7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Miliarderi që i dhuroi pesë milionë euro një të moshuari në Lezhë

Më të lexuarat

Në Gjadër të Shqipërisë jeton një familje e thjeshtë.

Shumë larg prej Gjadrit, në Zvicër jeton një miliarder suedez. Ai quhet Sten Ake Lindholm.

Miliarderi suedez dhe familja Voci nga Gjadri kanë një lidhje e cila për muaj të tërë është bërë objekt i një hetimi të hollësishëm të Prokurorisë së Lezhës. Me vendim gjykate, familjes Voci i janë vendosur në sekuestro preventive gati 5,5 milionë euro dhe shumë apartamente të blera së fundmi nga persona dhe kompani të ndryshme.

Më datën 22 janar, prokuroria nisi procedimin penal të referuar nga policia për pastrim parash dhe më 23 janar gjykatësi Artan Hajredinaj pranoi vendosjen në sekuestro preventive të llogarive bankare të Pjetër dhe Shqipe Vocit, dy bashkëshortë të moshuar. Në emër të Pjetër Vocit, suedezi Sten Ake Lindholm ka bërë disa transferta bankare, më e madhja me 3,8 milionë euro, duke dhënë shpjegimin se është dhuratë për mikun e tij të dashur.

Prokuroria nuk e ka të qartë se përse janë bërë këto transferta të mëdha, duke dyshuar se përfituesi është vetë suedezi Sten Ake Lindholm, për të cilin i kanë kërkuar informacione shtetit suedez dhe thuhet se përgjigjje kanë marrë se Lindholm ka biznese, por nuk tregohen transfertat.

Suedezi tashmë i moshuar është një miliarder pronar i kompanisë “Biltema”, një nga njerëzit më të pasur në Evropë. Në kompaninë e tij punon shqiptarja Adelina Voci, vajza e Pjetër Vocit nga Gjadri.

Adelina ka bërë karrierë në nivelet më të larta drejtuese.

Ndërkohë, prokuroria po vazhdon hetimet për të kuptuar se si 5,5 milionë euro u bënë dhuratë nga një miliarder nga Suedia për një familje të thjeshtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit