Mësuesja e guximshme Yacoobi model për të rinjtë në Afganistan

0
14

“Bëhuni të drejtë. Dijeni vlerën e kulturës, shtetit dhe të fesë suaj. Nëse punoni së bashku dhe në unitet atëherë bëheni të suksesshëm”, thotë Yacoobi

 

Drejtuesja e Lartë e Institutit Afgan për Arsim (AIL) Dr. Sakena Yacoobi, e cila me punën e saj në fushën e arsimit dhe shëndetësisë ka prekur në jetën e miliona personave tha se “Mua më motivon buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve që kanë mbetur në mes të luftës, kur ata gjejnë mundësinë e shkollimit”.

Kur lufta në Afganistan me organizatën terroriste të talebanëve ishte në pikën më intensive, Yacoobi kishte ndërtuar shkollë në nën tokë për 30 mijë vajza. Ajo sot u ofron mundësi për arsimim më shumë se 350 mijë personave në gjithë shtetin. Yacoobi në një bisedë për Anadolu Agency (AA) flet për punën e institutit dhe përpjekjet e saj të vështira për arsimim.

Yacoobi njihet me përpjekjet e saj kundër mbylljes së shkollës për vajza nga organizata terroriste e talebanëve në Afganistan. Ajo deklaroi se atë e motivon buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve që kanë mbetur në mes të luftës, kur ata gjejnë mundësinë e arsimimit.

“Për këtë arsye unë vazhdimisht punoj me fëmijët në mes të moshave 3 muajsh-16 vjeçar dhe besoj në arsimim. Sepse besoj që arsimimi jep fuqi, fuqizon gratë dhe u jep grave status”, tha Yacoobi.

Sipas saj, si gratë ashtu edhe meshkujt nëse marrin arsimim të mirë atëherë mund të bëhen liderë dhe qytetarë të mirë.

“Shteti im Afganistani është në luftë për 40 vite dhe populli ka vuajtur shumë nga injoranca për shkak se populli nuk ka arritur të arsimohet. Shteti do të përparojë nëse i arsimojmë së bashku djemtë dhe vajzat e reja dhe nëse atyre u mësojmë forma të ndryshme të jetesës. Edhe ata do të ndryshojnë, por do të ndryshojnë edhe jetët e tyre”, thotë Yacoobi.

Duke vënë në dukje se personat e arsimuar do të jenë rol-model për gjeneratat e ardshme, Yacoobi tha se për këtë arsye për shumë vite po realizon aktivitete arsimore në Afganistan dhe se përkundër moshës së saj i vazhdon këto angazhime.

Yacoobi thotë se angazhimet e saj po i vazhdon me mijëra djem dhe vajza të reja.

“Edhe pse lufta po vazhdon, ata/ato janë shumë të lumtur. Më lëndohet zemra nëse qëndroj vetëm një minutë larg tyre. Për këtë arsye i nxis gjeneratat e reja që të kenë durim dhe të sjellin paqe në Afganistan, sepse lufta nuk do të jetë zgjidhje. Sillni paqe. Rruga e vetme për të arritur në paqe në Afganistan janë gjeneratat e reja. E respektojmë kulturën, i respektojmë traditat por duhet ta kërkojmë paqen. Përderisa paqja nuk vjen në Afganistan, ne do të vuajmë përgjithmonë”, tha ajo.

Ka ndaluar mbylljen e shkollës nga talebanët

Duke folur për përpjekjet e saj për mos mbylljen e shkollës së saj ku arsimoheshin vajzat, Yacoobi tha se: “Para së gjithash, me të vërtetë jam duke e mbikëqyrur kulturën time. Unë gjithmonë e vendosi mbulesën. Jam muslimane, e dua Islamin. Islami nënkupton paqen, e jo fenë e luftës. Për këtë arsye ata të cilët bastisën shkollën time panë se çfarë po u mësoj (nxënësve) këtu. U mësoj kulturën, traditat dhe të njëjtën kohë që të mendojnë në mënyrë kritike. Së fundmi, ata të cilët hynë në klasën time panë se çdo vajzë e re kishte vendosur mbulesë dhe se janë me të vërtetë përfaqësuese të mirë të Islamit. Për këtë arsye nuk bënë diçka tjetër dhe nuk e prekën shkollën time”.

Yacoobi thotë se në këtë proces po u kushton vëmendje personave të cilët vijnë në shkollë dhe se nuk lejon që të huajt të hyjnë në shkollë.

Vullnetarja afgane për arsim Yacoobi thotë se në shkolla po ashtu japin mësim akademik të Kur’an-i Kerimit dhe përpiqen të mësojnë edhe kuptimet e ajeteve të Kur’anit.

“Nëse Kur’anin e mësoni jo vetëm për të mbajtur përmendësh, por duke e njohur se çfarë përpiqet të tregojë, do të shihni se si Kur’ani flet për të drejtat e grave dhe të njeriut. Kur (terroristët) më ndalën dhe më thanë se nuk është një gjë e mirë të japësh arsim për gratë, unë u them se ‘Kur’ani thotë që duhet t’i arsimojmë gratë, e jo të mos i arsimojmë’”.

Thirrje të rinjve

Yacoobi e cila vazhdon luftën e saj për arsim me vite të tëra, iu drejtua të rinjve duke me thirrjen se “Përkundër të gjitha vështirësive, bëhuni të fuqishëm, punoni shumë. Bëhuni të drejtë. Dijeni vlerën e kulturës, shtetit dhe të fesë suaj. Nëse punoni së bashku dhe në unitet atëherë bëheni të suksesshëm”.

Yacoobit, e cila ofron nivelin më të lartë të arsimit lokal për ata të cilët nuk kanë qasje në arsim, në kuadër të Forumit TRT World 2018 i është dhënë çmimi “Çmimi i Edukatores TRT World Citizen 2018”.

Ajo në vitin 1995 ka formuar AIL-në, me qëllim që të përmbushë mungesën e shërbimeve në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë të cilat janë paraqitur pas përleshjeve dhe luftës disa dekadashe në Afganistan. Instituti arsimor i themeluar nga Yacoobi ka prekur drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë në jetën e miliona afganëve. AIL vazhdon aktivitetet si një organizatë e cila nën udhëheqjen e Yacoobi ndihmon njerëzit dhe komunitetet.

Yacoobi në vitin 2015 mori çmimin WISE, i cili iu prezantua nga ish presidenti i SHBA-ve Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle Obama. Yacoobi po ashtu në vitin 2005 ishte kandidate për Çmimin Nobel për Paqe.