7.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Mimoza Hysa: Sfidat e leximit për një shoqëri më të mirë

Më të lexuarat

Mimoza Hysa, drejtore e Librit në Ministrinë e Kulturës e sheh Lëvizjen Kombëtare për Lexim si një sfidë e cila i shërben një shoqërie më të mirë nesër. Përkthyese dhe shkrimtare, Hysa prej kohësh është vënë në krye të hartimit të strategjive që kanë të bëjnë me politikat mbi librin. Më poshtë ajo vjen në një intervistë për MAPO.

Në një kohë krize për librin, ju jeni vënë në krye të një lëvizjeje me përmasa kombëtare siç është Lëvizja Kombëtare për Lexim. Cilat janë sfidat e kësaj Lëvizjeje?

Të shumta i shoh sfidat, së pari, për të përballur mosbesuesit, dyshuesit, përqeshësit, kritizerët që e kanë më për mbarë ta shembin një nismë pa u nisur se të shtojnë një gur, edhe pse ndoshta nuk do të jetë ngrehinë fort e lartë e fort e drejtë. Kam qenë gjithnjë e mendimit më mirë një punë sot e gjykimin ta lëmë për nesër, më mirë të veprojmë qoftë edhe duke gabuar, se të rrënojmë duke arsyetuar pa guxuar në asnjë nismë. Nuk besoj se Lëvizja do t’i bëjë ata një milion shqiptarë të hapin librin, por po bëri një të dhjetën të kuptojnë për çfarë po flasim, do të ishte një hap i mirë. Më duhet ta theksoj se nuk po shpikim rrotën, po kopjojmë nismat më të mira që vendet e zhvilluara si Gjermania apo Franca ka shumë kohë tashmë që i ndjekin. Së pari, duhet besuar se gjithë bashkë mund të bëjmë diçka për të ndryshuar të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të këtij vendi. Duhet hedhur fara, pavarësisht nëse do të arrijmë të nxjerrim një trëndafil a një ferrë. Po pa provuar të gjithë së bashku si mund të paragjykojmë? Nga gjërat e thjeshta nisin lëvizjet e mëdha: nga fryma, besimi se mjafton një rrëfenjë e gjyshes në darkë, një orë leximi i prindit me fëmijën, një mësuese e pasionuar që di të shpjegojë me dashuri, një librashitës që të pret me buzëqeshje e të zbulon një botë kur i hyn në librari, një bibliotekare që shkon te lexuesi dhe e kërkon, që ia bën të dashur librin, një personazh televiziv që reklamon librin që po lexon në vend të bluzës që ka veshur, e gjëra kësisoj, në dukje pa vlerë, por që krijojnë klimën e duhur për librin.

-Metafora e kësaj lëvizjeje janë fëmijët. Ju keni zgjedhur që leximet t’i çoni në kopshte dhe çerdhe. Sa do të ndihmojë kjo zgjedhje në forcimin e strategjive që kanë të bëjnë me një edukim e lidhje më të fortë me librin në këto mosha?

Edukimi fillon që nga lindja. Te fëmijët e sotëm është e ardhmja jonë. Fëmija ka pranë vetes prindin dhe edukimi duhet të fillojë prej tyre. Projektet më të suksesshme në Europë për edukimin e leximit kanë qenë e vazhdojnë të jenë ato që kanë në fokus bebet: instruktohen nënat e reja t’u lexojnë e rrëfejnë fëmijëve të porsalindur përralla e rrëfenja, vihet theksi te leximi me zë. Zëri i nënës, ritmi i leximit janë ato që nguliten dhe e bëjnë familjar fëmijën me leximin. Do të ishte mirë nëse në këtë nismë tonën për edukimin e leximit në çerdhe e kopshte na bashkëngjiteshin edhe bashkitë e vendit për të falur pesë librat e parë të bebeve te fëmijët e porsalindur. Kush lind me një bibliotekë në shtëpi ka më shumë shanse të lexojë në të ardhmen. Libri duhet të jetë një objekt që e shikon, shfleton që në lindje. Në kopshtet dhe çerdhet të përcaktuara si pilot kemi menduar të hartojmë një grafik ku gjyshërit e fëmijëve vijnë në kopsht për t’iu lexuar fëmijëve. Kjo bën që në një farë mënyrë, secili nga gjyshërit apo prindërit të ndërgjegjësohet për domosdoshmërinë e leximit, e ta vazhdojë këtë praktikë të mirë në shtëpi, dhe njëkohësisht i afron fëmijët me librit përmes leximit me zë.

-Çfarë do të pasojë këtë Lëvizje Kombëtare për Lexim?

Shpresoj të mos ndalemi, por thjesht të përmirësohemi nga viti në vit. Ashtu si Fushata Kombëtare u kthye në Lëvizje, si muaji u bë vit, shpresojmë të zgjerojmë dhe të strukturojmë edhe më mirë në vijim këtë lëvizje, me një platformë sa më konkrete dhe sa më të qartë.

-Si përkthyese por dhe si një njeri që merret me politikat që kanë të bëjnë me librin, cilat mendoni se duhet të jenë strategjitë që duhet të rikthejë lexuesin e humbur ndër vite?

E shikoj një sfidë të vështirë, por jo të pamundur. Kemi qenë një vend në mungesë lirie dhe me një varfëri ekstreme, por kjo nuk na ka penguar të lexojmë. Në këto vite të vështira kur të gjithë u turrën drejt pasurimit dhe botës materiale duke harruar atë shpirtërore, u vu re se u bjerrën vlerat dhe u rrit kriminaliteti: nëse të bëhemi një vend i pasur në një kohë të shpejtë është e vështirë dhe nuk varet vetëm prej individit, të edukojmë fëmijët dhe t’u kushtojmë kohë e kemi më shumë në dorë: le të bëjmë atë që kemi në dorë vetë se pikërisht kjo përkujdesje në dukje e vogël do të japë nesër fryte të mëdha. Një gjë më bën optimiste: një shpërndarës librash më tha një ditë se gjatë fushatës së ndërmarrë prej nesh në Ministrinë e Kulturës, shitjet e librave rriteshin me gati 30%, ndërkohë që aktivitetet e leximit, ca me hir e ca me pahir dhjetëfishoheshin. A ka kompliment më të mirë se ky për një nismë? Natyrisht është shumë pak dhe nuk mendoj se kemi ndryshuar prirjen e shqiptarëve në këto vite: po ne po bëjmë të gjithë përpjekjen tonë dhe urojmë të kemi mbështetës dhe të vazhdojmë gjithnjë më shumë e gjithnjë më mirë.

-Një kritik i njohur bën pyetjen, nuk ka libra apo nuk ka lexues? Të njëjtën pyetje do doja t’jua bëja edhe unë juve?

Nuk ka lexues, padyshim. Për një vend me më pak se tre milionë banorë, ku ka rreth treqind shtëpi botuese të regjistruara dhe rreth një mijë botime të reja në vit, kuptohet që nuk mungojnë librat. Mungojnë orientimet drejt librit të mirë, mungon vëmendja e gjithë shoqërisë për të edukuar lexuesin.

–Cili është roli i botuesve i njerëzve të librit në humbjen e lexuesit?

Është shumë i madh. Edhe pse ata e kanë mbajtur gjallë tregun e librit dhe janë për t’u përgëzuar – dua të dalloj këtu botuesit seriozë që nuk e kalojnë numrin tridhjetë – u del detyrë të investojnë edhe në promovimin e leximit dhe aktiviteteve që afrojnë lexuesin me librin. Puna e tyre nis nga përzgjedhja e librave me vlerë, nga kujdesi në botim apo në përzgjedhjen e përkthyesve, në botimet estetikisht të arrira, me qëllim tërheqjen dhe edukimin e lexuesit të tyre me shije të holla. Jam e mendimit se kemi më shumë shtëpi botuese sa ç’duhen për një treg si yni, dhe më shumë libra se ç’duhen në vit për numër popullsie. Mbytja e tregut bën që të mos dalin në pah botimet me vlerë dhe të humbasë puna e denjë e botuesve të rëndësishëm që bëjnë një punë të kujdesshme me librin.

-Si e shihni lexuesin e dhjetë viteve të ardhshme?

Nga statistikat botërore vërehet se numri i lexuesve të një vendi shkon në përpjesëtim të drejtë me ekonominë e këtij vendi. Ne nuk kemi të njëjtin zhvillim ekonomik me Rumaninë dhe Turqinë, e megjithatë në statistikën që zgjoi aq debat të INSTAT-it rezultonim në të njëjtat shifra. Kjo do të thotë se jemi më mirë me leximin sesa perceptohet dhe besoj shumë se pas çoroditjes së këtyre dekadave do të vijë qetësia dhe urtësia për t’iu kthyer atyre vlerave që nuk vdesin dhe që përbëjnë farën e rritjes së një vendi.

-Në një nga politikat e Ministrisë së Kulturës për librin është dhe ngritja e Qendrës së Librit. Ju keni punuar me këtë projekt. A mund të na tregoni se cili do të jetë roli i kësaj qendre…?

E them me kënaqësi tashmë se jemi në përfundim të këtij procesi. Qendra do të jetë një institucion që do të merret ekskluzivisht me problemet e librit dhe leximit në vend. Gati në të gjithë vendet e Europës kemi qendra të tilla të cilave u është besuar zbatimi i politikave librore, dhe është vërejtur se kanë luajtur dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm për përmirësimin e klimës së librit dhe leximit. Qendra e librit, përveç se do të vazhdojë të zbatojë nismat e ndërmarra deri më sot nga Ministria e Kulturës, do të ndihmojë mbi të gjitha për rritjen e burimeve financiare dhe njerëzore në fushën e librit, për më tepër mundësi përfshirjeje në projektet ndërkombëtare dhe në bashkëpunime me qendrat e tjera simotra. Para pak ditësh kishim në Shqipëri presidentin e Qendrës për Librin dhe Leximit të Italisë, Romano Montronin, një nga nismëtarët e projekteve të leximit prej vitesh tashmë në Itali, me të cilën hodhëm bazat për bashkëpunime në të ardhmen. Ashtu siç edhe është biseduar edhe me qendra të tjera shumë aktive dhe me përvojë si JAK e Sllovenisë, ProHelvetia e Zvicrës, Kulturë Kontakt e Austrisë, Instituti Goethe etj. Besoj shumë se ngritja e një qendre të tillë është një nga hapat më të rëndësishëm të ndërmarrë në fushën e librit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit