9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Metodat e therrjes së kafshëve: ligji ndalues në Belgjikë rindez debatin për rregullat fetare

Më të lexuarat

Ekzistojnë disa argumente të lirisë fetare ku, madje, edhe parimi shumë i vlerësuar “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë” nuk arrin të pajisë demokracitë me ndonjë përgjigje të lehtë. Një i tillë duket të jetë edhe konflikti në lidhje me therrjen e kafshëve. Bëhet fjalë për një çështje që mund të krijojë aleanca të rralla, duke bashkuar muslimanët dhe hebrenjtë (të cilët ndajnë së bashku disa bindje sesi duhen therrur kafshët për mish) kundër një kombinimi të çuditshëm të dashamirësve të kafshëve, sekularistëve dhe të djathtës nacionaliste.

Belgjika, një vend që i ka rënë për pjesë një copë më e madhe sesa mund të mbajë e tensioneve ndër-fetare dhe ndër-rajonale, është vendi më i fundit ku metodat e therrjes së kafshëve kanë nisur të mbikqyren me kujdes nga publiku. Legjislatura e jugut frëngjishtfolës të Belgjikës, sapo ka votuar ndalimin e therrjes së kafshëve, nëse më parë ato nuk trullosen, (humbasin ndjenjat, me fjalë të tjera). Sipas mësimeve klasike muslimane apo edhe hebreje, kafshët duhet të vriten me një prerje të vetme në fyt, që kryhet kur kafsha është në gjendje të shëndetshme. Përfaqësuesit e 40 mijë hebrenjve të Belgjikës dhe 600 mijë apo më shumë muslimanëve të saj thonë se votimi dërgon një sinjal ekstremisht negativ për minoritetet fetare.

Edhe pse çështja është tepër e ndjeshme për të dyja besimet, autoritetet muslimane në kohët e fundit kanë lejuar pak më shumë vend për kompromis. Disa ekspertë të ligjeve islame pranojnë idenë e trullosjes fillestare përsa kohë kafshët mbeten në gjendje të shëndetshme përpara se gjaku të drenazhohet. Me fjalë të tjera, trullosja duhet të jetë  e lehtë dhe prerja duhet të shkaktohet sërish e tillë që të mundësojë kullim të shpejtë të gjakut.

Kjo zonë gri ndihmon të shpjegohet një propozim i mbështetur nga palët kryesore në Flanders, veriun hollandisht-folës të Belgjikës, në muajin mars. Deri në vitin 2019, u dakordësua që do të jetë e paligjshme në rajon që të therren kafshët e vogla si delet apo pulat pa trullosje paraprake. Për bagëtitë, sidoqoftë, është e vështirë të jepet një goditje trullosëse pa i vrarë. Kështu që politikanët flamandë e zgjidhën këtë punë duke vendosur që këto kafshë të trullosen menjëherë pas prerjes në fyt, deri tani metoda e vetme e besueshme e trullosjes jo-vdekjeprurëse përpara se të kullojë gjaku.

Pa dyshim, ky vendim mund të shihet si një përpjekje për të përmbushur përgjysmë shqetësimet fetare. Sidoqoftë, përgjigja nga dy besimet e prekura nga këto zhvillime në gjithë Belgjikën, ishte sërish e idhnuar. Moshe Kantor, presidenti i Kongresit Europian Hebre, e quajti lëvizjen e frankofonëve “sulmin më të madh mbi të drejtat fetare hebreje në Belgjikë që nga pushtimi nazist i vendit në luftën e dytë Botërore”.

Ligji i Bashkimit Europian, përgjithësisht, kërkon trullosjen e kafshëve përpara therrjes, mirëpo lejon shtetet anëtare të bëjnë përjashtime për komunitetet fetare. Ligji dhe jurisprudenca amerikane gjithashtu bën përjashtime të detajuara për vrasjen e kafshëve sipas normave fetare. Por, Suedia dhe Danimarka, të dyja anëtare të Bashkimit Europian, këmbëngulin në anestezinë ndaj kafshëve përpara therrjes. Banorët e këtyre vendeve që dëshirojnë të blejnë mish të marrë përmes procedurave të tjera duhet ta importojnë nga jashtë. Shpejt, me sa duket, muslimanët dhe hebrenjtë në Belgjikë do të ndodhen në të njëjtin pozicion. Në kontrast, Gjykata Kushtetuese në Gjermani ka ruajtur të drejtën e njerëzve për të vrarë kafshët në përputhje me bindjet e tyre fetare.

Galeria e personazheve dhe organizatave që kanë ndërhyrë në këtë debat është impresionuese. Ish-kryeministru britanik, David Cameron, tha dikur se ai nuk do të kishte asnjë vërejtje të hante mish hallall, të marrë nga kafshët sipas parimeve Islame. Në vitin 2015, partia e Pavarësisë së Britanisë, UKIP u zotua të nxirrte jashtë ligjit therrjen pa trullosje fillestare të kafshëve. Lideri aktual i UKIP, Paul Nuttall është tërhequr nga ky zotim, mirëpo ndalimi favorizohet ende nga disa anëtarë të lartë të partisë. Marine Le Pen, kandidatja e mposhtur e zgjedhjeve presidenciale franceze, është një tjetër politikane e së djathtës nacionaliste që mbështet ndalimin e therrjes së kafshëve pa trullosje.

Në Britani, kjo lloj therrje kundërshtohet edhe mbi baza etnike nga Shoqata e Veterinerëve Britanikë (që mblodhi më shumë se 100 mijë nënshkrime në mbështetje të pikëpamjes së vet) dhe gjithashtu nga Shoqata Kombëtare Sekulariste, drejtori i fushatës së të cilës, Stephen Evans thotë se “në Europën e shekullit të 21-të nuk ka ndonjë arsye të mirë përse mirëqënia e kafshëve duhet të jetë dytësore ndaj rregullave dietike fetare”.

Në shumë vende europiane, debati është veçanërisht i ngarkuar për shkak se shumë nisma që ndalojnë therrjen sipas metodës fetare, si gjatë periudhës së nazizmit ashtu edhe shumë kohë para saj, kishin një ngjyrim të pagabueshëm anti-semit. Therrja sipas metodës shechita (traditë hebreje) u nxor jashtë ligji shpejt pas ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit. Por, ekziston edhe një shembull i një zëri të fuqishëm hebre që u ngrit kundër gjithë therrjes së bagëtive: shkrimtarit dhe laureatit të çmimit Nobel Isaac Bashevis Singer, i cili ishte një vegjetarian i vendosur.

Dikur ai tha: “Për aq kohë sa qëniet njerëzore do të vazhdojnë të derdhin gjakun e kafshëve, nuk do të ketë kurrë paqe. Ka vetëm një hap të vogël që ndan vrasjen e kafshëve me ndërtimin e dhomave të gazit”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit