15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Miliarderët nuk mund ta blejnë paqen në botë: rasti i Soros & Koch dhe politika e jashtme amerikane e ‘realistëve’ dhe ‘intervencionistëve’

Më të lexuarat

James Traub / Foreign Policy  Përkthimi: Politiko.al

Idea e ekskluzivizmit (exceptionalism) amerikan, dikur një fe civike, tani ka tingullin e të çuditshmes – dhe kjo jo vetëm se Amerika zgjodhi një mujshar amator si president disa vjet më parë. Ju duhet të ktheheni shumë mbrapa – mbase në kohën e krijimit të institucioneve të rendit liberal botëror dhe Planit Marshall – për të gjetur një rast kur me siguri mund të thonit se roli global i Amerikës ishte, më tepër ekskluzivisht i mirë sesa ekskluzivisht i keq. Në disa ‘anekse’, kufoma e ekskluzivizmit (ose jashtëzakonshmërisë) amerikan po përgatitet për varrosje. U ndjeva sikur të kisha dëgjuar notat e para të muzikës funebre, kur lexova se George Soros dhe Charles Koch – njëri ikonë e globalizmit liberal dhe tjetri një libertarian i krahut të djathtë – janë bashkuar për të financuar Quincy Institute for Responsible Statecraft, një think tank kushtuar zvogëlimit të ndikimit global të Amerikës.

Emri është një nderim për Presidentin John Quincy Adams, i cili tha frazën e famshme në një fjalim të 4 korrikut 1821 “Amerika nuk del jashtë vendit, në kërkim të monstrave për të shkatërruar”. Realistët, si George Kennan, e miratuan këtë shprehje si gur themeli; gjithashtu edhe pohimin e Adams-it se një Amerikë militariste mund të bëhet “diktatori i botës”, por “nuk do të ishte më sunduesi i shpirtit të vet”.

Ky duket se është parimi udhëheqës i Institutit Quincy ose të paktën dy prej themeluesve të tij, Andrew Bacevich dhe Stephen Wertheim. Megjithëse e ka përshkruar veten si “konservator katolik”, Bacevich është një kritik i vrullshëm i Luftës së Ftohtë Amerikane dhe politikës së pasluftës. Në librin e tij të vitit 2002, Perandoria Amerikane, Bacevich u përpoq të rehabilitonte reputacionin e dy kritikëve të mëdhenj të së majtës, ndaj politikës së jashtme amerikane, Charles Beard dhe William Appleman Williams, të cilët argumentonin se vetë-imazhi i Amerikës si një hegjemon dashamirës fsheh realitetin brutal të grandizmit kapitalist. Në një kolumnë të fundit, Bacevich bëri thirrje për një politikë të re të jashtme bazuar në pranimin se “projekti perandorak … çon në mënyrë të pashmangshme në falimentim, si fiskal ashtu edhe moral”.

Në një artikull të fundit në New Republic, Wertheim, një historian në Universitetin e Columbias, argumentoi se, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, liberalët i janë dorëzuar vizionit neokonservator të epërsisë ushtarake amerikane, duke krijuar kështu një konsensus rreth një politike të luftës së pafund. Liberalët kanë qenë kryesisht të heshtur, shkroi Wertheim, përballë glorifikimit të ushtrisë nga Donald Trump. “Për dekada,” argumentoi ai, “ata nuk kanë arritur të ndalojnë luftën dhe dhunën për të njëjtën arsye që nuk kanë arritur të ndalin pabarazinë në rritje.” Më duhet të them se ky vëzhgim më shtangu. Fatkeqësisht, Wertheim e neglizhonte sqarimin e arsyeve; mbase i konsideronte të vetëkuptueshme.

Duke lënë mënjanë meritat e çështjes për momentin, anti-militarizmi vjen me ndjesinë e një polemike koha e së cilës ka ardhur. Së pari, shumica e amerikanëve me të vërtetë preferojnë të merren me kopshtin e tyre, përveç rastit kur kopshti është në rrezik – i cili i tillë ka qenë për shumicën e 80 viteve të fundit, por jo më. Së dyti, “luftërat e përgjithmonës”, siç i quajnë kritikët ato në Irak dhe Afganistan, i kanë thartuar votuesit ndaj idesë se Amerika mund të bëjë diçka të mirë në botë, sigurisht përmes përdorimit të forcës. Së treti, Trump duket se e ka thelluar cinizmin, si të atyre që e admirojnë ashtu dhe të atyre që e urrejnë. Dhe së fundi, kush mund të debatojë me parullën “Fund luftërave të përgjithmonës”?

Ekziston një afinitet i natyrshëm midis kritikëve të krahut të majtë, të cilët e konsiderojnë fuqinë amerikane si ‘të keqe’ dhe realistëve që i shmangen moralizmit, si të së majtë ashtu edhe të së djathtës, por e shohin promovimin e demokracisë, komb-ndërtimin dhe vokacionet e tjera liberale si një shpërndarje të madhe të energjive kombëtare dhe një projekt të dënuar të dështojë. Në të vërtetë, Stephen M. Walt, ark-realisti i Foreign Policy, mund ta ketë ‘thirrur’ Institutin Quincy vjeshtën e kaluar, kur ai propozoi një koalicion të progresistëve anti-luftë, realistëve dhe libertarianëve konservatorë për të dalë kundër aleancës ‘intervencionistëve liberalë dhe skifterëve nekonservatorë”. Ka pasur shumë habi në lidhje me martesën rrufe të Soros dhe Koch, por teza e Walt është se ata kanë shumë më tepër të përbashkëta në politikën e jashtme sesa shihet – duke supozuar, domethënë, që Soros tani ndan skepticizmin e Walt në lidhje me rendin liberal botëror dhe rolin e Amerikës në mbrojtjen e tij.

Kjo më sjell te çështja e meritave. Për mendimtarët në të majtë si Bacevich dhe Wertheim, dhe për realistët si Walt dhe Michael Mandelbaum, ndryshimi midis liberalëve dhe neokonservatorëve – mes, të themi, John Kerry dhe Paul Wolfoëitz – nuk është gjë tjetër veçse taktik. Ata të dy, sipas Walt, “përqafojnë ekskluzivitetin amerikan … favorizojnë epërsinë e madhe ushtarake dhe mbështesin qëllimin e gjerë për përhapjen e vlerave liberale … në çdo cep të botës.” Kjo është një përmbledhje tendencioze – por ajo që lihet jashtë ka rëndësi po aq sa ajo që përfshihet.


Më lejoni të ilustroj pikëpamjen time në lidhje me Barack Obama-n. Siç e bëri të qartë në fjalimin e Çmimit Nobel për Paqen, Obama nuk se ishte një anti-militarist parimor, por gjatë fushatës së vitit 2008, ai emocionoi liberalët duke u zotuar të përdorë shumë më shumë diplomaci, dhe më pak forcë, sesa George W. Bush, për të diktuar më pak dhe dëgjuar më shumë. Obama hyri në zyrë duke argumentuar – dhe duke besuar – se rivaliteti i fuqive të madhe ishte një gjë e së kaluarës dhe se çështjet transcendente të ditës ishin çështje globale – ndryshimet klimaterike, kufizimet bërthamore, varfëria dhe dështimi i shtetit. Ekskluziviteti amerikan, për Obamën, nënkuptonte udhëheqjen, jo për çështje kombëtare, por për ato transnacionale.

Obama nuk dështoi për mungesë përpjekjesh. Ai i ofroi një reset (rifillim) Rusisë dhe u dogj kur Vladimir Putin pushtoi Ukrainën dhe kërcënoi anëtarët e NATO-s nga Europa Lindore dhe Balltiku. Ai i zbuti kritikat mbi të drejtat e njeriut në Kinë, por nuk fitoi asgjë në marrëveshjet tregtare, praktikat e biznesit, ose sigurinë rajonale (shumë më pak për të drejtat e njeriut). Ai tërhoqi të gjitha trupat luftarake nga Iraku – por më pas iu desh të kthehej kur vendi dukej se po shpërbëhej para sulmeve të Shtetit Islamik. Ai u përpoq të zhvendosej nga Lindja e Mesme në Azi – por nuk mundi. Realistët ‘e falën’ Obamën sepse ai i rezistoi impulsit për të ndërhyrë në Siri dhe i fshikulluan kritikët e tij si “the Blob”*. Por Obama e mbylli mandatin i ngërthyer në rivalitete me fuqitë e mëdha dhe duke luftuar ‘të këqijtë’ në Irak dhe Afganistan.

Cili është morali? A e dobësuan vendosmërinë dhe ndërhyrën te vizioni intervencionistët liberalë përreth Obamës, qoftë Hillary Klinton apo Samantha Power? A ishte edhe ai një dëshmor i ‘the Blob’? Ideja më duket absurde. Obama u zu rob nga realiteti: Ai zbuloi se tranziti nga “bota ashtu siç është” – titulli i kujtimeve të këshilltarit të tij Ben Rhodes – në “botën ashtu siç dëshirojmë të jetë”, një frazë tjetër e preferuar e Obamës, ishte shumë më pak i lundrueshëm nga sa kishte menduar. Ai duhej të mbante disa mijëra trupa në Irak sepse Iraku kishte nevojë për ndihmën e Amerikës për të luftuar Shtetin Islamik, të cilin me të drejtë Obama e konsideroi një kërcënim serioz, për të mos thënë ekzistencial, për sigurinë kombëtare të SHBA. Ai duhej të përkrahte aleatët e Amerikës në NATO kundër Rusisë. Ai duhej t’i tregonte Kinës se nuk mundej që thjesht t’i merrte ishujt e diskutueshëm, ndërkohë që arrinte një marrëveshje për ndryshimet klimaterike. Obama kurrë nuk e glorifikoi përdorimin e forcës, siç bëri Bush ose Zoti e di, ashtu siç bëri Trump në fjalimin 4 korrikut; ai e përdori atë kur nuk mundi të gjente ndonjë instrument më efektiv.

Në kolumnën e përmendur më lart, Bacevich rendit çështjet e mëdha të ditës si ndryshimet klimaterike, ndërrimi i pushtetit global dhe siguria në internet. Ju mund të debatoni me përparësitë e tij specifike, por prapë jeni dakord që, edhe më shumë se në vitin 2008, problemet më të mëdha janë ato globale. Por është ‘wishful thinking’ (bëma Zot ëndërr) të përshkruash betejat e fuqisë së madhe si “shpërdorime me origjinë në shekullin e njëzetë”, siç pretendon Bacevich. Wertheim, në mënyrë të ngjashme, ka përshkruar një përplasje idesh midis “Luftëtarëve të Ftohtë të rinj”, të etur për të përsëritur betejat e një kohe tjetër, dhe “Kufizuesve”, të cilët shohin virtytet e bashkëpunimit me Kinën (dhe, me sa duket, Rusinë). Por kjo është një dikotomi false: Ne jetojmë njëkohësisht në këtë shekull dhe në një versiont të ri të atij të fundit.

Liberalët e pranojnë nevojën për të vazhduar kërkimin e fushave të bashkëpunimit si ndryshimet klimaterike, por nuk e mashtrojnë veten mbi motivet e fuqive të tjera të mëdha. Në mënyrë të ngjashme, dikush mund të tmerrohet nga vendimi i Trump për të shfuqizuar në mënyrë të njëanshme marrëveshjen bërthamore me Iranin, pa u mashtruar edhe vetë mbi rrezikun e vendimit të Teheranit për të shkelur kufizimet mbi pasurimin e uraniumit. Eshtë e vështirë për të shmangur përfundimin se grupi me gjurmën më të vogël po i riorganizon problemet e botës për t’iu përshtatur doktrinës së vet.

Vlen të përmendet se John Quincy Adams nuk ishte as realist, as radikal dhe as libertarian. Ai ishte, përkundrazi, një nacionalist i zellshëm. Si sekretar i Shtetit nën James Monroe, Adams këmbënguli që Amerika të mbetet neutrale në luftën midis monarkisë dhe republikanizmit në Europë. Kjo për faktin se interesat e Shteteve të Bashkuara shtriheshin diku tjetër. I vetëm në kabinet, Adams mbrojti fushatën brutale të Andrew Jackson kundër Indianëve dhe trupave spanjolle në veriun e Florida-s, sepse Jackson po përshpejtonte procesin e zgjerimit të destinuar të Amerikës. Ashtu si Etërit Themelues, Adams kurrë nuk dyshoi se Providenca e kishte veçuar Amerikën për madhështi. Askush nuk u pajtua më me devotshmëri se ai me parimin që sot ne e quajmë ‘jashtëzakonshmëri amerikane’.

*The Blob-një film amerikan fantastiko-shkencor i vitit 1988.  Blob përdoret për të përshkruar një organizëm në formë amebe që gllabëron gjithçka i del përpara.  

**James Traub është një kontribues i rregullt i Foreing Policy, bashkëpunëtor në Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe autor i librit “John Quincy Adams: Spirit Militant”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit