14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

“Minber…” – testament…

Më të lexuarat

“Minber…” – testament…

Paraditën e sotme, isha rrethuar nga miq të mirë, të cilët më nderuan me praninë e tyre në ceremoninë e promovimit të librit të ri me titull: “Minber…” – (50 hytbe xhumaje), Tiranë, 2016, botimet KMSh.

Libri në fjalë është përmbledhje e përzgjedhur e 50 hytbeve të mbajtur gjatë vitit që shkoi, në xhami të ndryshme të Shkodrës. Për mua, ky libër ka formën e testamentit, ku është shkruar besimi, identiteti, kultura, shpirti, zemra, thirrja, përshpirtja, zëri i brendshëm i ndërgjegjes, rruga e drita, malli e dashnia, pendimi e shpresa, lëngata dhe balsami, teuhidi dhe bindja, por edhe përtej…

“Minber…”, si objekti, mbi të cilin, javë pas jave, të xhuma pas të xhumaje, hatibët e mbarë globit marrin shkallët e tij për të komunikuar me masat e pranishme, mbi një pozitë, ndryshe nga çdo pozitë folësi. Nga një foltore, ndryshe nga çdo foltore. Një tribunë, prej ku shtrohen ura ndërlidhëse në marrëdhëniet solide të njeriut me veten, Zotin dhe tjetrin, prej ku hapen shtigje diturie dhe përparimi, prej ku mbillet fara e së mirës në jetë, dritësohen rrugëtimet e harmonisë kombëtare, rrezaton paqja dhe vullnetet e forta për të dashur për tjetrin atë që duhet për vete etj.

Fjala është amanet. Hytbeja është amanet. Minberi është amanet. Amaneti i Thirrjes së Bekuar Islame është vetë amanet. Kësisoj, hatibët kanë mbi supe një përgjegjësi të jashtëzakonshme, që vështirë se krahasohet me përgjegjësi tjetër. Sidomos në kohëra tranzicioni, si ky që kalon sot Ymmeti Islam, bota islame, gjithandej mbi faqen e dheut..!

Lexova një fragment nga libri i madh i dijetarit të shquar indian, Ebul-Hasen En-Nedevi, me titull: “Çfarë humbi bota nga dekadenca e muslimanëve”, ku ndër të tjera ai ngre shqetësimin e dobësimit të vetëdijes në botën islame dhe atë arabe në veçanti. Madje, ai shpreh frikën e tij, se kjo vetëdije ka vdekur, duke mos pasur mundësi të dallohet armiku nga miku e, duke u pickuar nga e njëjta vrimë, mbi njëmijë herë..?! Vetëdije e dobësuar fetare, kulturore, akoma më shumë, politike..!

Pastaj, m’u kujtua një bashkëbisedim i dijetarit të shquar të kohës sonë, Shejkh Jusuf El-Karadavi, në kanalin Al-Jazeera, në kohën kur në Francën e presidentit Shirak, diskutohej ndalimi i hixhabit. Thoshte se, të xhumanë e asaj jave. në xhaminë kryesore të Parisit, hatibi kishte folur për dëmet e komunizmit. Dmth, bota në një luginë, hatibi në një tjetër!?

Ky është problem i madh, me të cilin ndeshemi shpeshherë në realitetet provinciale të minbereve, që nuk lartësohen dot në nivelin e përballjes sistematike me sfidat, sëmundjet, pengesat e suksesit, si dhe, kur këto minbere nuk prodhojnë dot alternativa optimizmi, shprese, shërimi, ecjeje përpara në jetë, të argumentuara bukur e me urti!

Është e gjatë dhe e thellë tematika e Minberit, si simbolikë, e Hatibit, si institucion dhe, e vetë xhumasë si stacion i përjavshëm tubimi ndërtues në jetën e shoqërive islame…

Falënderova me zemër miqtë e mi të pranishëm në sallë, redaktorin e librit, shkrimtarin Xhahid Bushati, artistin e shquar të kaligrafisë arabe nga Tunizia, Sami Gharbi, bashkëpunëtorët e mi të afërt, imamët dhe stafin e Myftinisë, për mbështetjen, ndihmesën, kontributin dhe mendimet pozitive në dobi të këtij botimi dhe përtej tij, si dhe në veçanti, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për botimin e këtij libri.

Të vetmit që më munguan sot, realisht, ishin Baba dhe Nana. Ky ishte promovimi i parë i njërit prej librave të mi, pa praninë fizike të Prindëve të mi të shtrenjtë, që sot ndodhen në Medinen e Resulull-llahut (a.s), në udhëtimin e tyre të mrekullueshëm të Umres.

Me zemër, ndjeva praninë e tyre, teksa luteshin edhe për mua, nga Xhamia e Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit (a.s), diku aty, afër Minberit…

Imam Muhamed B. Sytari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit