Michel Platini lirohet nga paraburgimi

0
18

Ish-presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) Michel Platini është liruar mëngjesin e sotëm nga paraburgimi pasi është marrë në pyetje në kuadër të hetimit për korrupsion rreth organizimit të Kampionatit Botëror në vitin 2022 në Katar.

Platini dje u arrestua në kuadër të hetimit për korrupsion gjatë procesit të kandidaturës dhe ndarjes së nikoqirit për Kampionatin Botëror të vitit 2022. Kapiteni i dikurshëm i kombëtares së Francës u dërgua në Zyrën për Antikorrupsion të Policisë Gjyqësore në Nanterre, qytezë në periferi të Parisit.

Ish-presidenti i UEFA-s mohoi çfarëdo përgjegjësie për shkeljet, prandaj, autoritetet franceze nuk ngritën aktakuza kundër tij.

“Ishte një kohë e gjatë, por duke marrë parasysh numrin e pyetjeve nuk mund të kishte qenë ndryshe, më pyetën për Kampionatin Evropian 2016, Kampionatin Botëror në Rusi, Kampionatin Botëror në Katar, Paris Saint-Germain, FIFA-n”, tha Platini pas daljes nga paraburgimi.

Sophie Dion, këshilltarja e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe sekretari i tij, Claude Gueant, gjithashtu u arrestuan.

Platini ishte president i UEFA-s nga viti 2007 deri në vitin 2015, kur u pezullua nga kryerja e ndonjë funksioni në futboll nga Komiteti i Etikës i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA)./AA