10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Ministri Leshaj nuk është i keq, por ai është banal

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Protesta e të shtunës, përpos të tjerash, tërhoqi vëmendjen edhe për sasinë e përbindshme të gazit të hedhur mbi protestuesit, sasi që kapte një rreze deri në gjysëm kilometri, duke hyrë nëpër shtëpitë dhe banesat e njerëzve, duke hyrë nëpër lokalet apo baret aty pranë. Çdo dhjetë minuta, për rreth tri orë, policia lëshoi mbi turmën sasira gazi që janë parë të lëshohen vetëm në luftime të ushtrive ose nëpër genocide.

Ushtria mund të lëshojë sasi të madhe gazi ndaj batalioneve apo divizioneve armike, sepse është në luftë, nuk ka pse kujdeset se mos preken të moshuarit, gratë apo të sëmurët (nuk ka të tillë ushtria). Ushtritë terroriste mund të lëshojnë gaz edhe mbi popullsinë civile dhe të bëjnë genocide, që janë ndër krimet më të rënda.

Policia vepron ndryshe, ajo nuk mund të hedhë gaz mbi turmën, as sasi që të hyjnë në apartamente, nuk mund të hedhë gaz që të prekë gratë apo pleqtë. Imagjinoni çdo të ndodhte sikur policia në Paris të hidhte gaz, reja e të cilit të përfshinte gjithë Champs Elysse-në, gjithë turmën, lokalet, gratë apo pleqtë që protestojnë. Imagjinoni sikur policia në Londër të hidhte gaz që të kapte gjithë Trafalgar Square dhe të gjithë masën e protestuesve aty, apo imagjinoni sikur policia në Uashington të hidhte gaz mbi tërë turmën para Shtëpisë së Bardhë, apo në Fifth Avenue. Do të ishte një skandal i paimagjinueshëm.

Me anë të operacioneve të rënda dhe të shëmtuara të propagandës, qeveria u përpoq të thotë se dhuna u krye nga opozita, se protestuesit kërkonin të digjnin Kuvendin, se pati policë të plagosur, se opozita është parapolitike.

Në protestë u dogj një makinë (nuk dihet se kush e bëri dhe e kujt ishte makina), u anua një shtyllë, u hodhën kapsolla, u hodhën tymuese. Kaq. Kjo ishte dhuna. Në qoftë se në një protestë në Paris apo Athinë, Këln apo Seul hidhen kapsolla, digjet një makinë, dhe shembet një shtyllë, ajo do të hynte në manualin e protestave si më paqësorja në botë. Kjo dihet dhe është turp të thuash gjë tjetër.

Ndërkohë ministi i Brendshëm Lleshaj, vizitoi policët e plagosur në spital që, sipas tij, ishin pesë. Në pamjet e transmetuara nga Lleshaj në spital duken tre policë të shtrirë në krevat, ku njëri ka një copë fasho te nyja e këmbës, një tjetër ka një leukoplast te buzët dhe i treti nuk ka fasho fare, por janë të shtrirë, dmth të plagosur. Asnjë mjek nuk tha se dikush ka këtë apo atë plagosje (si do të jetë ata kanë turp të flasin kaq budallallëqe).

Le të lemë operacionin e propagandës. Le të merremi me sasinë gjigande të gazit, arrestimet e shumë protestuesve dhe me mënyrën se si ministri i Brendshëm Lleshaj, i cili është në zemër të gjithë reagimit qeveritar, sillet me protestën dhe protestuesit.

Çfarë përfaqëson kjo mënyrë e të drejtuarit të policisë nga ministri Lleshaj? Bota ka zhvilluar gjithnjë debate nëse është e mundur që një njeri i mirë të bëjë keq? Ka shumë njerëz që thonë se Lleshaj është një njeri i mirë, korrekt, i drejtë etj.

Në vitin 1961, Hanah Arendt u shokua kur pa Adolf Eichmanin në gjyq. Njeriu që ishte përgjegjës për shumë e shumë krime dukej shumë korrekt, burokrat, dhe një njeri që nuk kishte patur qëllim të kryente ndonjë krim. Për Arendt ai nuk dukej fare “as sadist dhe as pervers, por dukej tmerrësisht normal”. Në studimin e saj “Eichmani në Jeruzalem: Një raport mbi banalitetin e të keqes”, ajo thotë se ai kishte vepruar pa ndonjë motiv tjetër,veç ndjekjes së karrierës së tij. Sipas saj ai i kishte bërë këto veprime pa qëllime të këqija. Veprimet e tij ishin të lidhura me paaftësinë e tij për të menduar vetë. Eichmani sipas Arendt “nuk e kuptoi kurrë se çfarë po bënte” pë shkak “të paaftësisë për të menduar nga pikëpamjet e tija”. Arendt e quajti këtë ‘banaliteti i të keqes’. Eichman nuk ishte së brendshmi i keq, por ishte i cekët, i pavetëdijshëm, një njeri që iu bashkua partisë naziste në kërkim të një qëllimi dhe të një kuptimi, jo jashtë bindjeve ideologjike.

Kjo tezë e Hanah Arendt ka shkaktuar shumë debate atëherë, vijojnë ende edhe sot debatet. Ka autorë që thonë se Arendt u fokusua te çfarë ishte Eichman dhe jo çfarë bëri, ka të tjerë që thonë se Eichman ishte i keq së brendshmi, por Arendt nuk e vuri re etj. Gjithsesi, Arendt e mbrojti idenë se njerëz si Eichmani, të keqen e kanë banale nuk e kanë radikale (e keqja radikale është një koncept që vjen nga Kant-i), sepse nuk mendojnë vetë, e kanë mendim sfidues. Këta njerëz karakterizohen nga “një burokraci boshe që nuk flet për djallëzi radikale dhe të thellë, karrierizëm prozaik dhe paftësi për të menduar vetë.”

Njerëz të tillë janë ekstremisht të nevojshëm për regjimet diktatoriale, totalitare dhe të gjitha format e tjera ku duhet të zbatohen urdhërat, dhe ku ka nevojë që njerëzit të jenë pjesë e një zinxhiri që nuk kërkon njerëz që mendojnë vetë apo që gjykojnë vetë.

Ky duket se është pikërisht rasti i ministrit Lleshaj. Ai nuk është një njeri që kërkon të bëjë keq, as një njeri që e ka të keqen diçka të brendshme, por ai është një njeri që bën atë që do kryeminstri dhe nuk është i vetëdijshëm se sasia gjigande e gazit nuk mund të përdoret ndaj turmës, grave, të moshuarve, banesave, apartamenteve dhe lokaleve, se nuk mund te hidhet gaz në banesa, se nuk mund të arrestohen njerëz pse shkojnë në protesta apo pse shkulin një beze apo çarçaf në skela, pse hedhin kapsolla apo ndezin tymuese.

Kur kryeministri Rama emëroi disa ministra muaj më parë, të gjithë thanë se ata janë më pak politikë, më shumë teknikë, më shumë të pavarur për pasojë. Në fakt ata janë shumë më tepër politikë se sa Xhafaj, Gjiknuri, Ahmetaj, Bushati etj.
Lleshaj, Denaj, Shahini, Balluku etj., janë kanë saktësisht karakteristikat e Eichmanit. Ata nuk mendojnë vetë, kanë shqetësim karrierën, janë futur në parti si Eichman për t’i dhënë një kuptim ose për t’i gjetur një kuptim vetes, jo jashtë bindjeve ideologjike.

Për këtë arsye Lleshaj është i pandjeshëm ndaj gazit dhe quan dhunë sjelljen e protestuesve, për këtë arsye ai sulmon opozitën shumë më egër, edhe se sa ministrat “politikë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit