune edhe diku tjetër në sektorin publik, duke keqpërdorur buxhetin.

“Na është thënë se kjo çështje është zgjidhur muaj më parë, prandaj edhe e kemi marrë me vonesë pagën e shtatorit. Ky është vetëm një arsyetim sa për ta arsyetuar vonesën e pagave tona’, thotë mjeku që ka folur për ‘Infokusin’.

Për vonesën e pagave të specializantëve ministrit Imet Rrahmani muaj më parë deputetët i kanë bërë pyetje parlamentare, të shqetësuar me vonesat e tilla.

Qindra mjekë kanë ikur deri më tani nga Kosova, ku kryesisht kanë shkuar në Gjermani, pasi që atje marrin paga mujore prej mbi 4000 euro, derisa këtu mbi 400 euro.

Imet Rrahmani gjatë mandatit të tij si ministër kishte premtuar se do të angazhohet maksimalisht në përmirësimin e standardit të mjekëve, por për dy vjet nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit