Ministri Çavuşoğlu biseda telefonike për Palestinën

0
19

ANKARA (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, po vazhdon diplomacinë telefonike me homologët e tij nga shtete të ndryshme për të shkëmbyer mendime në lidhje me zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe për incidentet në kufirin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga burimet diplomatike, ministri Çavuşoğlu në lidhje me zhvillimet së fundi ka realizuar biseda të ndara telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Bahrejnit, Sheikun Halid bin Ahmed bin Muhammed Al Halife, ministrin e Jashtëm të Nigerisë, Geoffrey Onyeama, ministren e Jashtme të Suedisë, Margot Wallström, ministren e Punëve të Jashtme të Afrikës Jugore, Lindiwe Sisulu dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Ugandës, Sam Kutesa.

Zhvendosja e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Kuds më 14 maj pas vendimit të mëparshëm të presidentit amerikan, Donald Trump, shkaktoi zemërim në rajon.

Ushtarët izraelitë vranë 62 palestinezë dhe plagosën 3 mijë e 188 të tjerë të cilët morën pjesë në protestat e organizuara në kufirin e Gazës nën rrethim, me qëllim për të protestuar kundër hapjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds.

Turqia, e cila reagoi ashpër ndaj sulmit të Izraelit kundër palestinezëve, shpalli 3 ditë zie kombëtare për palestinezët.